Të nderuar bashkëkombas, kudo që jeni

Ndjej një obligim të madh, madje detyrim ndaj jush që t’ ju falenderoj për interesimin, përkrahjen dhe mbështetjen e parezervë që e keni manifestuar ndaj meje, që nga momenti i kumtit për meçin tim për kampion bote, në versionin WBF e deri te fitorja e mbrëmshme që ndodhi e që është dhe rezultati im më i mirë i deritashëm në boksin profesionist.


Ju më keni nxitur, më keni motivuar dhe më keni dhënë kurajo në çdo çast të periudhës përgatitore e veçmas në prag të meçit dhe gjatë tij, andaj, edhe rezultati fare nuk është i befasishëm. Por, konsideroj se është rezultat i përbashkët.
Pata fatin të isha në mesin e atyre që u zgjodhën për të luftuar për këtë titull dhe tejet fatlum që, këtë meç e kurorëzova me titullin e më të mirit në këtë version duke u bërë kështu dhe shqiptari i parë që e sjell këtë titull në trevat shqiptare.

Kjo veç sa më ndërgjegjëson dhe më shumë për fitoren e arritur dhe për përgjegjësitë që i kam ndaj këtij sporti fisnik e edhe ndaj juve, ndaj kombit tim, të cilin përpiqem ta nderoj për aq sa di e për aq sa mundem.
Kisha një rast jetik dhe ky rast u kurorëzua me një fitore brilante ndaj një kundërshtatri shumë të fortë dhe të papërshtatshëm.

E di se jeni përballur me shumë sfida për ta përcjellur këtë meç, qoftë me praninë tuaj fizike apo edhe përmes mediave, portaleve e edhe rrjeteve sociale. Por, jam i kënaqur që nuk ju zhgënjeva.
Mirënjohës jam veçanërisht ndaj atij publiku dhe atyre përkrahësve që ishin të pranishëm në Ceres Arena, ndaj atyre që ishin pranë kutive magjike apo telefonave mobil. Po edhe ndaj mediumit televiziv “Zëri i Kosovës” nga Kopenhaga si dhe Portalet “Shqipëria ime” dhe “Kampionët shqiptarë” të cilët e përcollën meçin deri tek ju nga kjo arenë boksi.
Ndjej keqardhje që mediumet tona publike në Kosovë e në Shqipëri nuk arritën ta sigurojnë për gjithë juve, transmetimin direkt nga Danimanrka.

Më takon dhe mua t’ ju uroj për këtë fitore të madhe sepse aty kishim dhe një himn e një flamur që na bashkon e ndaj të cilëve mbetem gjithmonë i përkushtuar.
I juaji
Erzen Rrustemi

Burimi:https://www.facebook.com/BoxerErzenRrustemi/www.erzenrrustemi.ch /Përshtati për ALVA:M. P.