Pozita gjeografike e trevave shqiptare, shumëllojshmëria e peizazheve gjeografike pasuria bimore, relievi i copëtuar dhe pasuria ujërave të brendshme dhe bregdetare kanë krijuar kushte për zhvillimin e një bote shtazore të pasur dhe të larmishme, tokësore dhe ujore.

Bota shtazore tokësore përbëhet nga gjitarë të llojeve të ndryshme, si: urithi, që gjendet në zonat kodrinore dhe fushat bregdetare lakuriqi i natës, që jeton në koloni të mëdha në shpella dhe zgavra; ujku, dhelpra, çakalli, shqarthi, në brezin e dushkut dhe të ahut zardafi dhe kunadhja, në zonat pyjore të larta; ariu i murmë, në pyjet e dendura të dushkut, ahut dhe pishës; macja e egër, në pyjet e larta etj. Mjaft të përhapur janë gjitarët barngrënës,si derri i egër ne brezin e dushkut dhe të ahut; lepuri i egër, në zonat fushore dhe kodrinore me shkurre. Më rrallë gjendet kaprolli në brezin e shkurreve, në dushkajat dhe ahishtet, si dhe dhia e egër në brezin e kullotave alpine të disa maleve të larta.

Të shumëllojshëm janë shpendët shtegtarë dhe të përhershëm. Ndërmjet tyre ka edhe shpendë të rrallë me vlera të veçanta, si: pelikani kaçurrel, në lagunën e Divjakës, kurse në lartësitë e maleve gjendet shqiponja.

Në ujërat bregdetare gjenden lloje të ndryshme peshqish, si: sardelja, qefulli, levreku, kota dhe merluci, kurse në ujërat e brendshme, trofta, korani dhe belushka në (liqenin e Ohrit), që dallohen për mishin e shijshëm, dhe shumë peshq të tjerë, si: krapi, skobuzi, klenji ngjala etj. Gjenden edhe disa gjitarë, Si: delfini (në ujërat detare) dhe vidra.

Burimi:wikipedia

Artikulli paraprakFUSHAT
Artikulli tjetërHIDROGRAFIA