“Artisti i Shquar” – aktori, regjisori, dramaturgu, shkrimtari Xhevat Limani, ka lindur më 1 janar 1953 në Fierishtë (Strugë). U diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë. Mbi tridhjetë vite punoi në teatrin shqiptar në Shkup. Ka luajtur rreth 100 premiera teatrore dhe ka reprezentuar artin shqiptar nëpër botë, është pritur me ovacione nga publiku dhe me vlerësime kulminante nga kritika teatrore. Si regjisor ka realizuar mbi 30 vepra. Është shpërblyer me dhjetëra herë si aktor dhe si regjisor. Ka luajtur mbi 10 filma artistik shqiptar. Ka realizuar gjithashtu edhe mbi 30 filma dokumentarë dhe shtatë telepoema. Pas një pune të gjatë pesëvjeçare promovoi filmin dokumentar për shqiptarët e Amerikës në luftën e shenjtë të UÇK-së, “NUK ISHIN VETËM”. 

Është skenaristi dhe regjisori i filmit të parë shqiptarë në Maqedoni, me titull “Fatprerët”. Filmi trajton fatin e individit i cili me vetëdije pranon rolin e viktimës. Atdheu është “Tempulli i Shenjtë” dhe dashuria për të nuk mund të jetë lëndë fakultative.

Është themelues dhe drejtues i “Teatrit shqiptar në Amerikë”. Premiera e parë “Anatema” u luajt në New York, “Dany Kay Playhouse Theater” dhe vazhdoi  të shfaqet në 17 shtete amerikane me mjaft sukses.  Në Chicago, në kuadër të “Teatrit shqiptar në Amerikë” realizoi veprën dramatike “Muri i lotëve” të vetë autorit dhe monodramën “Unë Adem Jashari” shkruar nga Lebit Murtishi. 

 

Pas një shqetësimi dhjetëvjeçar realizoi kryepoemën kombëtare “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” si autor komplet (autor i tekstit, regjisor, aktor), në bashkëpunim me regjisorin Michael Tylo, aktor Hollyvudi, që përjetoi premierën në 16 nëntor 2012 në Tiranë, 18 nëntor në Prishtinë dhe 20 nëntor në Shkup, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Është artist i lirë. Jeton me zonjën e tij Lule Limani në New York. Ka dy vajza: Furtuna (muzikologe) dhe Era (soprano). Jeton dhe vepron në New York, Chicago, Los Angeles, Prishtinë, Tiranë, Shkup e Strugë dhe prezanton me dinjitet artistik artin shqiptar nëpër botë.

Krijimtaria artistike

  • “Nuk ishin vetëm”, film dokumentar për shqiptarët e Amerikës në luftën e UÇK-së.
  • “Pranverë dimërore”, poezi
  • “Albaniada”, tetë drama
  • “Artisti pa Atdhe”, roman
  • “Dodona”, dramë
  • “Ora shqiptare”
  • “Demoniada”
  • “Antimemorandum”
  • “Anatema”
  • “Hijet”
  • “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu”
  • “Muri i lotëve”
  • “Unë Adem Jashari”
  •  “Artisti pa Atdhe” roman etj.

Romani “Artisti pa Atdhe”, ka elemente biografike. Është shpalimi i fëmijërisë së autorit deri në ditët e sotme, të cilin e përqëndron në tri kohë. Në kohën e shkuar, duke shfletuar fëmijërinë, kujtimet e tij në periudhën e tmerrshme të social – liberalizmit apo komunizmit jugosllav, që ishte kancer për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Është koha e tashme, në të cilën ai qëndron dhe dëshmon vetë botërisht, katërcipërisht dhe shqipërisht për gjërat që i ka përjetuar dhe që i ka parë me sy, jo me të dëgjuar. Ka qenë dëshmitar okular. Koha e tretë është koha e porosisë që ai duhet t’u përcjellë gjeneratave për atë se çfarë ndodhi. 

Drama “Dodona”, shpreh një periudhë të gjatë tetë, dymbëdhjetë ose gjashtëmbëdhjetë mijë vjet, periudhë që nga Thoti, kur zbriti para pellazgëve në krahët e shqiponjës, në një vend që më vonë quhet Iliria apo Pellazgia, e më vonë u transformua në Arbëria në Shqipëria. Pra, shenjat e një identiteti që vjen nga lashtësitë.

Projekti teatror “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

Teatri shqiptar në Amerikë me projektin teatror “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” filloi turneun artistik nëpër Evropë, në Teatrin e Zagrebit në praninë e artdashësve të shkëlqyer si dhe gazetarëve e kritikëve teatrorë. Mes tyre ra në sy shkrimi i kritikes Slavica Sharoviç që lavdëroi performancën e ekipit realizues. “Xhevat Limani e ringjalli Skënderbeun në skenë me një aktrim brilant dhe mjeshtri artistike i paparë edhe në skenat kroate. Publiku kroat ka humbur shumë që nuk e shijoi këtë perlë teatrore të sojit të rrallë. Në këtë realizim fantazmagorik i ndihmoi edhe sopranoja Era Hoxha me tingullin e saj kristalor që performancën e shpinte drejt kulmeve dhe perfeksionit artistik. Organizimi i shkëlqyer i atdhetarit, intelektualit dhe kryetarit të pakicave shqiptare në qytetin e Zagrebit z.Shuip Ziberi ishte i nivelit properëndimor”, shkroi Sharoviç.

Në qytetin e klasikëve të artit, nikoqire ishte Drita Cacaj, një personalitet tejet i veçantë, Safet Murati regjisor dhe Shpresa Kameraj. Shfaqja u duartrokit gjatë nga publiku artdashës të cilën aktori Xhevat Limani ia dedikoi Naser Hanit, i cili kontribuoi në luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Më 14 prill shfaqja u shfaq në Luzern nën organizimin e atdhetarit, Agim Sylejmani.

Në qytetin e Gjenevës u shfaq nën drejtimin e veprimtares Albana Krasniqi si dhe piktorit e poetit, Gani Bytyqi. Perdja u përmbyll në Paris.

Çmime & Vlerësime

Ka fituar një varg çmimesh dhe mirënjohjesh kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shoqata Kulturore e Artistike “Jehona Shqiptare” në Tiranë e ka nderuar me titullin “Ikonë e Aktrimit Shqiptar”. Ky titull erdhi me motivacionin për kontributin e dhënë si bashkë realizues i festivalit të III-të “Nacianal Shqiptar” të fëmijëve. 

 

“Diplomë Shkëlqesie i jepet aktorit të famshëm shqiptar Xhevat Limani për merita dhe bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë.”

 

Për më shumë informacione lidhur me artistin dashamirësit mund të ndjekin faqen e tij www.xhevatlimani.com.

Burimi:https://telegrafi.com/http://www.xhevatlimani.com/