Për shkak të rrethanave historike dhe politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, Biblioteka Kombëtare e Kosovës funksionin e saj e ka kryer nën trysninë e shtrëngesave ideologjike dhe peshës së rëndë të shtypjes kombëtare. Për këto arsye, ajo edhe është emërtuar me emra të ndryshëm deri tani si: 

1944 – 1952 Biblioteka Krahinore, kur është themeluar më 

1956 – 1961 Qendra Bibliotekare e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë 

1961-1970 Biblioteka Popullore Krahinore 

1970 – 1990 Biblioteka Popullore dhe Universitare 

1990 – 1999 Biblioteka Popullore dhe Universitare “Ivo Andriq”, duke përjetuar në këtë kohë asgjësimin e shumë fondeve bibliotekare e shkatërrimin e tyre

1999-2013 Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, kur edhe nis zhvillimi i institucioneve bibliotekare, trajnimi i stafit të kësaj biblioteke dhe bibliotekave komunale dhe veprimtaria botuese e saj. 

Ndërkaq, nga 1 janari i vitit 2014, si rezultat i jetësimit të “Planit strategjik për Bibliotekën Kombëtare dhe për Bibliotekën Universitare”, të cilin vite më parë e kanë hartuar ekspertët amerikanë, konkretisht z. Kenneth Oberembt, ajo funksionon e ndarë nga Biblioteka Universitare. Tani quhet Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe gjendet në fazën e ristrukturimit dhe të ridefinimit të misionit të vet në pajtim me funksionin e ri që do ta ketë.

Si e tillë, tani ajo është institucioni më i lartë bibliotekar i Kosovës dhe qëllim parësor të vetin, të rregulluar me Ligjin për Bibliotekat, ka: mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e materialeve bibliotekare me vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën. Me fjalë të tjera, mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe intelektuale të Kosovës dhe më gjerë se kjo.

Me një fond prej rreth dy milionë njësish bibliotekare, dhe me mjedise që frekuentohen nga një numër më shumë se 100 mijë lexuesish të moshave dhe kategorive të ndryshme brenda një viti, Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot rangohet në mesin e bibliotekave më të mëdha dhe nga më seriozet në rajon dhe më gjerë. Për ndonjë segment të veçantë siç është, për shembull, Këndi Amerikan brenda saj, ajo zë vendin e parë në rajon. Natyrisht se këto të arritura janë simbiozë e një angazhimi vetëmohues të stafit të BKK-së dhe ndihmës së institucioneve të vendit. 

Po kaq me rëndësi, për këto të arritura, është edhe ndihma e vazhdueshme e institucioneve të ndryshme simotra, individëve dhe shteteve mike. Këto të fundit ndihmën e tyre na kanë ofruar nëpërmjet trupave të tyre diplomatike të akredituara në Prishtinë, duke sjellë nga shtetet e tyre staf profesional për trajnimin e punonjësve tanë dhe fonde librash e teknologji bashkëkohore për punë. Me këtë rast, për përkrahje të jashtëzakonshme, do t’i veçoja: Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Italisë, të Austrisë, të Hungarisë etj., në adresë të të cilave, shkon një falënderim i posaçëm por to dhe vendet e tyre. 

Falënderim dhe mirënjohje të veçantë i shprehim Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, e cila, pas përfundimit të luftës në Kosovë, ishte më dorëlira dhe shtysa më e fuqishme për zhvillimin e këtij institucioni. Duke e ndjerë veten të obliguar për të qenë mirënjohës ndaj të gjithë këtyre miqve tanë e punës së drejtorëve të mëparshëm.

Ky tempull i shenjtë vite më parë ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me kompaninë Ex Libris-Aleph 500, ka implementuar sistemin e automatizuar bibliotekar, ka bërë revizionimin e koleksioneve bibliotekare, i cili ka nevojë të bëhet prapë, është anëtarësuar në Lidhjen e Bibliotekave Hulumtuese të Evropës, së bashku me UNDP-në dhe Kuvendin e Kosovës ka themeluar Qendrën Informative për Qeverisje Parlamentare, ka themeluar Konsorciumin e Bibliotekave Elektronike të Kosovës dhe portalin albanologjik Shqipëri – Kosovë, Arkivin Medial, ka riaktivizuar laboratorin për restaurimin dhe konservimin e materialit bibliotekar, ka pasuruar fondet nëpërmjet donacioneve e blerjeve të përvitshme; së bashku me Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë kanë themeluar Këndin Amerikan, ka hapur Dhomën e Shkrimtarëve dhe personaliteteve të kulturës, zyrën e Kujtesës së Kosovës, Bibliotekën e Artit Bashkëkohor, Bibliotekën Evropiane (e cila tash s’ofron shërbime) dhe atë të NATO-s (e cila s’ka shumë prurje të titujve të rinj); ka themeluar Fondacionin Miqtë e Librit dhe të Bibliotekës, ka shtrirë bashkëpunimin me bibliotekat kombëtare: me të Shqipërisë, të Kongresit Amerikan, të Polonisë, të Gjermanisë, të Turqisë, të Italisë, të Rumanisë, të Malit të Zi e me biblioteka të tjera, nga të cilat ka marrë përvoja të ndryshme nga fusha e bibliotekarisë, disave edhe ua ka ofruar. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje, çdoherë duke shkëmbyer përvoja të mira e promovuar kulturën e Kosovës në botë si nëpërmjet librit fizik, po ashtu edhe atij elektronik.

Gjatë këtyre shtatë dekadave kjo bibliotekë është përpjekur ta ruajë e ta freskojë kujtesën kombëtare të Kosovës e të shqiptarëve, pavarësisht pastrimit brutal etnik të represionit të regjimit të Millosheviqit dhe jo vetëm të tij, të ushtruar mbi gjithë trashëgiminë kulturore të Kosovës. Është po kjo bibliotekë që e ka ruajtur kujtesën e Kosovës për brezat e ardhshëm; ka marrë gjithherë parasysh sugjerimet e miqve, duke e hapur bibliotekën për shërbim të çdo grupi etnik, të çdo rajoni, të çdo përkatësie fetare dhe të komuniteteve e duke përcaktuar detyrat kryesore të saj si: mbledhjen e së kaluarës, sistemimin dhe ruajtjen e saj në forma dhe standarde të ndryshme, gjithherë në shërbim të punonjësve shkencorë, lexuesve, dashamirësve të librit e vlerave kulturore.

Pa e harruar asnjëherë të kaluarën dhe punën e pandalshme e të palodhshme të punonjësve e të departamenteve të saj: të Informacionit, të Pasurimit, të Katalogimit, të Bibliografisë, të Koleksioneve të Veçanta, të Teknologjisë Informative e atë të Zyrës së Botimeve, tani e tutje Biblioteka Kombëtare e Kosovës vëmendjen do ta përqendrojë në aktivitetet të cilat determinohen nga zhvillimi i përgjithshëm i shoqërisë, sidomos i teknologjisë informative. Koha e re dhe ky zhvillim shtron para nesh domosdoshmërinë e digjitalizimit të të gjitha koleksioneve dhe materialeve që biblioteka jonë ka në fondin e vet.

Duke shfrytëzuar të arriturat e kësaj fushe, pra të fushës së teknologjisë informative dhe praktikën e bibliotekave të vendeve më të zhvilluara e duke e pasuruar edhe më tutje këtë institucion me teknologji informative, shpresojmë se shumë shpejt do t’ia dalim ta materializojmë këtë projekt sa ambicioz, aq edhe me interes për ne dhe për botën, e cila do ta ketë mundësinë të njohë më mirë kulturën dhe vendin tonë.

Burimi:http://www.biblioteka-ks.org/Përshtati për ALVA: J. H.

Përdorimi dhe botimi i lajmeve dhe informacioneve të ndryshme mund të bëhet vetëm me kusht që autorësia të ruhet dhe të vendoset në mënyrë të qartë burimi i lajmit dhe materialit nga www.alva.al. Çfarëdo kundërveprimi në këtë drejtim do të bëhet subjekt i procedurave përkatëse.