Është shpallur Monument Kulture në vitin 1963 me vendim të Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, nr.6, dt.15.01.1963. “Mbi shpalljen e monumenteve të kulturës”. Ndodhet pranë qytetit të Peshkopisë mbi një terren të rrafshët dhe zë një sipërfaqe prej 34 ha. Muret kanë gjatësi 2760 m dhe përforcohen nga 44 kulla në formë patkoi të vendosura në largësi 40-80 m larg njëri-tjetrit. Qyteti ka pasur tre hyrje të mbrojtura nga dy kulla anësore secila. Lartësia e ruajtjes së mureve 1.5 m, gjerësia 2.8-3.2 m. Muret janë ndërtuar me gurë lumi dhe llaç gëlqeror. Hyrja jugore me përmasa 14×9 m përfaqëson një model të hyrjes me dy porta.

Grazhdani është një kështjellë që ndodhet 11 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, në mes të dy përrenjve, Grazhdanit në veriperëndim të qytetit me të njëjtit emër, si dhe Maqellarës në jugperëndim, që derdhen në lumin Drini i Zi, ndërtuar në një terren kodrinor, 525-600 metër mbi nivelin e detit. Ka një pozitë gjeo-strategjike mjaft të rëndësishme në pellgun e Drinit të Zi, veçanërisht për rrugët tregtare-ushtarake që lidhin provincat e Epirit të Ri (Adriatik), Dardanisë (Kosovë) dhe Maqedonisë së II-të, që realizoheshin nga Via Egnatia dhe Lissus-Naissus. Për vlerat historike dhe arkeologjike, kështjella e Grazhdanit është shpallur monument kulture që në vitin 1974. Përreth kështjellës ndodhen disa monumente të tjera të kësaj periudhe si kalaja e Gradecit, Videni, Gradishta e Peshkopisë, qyteza e Topojanit etj. Kjo qendër bën pjesë në zonën e Maqellares, e cila lidh Maqedoninë me Dibrën dhe Kosovën. Muret rrethuese janë rreth 3.5 m të gjëra, kanë perimetër afro 3000 m, janë të përforcuara nga 42 kulla të tipave katrore, drejtkëndore dhe freskore, si dhe kanë tre porta të tipit “propognaculum”, fortifikuar nga kulla masive në formë “U”-je, karakteristikë për një shtrirje kohore që nuk e kalon shek IV mbas Krishtit. 

Kalaja e Grazhdanit është fortifikim i tipit të castrumit romak. Në pikëpamje kronologjike ajo i referohet fazës së parë të veprimtarisë perandorake në provincat ballkanike, e lidhur me fundin e shek. lll dhe fillimin e shek.lV pas Kr. 
Castrumi i  Grazhdanit për përmasat shumë të medha të tij, mund të konsiderohet si një “grand castrum” me funksione kryesisht ushtarake. Literaturat e ndryshme tregojnë se Kalaja e Grazhdanit përmendet për herë të parë nga një gjeolog francez A. Boue. Ai theksonte se Grazhdani zinte vend qendror në sistemin rrugor ndërkrahinor, sepse shërbente si urë lidhëse me Styberen, Ohrin, Shkodrën e Prizrenin.

Informacion mbi fortifikimin e hyrjeve të kalasë së Grazhdanit
Kalaja ka patur tri hyrje, dy në një aks very-jug dhe një në faqen lindore të saj. Vendosja e dy hyrjeve kryesore të kalasë në të njëjtin aks, sipas stilit të ashtuquajtur via principalis, përbën një tipar dallues të fortifikimeve romake të tipit të castrumit. Secila nga hyrjet mbrohej nga dy kulla në formë U-je të vendosura në të dy anët e hyrjes. Kjo mënyrë e mbrojtjes së hyrjeve është karakteristike për castrumet e gjysmës së parë të shek.IV pas Kr., ashtu siç dëshmohet edhe në hyrjet lindore e perëndimore të Skampinit dhe të Vigut. 

Hyrja jugore e kalasë së Grazhdanit përfaqëson një model klasik të hyrjeve me dy porta. Midis tyre krijohet një oborr i brendshëm katërkëndësh i fortifikuar i tipit propognaculum, që ka shërbyer si qendra e fundit e asgjësimit të sulmuesve.

Hyrja lindore e kalasë, me sipërfaqe rreth 1000 m2 gjendet ngjitur me rrugën e sotme nacionale, te vendi i quajtur kasha. Kjo hyrje me gjerësi 28 m mbrohet nga dy kulla në formë U-je, me gjatësi 21.5 dhe 23 m, midis të cilave krijohet oborri i fortifikuar i dyfishtë, i jashtëm dhe i brendshëm, i tipit propognaculum.

Fakte të tjera rreth Grazhdanit
Materiali arkeologjik dhe sistemi i fortifikimit tregon që Periudha e Vonë Antike është periudha e jetës më intensive të qytetit të Grazhdanit. Fragmentet e shumta të enëve të gjetura në sipërfaqen e tij, përgjatë murit rrethues si dhe në kullat dhe hyrjet e gërmuara. Qeramika e ndërtimit përfaqësohet nga një numër i madh tullash (44 x 28 x 4.5 cm) me sipërfaqe të dekoruar me kanelyra në trajtë kryqi, tufa vijash valore dhe tjegullash me buzë gjithashtu të zbukuruara me vija të thelluara paralele. Në pjesën qendrore të hapësirës së brendshme të castrumit të Grazhdanit ruhen gjurmë të godinave shoqërore apo ushtarake të periudhës së vonë antike, si të godinave civile të banimit, kapanoneve ushtarëve, terma publike, të çezmave, posit.
Në këtë periudhë Grazhdani ishtë qendra e një sistemi të plotë fortifikimesh, që e rrethojnë luginën e Drinit të Zi në trajtë kurore. Në të dy anë të luginës numërohen 14 fortifikime të kësaj periudhe,që siguronin mbrojtjen e këtij rajoni dhe rrugës së rëndësishme që e përshkonte atë.

Burimi:Forumivirtual – Foto: Wikimapia / Përgatiti për ALVA – Vilma Dibra

Artikulli paraprakKalaja e Ali Pashë Tepelenës në Butrint
Artikulli tjetërKalaja e Kaninës