Boksieri Erzen Rrustemi u lind më 07.10.1983 në Zhegër të komunës së Gjilanit nga baba Halili dhe nëna Ismetja.  Shkollën fillorë katër klasëshe e mbaroi në fshatin Zhegër në vitin 1994, vit kur edhe u shkëput nga vendlindja për t’u bashkuar me prindërit të cilët që nga vitet e ’70–ta gjenden në mërgim në Bern të Zvicrës. Më pas, vazhdoi shkollimin në Kirchberg ku edhe mbaroi shkollën e mesme.

Nga shkuarjen në Zvicër, krahas shkollimit filloi të merrej me artet marciale. Nga viti 2002 filloi të merret intenzivisht me boks. Prej vitit 2012 është anëtar i Ligës Profesionale të Boksit. Deri tani ka zhvilluar dymbëdhjetë luftëra, dhjetë prej tyre i ka fituar përpara kohës, me nokaut.

Në luftën e shtatë e cila u zhvillua më 29.11.2014 luftoi kundër boksierit rumun Vasile Dragomir dhe arriti njëkohësisht edhe titullin e Kampionit Evropian.

Ndërsa, më 18 mars 2017, luftoi për titullin Kampion bote në versionin WBF, kundër argjentinasit Rikardo Ramirez, “El Tigre”, të cilin gjithashtu e mposhti me nokaut dhe fitoi titullin Kampion bote, titull që për herë të parë e fiton një boksier shqiptar.  Kurorën e madhërishme “Mbret i Boksit” në botë, pak vite më parë e ka mbajtur edhe boksieri i njohur Holyfield.

Qëllimi i tij është që të përfaqësojë kombin shqiptar dhe shqiptarët, në rangjet më të larta të boksit profesionist, kudo nëpër botë dhe atë, gjithnjë si shtetas i Republikës së Kosovës, të cilën nuk e ka ndërruar përkundër ofertave shumë joshëse dhe kushteve që i janë ofruar.

TITUJ & NDERIME

Për angazhimin e tij të deritanishëm në boksin profesionist është nderuar edhe nga shoqata të ndryshme shqiptare me Mirënjohje ndërsa e veçon prej tyre, Mirënjohjen “NDERI I QYTETIT TË GJILANIT”  që i është dhënë nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit më 15 qershor 2016. 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka akorduar më dt. 13/06/2017, nr. dekreti 10451 Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij të suksesshme si boksier, si dhe rezultatet e tij të larta të arritura në këtë sport, duke ngritur lart emrin e kombit shqiptar me titullin e Kampionit të Botës.”

 

Burimi:http://www.erzenrrustemi.ch