Pikërisht sot, përkujtojmë datën e lindjes së perandorit Konstandin, i cili lindi më 27 shkurt të vitit 273 në qytetin Naissus (Nishi i sotëm). Para se të kalojmë tek pjesa e një historiku të shkurtër për perandorin Konstandin, le të kujtojmë se popujt gjithmonë kërkojnë rrënjët, sepse janë ato që i japin jetë lisit, e një nga rrënjët e popullit tonë është edhe Konstandini i Dardanisë. Por natyrisht, duhet ta kuptojmë faktin që ai nuk mund të përzihet me nacionalizmin dhe periudhën kombëtare shqiptare. Por duke e ditur që ai ishte një ilir i fisit të dardanëve, mendoj që kjo figurë aq e shquar duhet të përkujtohet dhe të gëzojë kujdes e respekt të madh nga shqiptarët, pasardhësit e Ilirëve.   

Një historik i shkurtër mbi jetën dhe veprat e Konstandinit të Madh

Konstandini u lind më 27 shkurt[3], mes viteve 272-280 në qytetin Naissus[4] (Nish) të Dardanisë. Viti 273 konsiderohet si viti më i besueshëm i lindjes së tij, të cilin e jep autori francez Robert Turcan[5] dhe gjermani Dietmar Kienast.[6] Sipas autorit amerikan Noel Lenski, babai i Konstandinit ishte Falvius Konstandinus, një Ilir i lindur në Dardani i cili shërbente në gardën perandorake të perandorit Mark Aurel. Gjatë viteve 305-306 ai do arrinte të bëhej bashkë-perandor, dhe kësisoj t’ia përgadiste terrenin për fron birit të tij. Nëna e Konstandinit quhej Helena, e cila mendohet se kishte ndikim të madh tek biri i saj.[7]  

Konstandini përfitoi nga pushteti i babait të tij për t’u ngritur më vonë si një nga perandorët më të famshëm të Perandorisë Romake. Por fillimisht ai mori bazat e edukimit, duke mësuar gjuhët e kohës dhe filozofinë. Natyrisht, duke qenë i vetëdijshëm se për të arritur qëllimet e tij duhet të ishte po ashtu një ushtarak i zoti, ai mësoi dhe u trajnua shumë edhe në këtë aspekt.[8]

Në kohën e ngritjes intelektuale dhe ushtarake të Konstandinit, P. Romake e sundonin dy perandorë me origjinë nga Iliria: Diokliciani (245-312, i lindur në Dalmaci)[9] dhe Maksimiani (250-310, i lindur në Panoni)[10]. Më 1 mars 293, perandori Maksimian e caktoi Konstandinin si Cezar të tij dhe i dha pushtet për të kontrolluar shumë provinca.[11] Kjo ngjarje ishte një sinjal i qartë që Konstandini kishte nisur rrugëtimin e tij për t’u bërë perandor. Këtë synim, ai do ta arrinte më 25 korrik të vitit 306,[12] kur edhe u shpall perandor. Por, lufta e tij nuk kishte mbaruar sepse ai nuk ishte perandori i vetëm dhe në të njejtën kohë kishte shumë pretendentë të tjerë që luftonin për të marrë drejtimin e perandorisë.

Foto: Qyteti i Konstandinopojës

Pas disa fushatave kundër fiseve gjermanike, gjatë vitit 312 Konstandini u kujdes që të eliminonte rivalët politik që ia rrezikonin pushtetin.[13] Kundërshtari i tij kryesor mbetej Licini, i cili kontrollonte Gadishullin Ilirik dhe disa regjione të tjera.[14] Vetëm një vit më vonë, me Ediktin e Milanos të vitit 313[15], Konstandini do bënte veprimin që ndryshoi rrjedhat e historisë botërore. Ky edikt i dha lirinë e veprimtarisë krishtërimit që përndjekej deri në atë kohë.

Viti 314 e gjeti Perandorinë Romake ende nën udhëheqjen e Konstandinit dhe Licinit, ky i pari kishte vlerësuar që kishte ardhur koha që të ishte i pari, por edhe i vetmi. Vitet 316-324 u karakterizuan me një rivalitet dhe luftë mes dy perandorëve. Në vitin 316, ai i shkaktoi disfatën e parë Licinit në Panoni, pastaj një tjetër në Thraki. Gjatë viteve 317-324, kohë kur ishte në armëpushim me Licinin, ndërmori fushata të shumta ushtarake në kufinjtë kundër barbarëve, duke ju shkaktuar disfata të shumta.[16] Më 18 shtator 324, në betejën e Chrysopolisit, Konstandini ia dha goditjen përfundimtare Licinit dhe u bë perandori i vetëm i Perandorisë më të madhe në botë.[17] Atëherë, qetësisht dhe i pa penguar nga askush tjetër, filloi të merrej me organizimin dhe forcimin e Perandorisë, duke ndërmarrë refoma të shumta administrative, monetare etj.

Për të definuar organizimin, funksionimin dhe dogmat e krishtërimit, në vitin 325 ai thirri Koncilin e Nikesë, ku luajti një rol të rëndësishëm në vendimet që u morën aty.[18] Por, vetëm disa vite më vonë, ai do bënte veprimin e tij të dytë që përbënte një ngjarje të rëndësishme botërore. Më 11 maj të vitit 330 ai themeloi qytetin e Konstadinopojës (Stambolli i sotëm), që u bë qendra kryesore e Perandorisë Romake.[19] Me këtë veprim, ai edhe njëherë e konfirmoi se ishte një lider dhe strateg i madh. Pozita gjeo-strategjike e qytetit ishte jashtëzakonisht e favorshme, e cila lejonte një kontroll më të lehtë të lindjes dhe perëndimit.

Vitet e fundit të jetës, perandori i kaloi duke e konsoliduar pushtetin dhe organizimin e brendshëm të Perandorisë. Po ashtu, u kujdes shumë që t’i mbronte territoret nga dyndjet barbare. Më 25 korrik të vitit 336 ai festoi 30 vjetorin e shpalljes perandor[20] dhe një vit më pas, u përgadit për një fushatë të re kundër Persëve, të cilën nuk mundi t’a realizonte sepse u sëmurë në muajin prill, ndërsa vdiç me datë 22 maj të vitit 337.[21] Pas vdekjes së Konstandinit të Madh, drejtimin e perandorisë e morën djemtë e tij: Konstandini II (337-340), Konstansi I (337-350) dhe Konstandiusi II (337-361).[22]

Foto: Monumenti i Konstandinit të Madh në York të Anglisë

[1] https://inserbia.info/today/2013/07/movie-about-constantine-the-great-to-be-filmed-in-serbia/

[2] John V.A. FINE, When ethnicity did not matter in the Balkans. The University of Michigan Press, 2006. P.421

[3] Corpus Inscriptionum Latinarum, I.2, 302.

[4] Jules Maurice, Constantin le Grand. Edition Spes, Paris, 1924. 10

[5] Robert TURCAN, Constantin en son temps, Le Bapteme ou la pourpre ?. Edition Faton, Dijon, 2006. 96.

[6] Dietmar KIENAST, Römische Kaisertabelle – Grundzüge einer römischen Kaiserchronologie. Buchgesellschaft Darmstadt, 1996. 298.

[7] Noel LENSKI, The Cambridge companion to the age of Constantine. Cambridge University Press, 2006. 59

[8] Lenski, The Cambridge.., 60.

[9] Kienast, Römische Kaisertabelle.., 266.

[10] Kienast, Römische Kaisertabelle.., 272

[11] Bertrand LANÇON et Tiphaine MOREAU, Constantin. Armand Colin, Paris, 2012. 31

[12] Kienast, Römische Kaisertabelle.., 298

[13] Stephane BENOIST, Crises and the Roman Empire vol. VII. Leiden & Boston, 2007. 272-273

[14] François ZOSSO et Christian ZINGG, Les Empereurs Romains. Editions Errance, Paris, 1995. 138-139.

[15] Jacob BURCKHARDT, The Age of Constantine the Great. Vintage Books, New York, 1967. 296

[16] Zosso et Zingg, Les Empereurs Romains.., 140.

[17] Turcan, Constantin en son temps.., 204.

[18] Lucien JERPHAGNON, Histoire de la Rome Antique. Tallandier, France, 2002. 496-497

[19] Yves ROMAN, Empereurs et sénateurs. Fayard, France, 2001.  472

[20] Turcan, Constantin en son temps.., 302.

[21] Zosso et Zingg, Les Empereurs Romains.., 143.

[22] Kienast, Römische Kaisertabelle.., 310-314.

Burimi:http://albapoli.com/