Shën Tereza është një prej personaliteteve më të mëdha të kombit shqiptar. Madje një nga pesonalitetet më të mëdha botërore të shekulli XX. Shën – Nënë Tereza u lind në një familje shqiptare me emrin Agnes (Anjez) Gonxhe Bojaxhiu më 27 gusht të vitit 1910 në Shkup. Atë kohë qyteti i saj i lindjes ishte nën sundimin osman, më pas i përkiste konfederatës Jugosllave, kurse tani është kryeqyteti i Maqedonisë. Atëherë gjithë rajoni ishte pjesë e Perandorisë Otomane. As Shqipëria dhe as Maqedonia nuk njiheshin si kombe më vete. Pavarësisht nga origjina gjeofizike e lindjes së Gonxhes, ajo kishte gjak shqiptari dhe këtë e ka pohuar me gojën e saj kur mori çmimin “Nobel Për Paqen”. Ishte një pohim për ta mësuar e gjithë bota origjinën e saj, bijë e një fisi të lashtë, prej të cilit trashëgoi bujarinë, besën, mikpritjen, durimin, dashurinë për jetën dhe mirësinë, që janë cilësi virtyti të shqiptarit. Për këdo, i njohur apo i panjohur, vatra shqiptare ka qenë dhe mbetet e ngrohtë, ndaj në shekuj janë shprehur: ”Bukë e kripë dhe zemër!” Sa bukur, sa thjesht, sa natyrshëm dhe po aq e madhërishme ka qenë pohimi i saj: ‘Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes së Zotit, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.”
As Maqedonia as Shqipëria nuk ekzistonin si shtete të pavarur, dhe përkatësia shtetërore për opinionin botëror nuk ishte e qartë. Nga ana e saj, në shkrimet, krijimet, apo prezantimet e veta, Nënë Tereza e përshkruante veten një shqiptare nga Shkupi.
Ajo u largua nga qyteti i lindjes në moshën 18-vjeçare për të shkuar nëpërmjet Irlandës në Kalkuta, në Indin e varfërisë më të varfër të rruzullit tokësor, në vendin e skamjes, miseries, epidemeve, ku tuberkulezi, malarja dhe lebra shkaktonin vdekje në masë. Gonxhja e nisi punën si mësuese. Më pas drejtoreshë shkolle. Po duke u përballur me realitetin e hidhur, me lejën e Vatikanit, në Kalkuta ngriti urdhrin bamirës “Motrat e Mëshirës” për t’u kujdesur për të sëmurët. Rreth saj u mblodhën njerëzit e besimeve të ndryshme.
Si rrjedhim, ajo s’e ka vizituar as Maqedoninë dhe as Shqipërinë, ku u vendos më vonë familja e saj dhe pas shumë vitesh larg mjedisit të fëmijërisë edhe pse e ruante ende gjuhën, shqipja e saj nuk ishte e rrjedhshme.
Që nga viti 1929 kur u vendos në Kalkutë dhe deri në vitin 1960 nuk kishte dalë jashtë kufirit të Indisë. Pikërisht më 1960, e ftuar në një konference ndërkombëtare për gratë katolike, udhëtoi drejt Europës dhe ShBA-së. Mes të tjerave ajo vuri në dukje: “Nëse keni sy të shifni, shumë nga njerëzit nuk dinë gjë për ekzistencën e varfërisë dhe të të varfërve. Por ju mund të gjeni sa e sa Kalkuta në të gjithë Botën”. Kjo thënie prej një gruaje me zemër të madhe, ishte si një apel për qeveritë dhe udhëheqësit e shteteve.
Në këto takime ndërkombëtare, ajo si një e krishtere e mirë, që ishte kundër vrasjes së foshnjave qysh në embrion, u ngrit kundër abortit: “Ligji që lejon abortin, është kundër Paqes në Botë!”
Gjithashtu kur Irlanda do të votonte për divorcin, Nënë Tereza bëri një fushatë sensibilizuese kundër divorcit dhe ky projekt-ligj nuk u aprovua. Ajo kishte parasysh se globalizmi në ekonomi dhe politikë nuk e favorizon familjen e divorcuar. Pasi prej shpërbërjes së familjes, rriten problemet sociale, si: prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore, përdorimi i drogës dhe rritja e kriminalitetit.


Gjatë udhëtimit në Europë, në Itali u takua me të vëllanë Lazrin (Llazarin), për herë të parë pas kaq vitesh. Kishte dëshirë të takonte nënën dhe të motrën që tashmë jetonin në Tiranë. Mësoi se e ëma ishte e sëmurë që e kishte kërkuar të bijën dhe më 12 korrik 1972 mori lajmin e vdekjes së nënës. Po kështu 2 vite më vonë i vdiq e motra, por nuk u lejua kurrë. Shumë njerëz me influencë, si Indira Gandi, apeluan tek qeveria shqiptare për praninë e Nënë Terezës në varrimin e tyre, por pa sukses.
Gjatë periudhës së komunizmit Nënë Tereza u mohua si nga Maqedonia, atëhere brenda ish-Jugoslavisë, ashtu edhe nga Shqipëria, diktatori komunist. Sipas moralit komunist Nënë Tereza ishte “antikombëtare”. Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë, por një grua humane dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar rishtas në një lagje të zhurmëshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Këtu, në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës së saj qe vendosur një tabelë ku shkruante:“Mother Teresa ” IN/ OUT.

Ja si e shpreh ajo dhembjen për vendin e saj:
“12 shtatore me figura shenjtësh do të doja të kisha në Shqipëri, patjetër edhe në Kosovë 12 të tjera, vepra të mëdha të luteshin murgeshat e mia, për të larguar të keqen nga atdheu im. Dua të kthehem në Shqipëri, t’u shërbej më të varfërve të gjakut tim. Dhe në nderim të kujtimit të prindërve, dua të kthehem, pranë tyre t’i mbyll sytë. Secili nga ne është krijuar për të bërë diçka të madhe.” (shkruar më 27 gusht 1997-duket si një amanet, edhe pse s’u quajt i tillë)
NËNË TEREZA, GONXHJA që fali shumë dashuri, mirëkuptim, tolerancë dhe falje, është nëna e të gjithe shqiptarëve kudo që janë në botë, e cila u ka lënë këtë himn. Këto rreshta t’u shërbejnë atyre si moto për jetën që të dinë ta vlerësojnë dhe ta ndryshonë atë në dobi të njerëzimit.

“Jeta është bukuri, admiroje
Jeta ështe jetë, mbroje
Jeta ështe nje mister, zbuloje
Jeta ështe e çmuar, ruaje
Jeta ështe një pasuri, kurseje
Jeta ështe dashuri, gëzoje
Jeta është një ëndërr, bëje të vërtetë
Jeta ështe bekim, shijoje
Jeta është një sfidë, përballoje
Jeta ëdshtë një lojë, luaje
Jeta është një trishtim, kaloje
Jeta është një luftë, lufto
Jeta është një aventurë, ndiqe
Jeta është një himn, këndoje”

Burimi:http://kosovare.forumotion.com Vilhelme Vranari Haxhiraj/ Përshtati për ALVA:L. D.