Është i njohur fakti që historia e Skënderbeut ka qenë frymëzuese për shkrimtarin më të madh të epokës sonë, Kadarenë. Një figurë që e ka çuar shkrimtarin tonë të madh në një piedestal. Ja çfarë ka thënë ai mbi Skënderbeun…”
“Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madhi i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo Perëndimi. Nuk janë të rastit lëvdatat ndaj tij, ai qe themeluesi i idesë shqiptare me tërë ndërlikimin e saj. Prandaj ka marrë kaq famë në Evropë ai, nuk e mori për sytë e bukur. Ka më shumë famë se Shqipëria vetë. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit, që i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës deri në fund, sa vdiq. Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjoi rilindja shqiptare. Ky është një rrugëtim shumë i gjatë. Thuhet, po pse qëndruam ne 500 vjet me turqit? Pesëqind vjet e patën të gjithë ballakanasit Turqinë në qafë, jo vetëm ne shqiptarët, e pati gjithë Ballkani. Nuk është teori, kjo është e vërtetë!
Skënderbeu, siç ndodh me personazhet e mëdha mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar. Sot, pas 600 vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Evropë. Ai është programuesi i parë i këtij projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin, siç i ndodhi gjatë komunizmit. Duke e pranuar Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Evropa ka pranuar në të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë se Shqipëria fizike. Nuk ishte as pjellë e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar.
U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Evropës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit, hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të tmerrshmes. Arbëreshët e cilësojnë si “të pafat”, ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë dhe kështjellat e tij me evropianët, sidomos me afrimin e fundit të jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide, për ta bërë të pavdekshëm. (I.Kadare, Prishtinë, 06.2014, për “Zërin e Kosovës”)
Burimi:Gjergj Kastriot Skenderbeu / Përshtati për ALVA: M. P.