“Plazhi Gjeneralit” është plazhi më i madh (400 m i gjatë, 50 m i gjerë), më i bukuri dhe më i pastërti në gjithë Rivierën e kodrave të Kryevidhit të rrethit të Kavajës. Ndodhet midis dy kepave shkëmbore dhe është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve të detit. Përbëhet nga rërë e imët me ngjyrë të verdhë në të hirët. Ka formën e patkoit dhe rrethohet nga shpate të buta kodrash me lartësi rreth 100 m, të veshura me shkurre mesdhetare, gjithmonë të blerta: dafinë, shqopë, mare, etj. Kepat shkëmbore në veri dhe në jug të plazhit me blloqe shkëmbore konglomeratike, të përbëra nga zaje me gjithfarë ngjyrash, përbëjnë një mozaik të mahnitshëm që harmonizohet me koloritin e pyjeve fantastikë nënujore të leshterikëve të detit (Cymodocea nodosa e Zostera marina).

Këto peisazhe me bukuri përrallore, pastërtia e kristaltë e ujërave dhe e rërës e tërhoqën gjeneralin italian në vitet ’30 të shekullit të kaluar që të vinte me jaht në këtë plazh të virgjër dhe të pushonte me familjen e tij. Së bashku me vlerësimin, ai i la plazhit edhe emrin e gradës së tij të lartë ushtarake. 

Në ujërat e detit gjënden peshq të llojeve të ndryshëm. Por ajo që e bën të veçantë këtë plazh me rërë të pastër dhe qetësi absolute është breshka e detit (Caretta caretta), e cila, në kohën e shumëzimit, del e lëshon vezët në rërën e tij. Kur vezët çelin, të vegjlit lënë rërën dhe i drejtohen me shpejtësi detit. Kjo specie, tepër e rrallë, prej kohësh është futur në librin e kuq, duke u cilësuar si “e rrezikuar në shkallë mesdhetare”. Prandaj plazhet ku ajo lëshon vezët janë shpallur me kohë objekte të mbrojtjes së veçantë dhe në to nuk lejohet të afrohet askush. Në të njëjtën kohë ato tërheqin shumë turistë, të cilët i vrojtojnë breshkat dhe të vegjlit e tyre nga larg, me dylbi. Është rasti që edhe ne, mbi bazën e përvojës së vendeve mesdhetare, duhet të përcaktojmë një strategji dhe plan të studiuar për mbrojtjen e kësaj perle të natyrës sonë dhe për shfrytëzimin me shumë kujdes të vlerave të saj turistike.

Për të vizituar këtë monument duhet ndjekur rruga automobilistike Kavajë – Bardhor, rreth 12 km e asfaltuar dhe më pas merret rruga këmbësore rreth 20 minuta.

Burimi:www.akzm.gov.al / Përgatiti për ALVA – V. D.