Andronika (Donika) Kastrioti, princesha e Arbërit ka qenë …

0
62

Andronika Kastrioti – Arianiti (Donika Kastrioti) para se të ishte gruaja e Skënderbeut ishte një nga princeshat e Arbërisë së kohës, duke qenë dhe e bija e princit të njohur Gjergj Arianiti, e cila njihej me statusin e dukeshës.

Andronika (Donika) Kastrioti ka lindur në Kaninë në vitin 1428. Martesa e saj me Gjergj Kastriotin ishte një nga martesat më të rëndësishme të kohës, e cila i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm gjithë shtetit të Arbërit.

Martesa e Andronika (Donika) Komnenit (Arianitit) ka qenë një martesë politike për kohën, por ajo u kthye në një model të shkëlqyer të raportit të saj me bashkëshortin, i cili mori mbi shpinë një emision madhorë para historisë dhe atdheut, por dhe si një zonjë që reflektoi madhështinë e familjes së Arianitëve dhe të Kastriotëve. Pra ajo, qe një bashkëpërkuese komplekse e bashkëshortes dhe e kohës. Duke qenë vajza e prijësit të famshëm të luftës kundër osmanëve, Gjergj Arianitit, ndërkohë ajo ishte dhe një dukeshë e njohur, atribut që rridhte nga hierarkia familjare.

Sipas Marin Barletit, në veprën e tij “Historia e Skënderbeut” prijësi ynë nuk e kishte mendjen për martesë, por me këmbënguljen e të afërmve, Vojsavës dhe farefisit, ai vendosi, duke dërguar Gjin Muzakën, për të kërkuar dorën e vajzës së Gjergj Arianitit. Donika ishte 23 vjeçe kur u martua me Skënderbeun, ndërsa bashkëshorti i saj ishte 46 vjeçar. Martesa e tyre shënohet me datën 23 prill të vitit 1451, një dasmë që zgjati tri ditë. Dasma e Donika dhe Gjergj Kastriotit është një nga dasmat më të mëdha dhe më të shënuara të kohës. Ajo u përjetësua në kujtesën popullore, në këngë dhe në valle të shumta me një shkëlqim të pazakontë në kalanë e Kaninës, ku u bë dhe shkëmbimi i unazave, sipas kronikave të kohës. Në Qishbardhë (Kisha e Bardhë), afër Kaninës, çifti Kastrioti mori bekimin ungjillor, për të vazhduar ceremonia martesore në Manastirin e Ardenicës, ku rezultojnë dhe shënimet kishtare për këtë ditë të shënuar. Ceremonia e martesës së Donika dhe Gjergj Kastriotit u përsërit dhe në kalanë e Beratit.

Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me Marie Muzakën (gruan e parë), Gjergj Arianiti pati gjashtë vajza, Andronika ishte e para, ndërsa me gruan e dytë (Pietrina Frankonesin) pati tetë fëmijë, pesë vajza dhe tre djem.

Donika Kastrioti ishte një grua me një personalitet të pazakontë, të cilin e demonstroi me urtësi, me qartësi dhe me një raport të theksuar njerëzor, duke qenë nga njëra anë një dukeshë e njohur prej rrënjës familjare dhe një princeshë e parë nga martesa me Skënderbeun. Lidhur me njohjen racionale dhe të plotë të Donika Kastriotit nga historiografia shqiptare ka shumë mangësi, madje dhe për portretin e saj fizik. Ajo shkëlqeu si bashkëshorte dhe si nënë. Dëshmi fragmentare për Donika Kastriotin vijnë përmes veprave letrare të kohës, në të cilat ajo spikat epërsinë e një gruaje të fortë, e cila arrin të përballojë ngarkesën e madhe që ajo kishte, gjendjen e vështirë në kushte lufte që bashkëshorti i saj Skënderbeu kishte përballë njërin nga armiqtë më të egër të kohës, përballë një mjedisi, në shumë raste i pleksur me pabesira dhe tradhti, në të cilat personaliteti, maturia dhe raporti i Donika Kastriotit shkëlqen mbi të gjithë. Ajo ka qenë dhe ka mbetur një nga ekuilibrat, një nga shtyllat e forta në të cilat u mbështet dhe qe i suksesshëm princi i shqiptarëve – Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Pas vdekjes së Skënderbeut, Donika Kastrioti, bashkë me të birin Gjon Kastriotin, u largua nga atdheu, pasi kuptohet se e priste një fat i keq, me pushtimin e vendit nga otomanët. Republika e Venedikut e pati shpallur të birin e Skënderbeut,- Gjonin, “Qytetar Nderi” dhe i kishin siguruar atij një shtëpi banimi në ishullin Korcola. Donika Kastrioti ishte një grua e zgjuar dhe ekuilibruar. Ajo në këtë rast zgjodhi të jetonte në Mbretërinë e Napolit, ku familja e saj gëzonte dhe dy feude, porse dhe sepse, Mbretëria e Napolit, ndryshe Republikës së Venedikut nuk bënte kompromise të befasishme dhe të papritura me turqit. Kështu Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut dhe Donika Kastrioti, e ëma e tij, jetonin në pronat që i trashëgonin nga Skënderbeu.

Gjon Kastrioti vdiq në Itali pas vitit 1502 dhe la pas vetes pesë fëmijë. Ndërsa Donika Kastrioti, pas Napolit u largua në Spanjë, ku dhe varroset në një kishë të Valencias në vitin 1506. Burimet historiografike tregojnë se Donika Kastrioti në Itali e kudo shkoi, jetoi me një krenari të veçantë, me mençuri, jo vetëm gjatë kohës që ishte në Shqipëri, por dhe pas largimit të saj nga atdheu në vitin 1468. Në Spanjë, Andronika Kastrioti mendohet se ka ikur në vitin 1501, duke qenë në moshën 73 vjeçare. Pa mundur të rikthehet në Napoli, ajo mund të ketë vdekur mes viteve 1505-1506, varroset në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencie të Spanjës, sipas testamentit të Giovanna-s III. Një prej burimeve të hershme dokumentare, vepra e G. A. Summonte “Del Istoria della citta e Regno di Napoli IV” botuar në Napoli 1675, shënon se: “Gruaja e Skënderbeut është varrosur në Kishën e Shën Trinisë së shenjtë në Valencia, në vitin 1506”.

Burimi: Bardhosh Gaçe www.telegrafi.com

Artikulli paraprakQoftë 2025 viti më i mirë i jetës & familjeve tuaja… !