Karl Gurakuqi lindi në Shkodër më 24 mars 1895 dhe u nda nga jeta në Bressanone 6 dhjetor 1971, në Itali, si nënshtetas shqiptar. Gjithë jetën me dokumente emigranti politik. Si pjesa më e mirë e atdhetarëve, që ikën nga komunizmi, por kurrë nga atdheu. Mbeten shqiptarë me zemër e me dokumente,  duke e provuar mbi kurrizin e tyre “sa krypë ka buka e huej dhe sa e randë asht të hypësh e të zdrypësh nëpër shkallët e shtëpive të hueja” (Dante). Gjë që, ndoshta, breznitë e reja, që shpesh vrapojnë të ndërrojnë nënshtetësi, e shikojnë si diçka gati-gati të pabesueshme. Mysafirë, nën strehë të huaja, megjithatë, bënë gjithçka mundën që të ruanin vazhdimësinë e asaj kulture. U nis për pushime në Austri, në verën e përvëluar të vitit 1944.  Atje e zu nëntori.

Në Austri

E atje i kaloi vitet e para jashtë atdheut. Për 4-5 vjet që qëndroi në Austri, Gurakuqi iu kushtua kryesisht leksikografisë në bashkëpunim me studiuesin Ndue Paluca e mori pjesë në hartimin e skedarit të madh të fjalorit të shqipes me shpjegime në gjermanisht, për Akademinë e Shkencave të Austrisë.  E atje mbeti, derisa gjeti strehë në Palermo, i sigurt se në Atdhe e priste vetëm pushkatimi,  me vulën e tradhtarit. Pavarësisht nga pengesat e panumërta, themeloi, së bashku me Atë Valentinin e Rosolino Pettrot-ën, Qendrën kombëtare të studimeve shqiptare, që u bë shpejt një nga qendrat më të rëndësishme albanologjike, ku organizoheshin takime e realizoheshin botime tejet të rëndësishme për kulturën shqiptare. 27 vjet në Itali, Karl Gurakuqi jetoi e vdiq si shqiptar, ndërsa në Atdhe figuronte në listat e tradhtarëve. 

Po emri i Karl Gurakuqit mbeti i shkruar në të gjitha revistat kryesore shqiptare, para e pasi u detyrua të zgjidhte rrugën e mërgimtarit, gjithnjë në pritje të rikthimit.

 

Shêjzat e vepra të tjera

Mbeti në revistën e Ernest Koliqit “Shêjzat”,  anëtar i këshillit drejtues të së cilës ishte. Botoi në këtë organ rreth 100 shkrime, kryesisht me karakter leksikologjik dhe leksikografik dhe mbajti rubrikat “Hulumtime gjuhësore dhe botime albanologjike”.  Tek “Shêjzat”, ai nuk la pa kujtuar dijetarët shqiptarë dhe të huaj, që dhanë ndihmesën për zhvillimin e kulturës shqiptare, si dhe ngjarjet dhe botimet më me vlerë të kohës dhe të retrospektivës. Mund të përmendim shkrimet, kryesisht, përkujtimore për Marko la Pianën, Gaetano Petrotën, Aleksandër Xhuvanin, Kolë Kamsin, atë Justin Rrotën, atë Gjergj Fishtën, Maksimilian Lambercin, atë Marin Sirdanin, Angelo Leotin, De Radën, Zef Skiroin, shoqninë  “Bashkimi” etj e etj. Një pjesë e mirë, emra klerikësh, që diktatura besonte se i kishte shlyer nga kujtesa e kombit!

Për pasionin e Karlit në gjurmimin e fjalës shqipe, Ernest Koliqi shkruan: “Dashunia e Karlit për gjuhën shqipe qe dhe asht e zjarrtë sa m’u quejt pasion. Qysh në moshën ma të re nisi me mbledhë fjalë e skaje. Sa ndëgjonte udhës, në pazar, në ndonji dyqan, a në kafe ndokend tue përdorë ndonji thanie të rrallë, ndonji synonim të panjoftun nxirrte laps e tefter dhe i shënonte. Kështu erdhi tue grumbullue làndën e fjalorit të shqipes, rreth të cilit shkrini mund në të tànë jetën e vet.”

Tanë jetën! Vdiq në mërgim, në Bressanone, më 6 dhjetor 1971, tue lanë pas një kontribut, që sot vlen pikërisht për ta kthyer në Atdhe, jo aq trupin e tij, që mbeti në mërgim, si shumë shokë të të njëjtit ideal, por veprat, të cilat shërbejnë për të ripohuar të mohuarit padrejtësisht dhe për të rilidhur fillin e këputur të traditës me kulturën e re, që lind çdo ditë, ndonëse me lindje tejet të vështirë.

Burimi:http://sq.radiovaticana.va/ Përshtati për ALVA V. D.