Ne shqiptarët, ndoshta më tepër se të tjerët, kemi nevojë të promovojmë vlerat tona më të mira, sidomos në kushtet aktuale, ku duhet thënë se imazhi ynë kombëtar, për arsye të ndryshme, disi ka rënë. Kemi menduar dhe, madje jemi duke e provuar, se një nga rrugët që duhet ndjekur për të përmirësuar në njëfarë masë imazhin e cënuar është angazhimi për ngritjen e përmendoreve për njerëzit tanë të mëdhenj, atdhetarë, dijetarë, klerikë të shquar etj. Gjatë punës 15-vjeçare në drejtimin e shoqatës ndërkombëtare për solidaritet dhe zhvillim të vendeve të lindjes, “Solidest”, me seli në Gjenevë, Prof. Dr. Astrit Leka i është dashur të mësojë shumë dhe të veprojë në shumë vende të botës, ku ka dërguar zërin e kombit të tij dhe ka ndihmuar për ngritjen e dinjitetit të bashkëkombësve të tij pranë autoriteteve shtetërore.

Bota ndër shekuj ka nxjerrë figura të mëdha, që në tërësinë e tyre lavdinë e kanë fituar si pushtues. Duke qenë të tillë, Aleksandri, Cezari e deri tek Kostandini merituan të vendosen në piedestal, kryesisht në vendet nga dolën. Skënderbeu ynë e meritoi Madhështinë e tij për faktin se shkëlqeu duke luftuar kundër një perandorie të madhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ndalimi i një pushtuesi potencial, si ai osman në portat e Adriatikut, e bën Skënderbeun simbol të luftërave për mbrojtjen e lirisë kombëtare, atribut që nuk e ka pasur asnjë nga paraardhësit e tij nëpër botë. Aktet heroike të luftëtarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Skënderbeu, rrezatuan në gjithë kujtesën popullore të kombeve të ndryshme, të cilët, të ndodhur në situatë pushtimi morën si model strategun Skënderbe.

Në fillim është vendosur busti i Skënderbeut në Gjenevë
Pas përgatitjes së një projekti për ngritjen e bustit të Skënderbeut në Gjenevë, bust bronzi që profesor Astrtiti e kishte paguar në vitin 1991 në Tiranë, ai mori iniciativën, duke iu drejtuar për këtë fillimisht autoriteteve zvicerane, deri sa më në fund ia arriti qëllimit, duke siguruar miratimin e këtij projekti pas gjashtë vitesh. Kështu, busti i Skënderbeut u përurua në Gjenevë më 1 nëntor 1997. Më tej vijoi me projektet për ta ngritur atë edhe në metropole të tjera, ku sytë e shqiptarëve e kërkojnë e krenohen me bustin e Skënderbeut.

Paria gjeneveze, e ndodhur para sulmit të Dukës së Savojës, francezit Charlie Emanuel i Parë, më 12 dhjetor 1602 u mblodh dhe vendosi të mbrohet ashtu si luftoi populli shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut. “Skënderbeu në krye të një vendi të vogël përballoi një ushtri të madhe perandorake, – folën prijësit e Gjenevës. – Ai na jep forcë që ne të përballojmë duke luftuar”. Skënderbeu u bë frymëzues për luftën mbrojtëse të gjenevezeve dhe qyteti u mbrojt. Këtë të vërtetë historike e nxori nga arkivi veterani dhe patrioti model Astrit Leka, ose siç është quajtur nga gazeta e Gjenevës “GHI” “Vënësi i busteve të heronjve nëpër botë”.

Astrit Leka, i vlerësuar si Nderi, jo vetëm i Gjenevës por i gjithë Zvicrës, e meriton të quhet “Njeriu i Shekullit të Pavarësisë”. Para pesëmbëdhjetë vjetësh, kur imazhi i popullit tonë kishte rënë poshtë, për shkak të trazirave të vitit 1997, Astrit Leka, ky luftëtar shembullor, loboi pranë organeve më të larta shtetërore zvicerane për vendosjen e bustit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjenevë.

Gjeneva, zemra e botës, ku janë vendosur selitë më të larta të organizatave ndërkombëtare, ka vetëm një vepër arti kushtuar strategëve të vendeve të tjera. Dhe ky është busti i Skënderbeut tonë legjendar.

Ky bust, një mrekulli e duarve të arta të Odise Paskalit të pavdekshëm, është vendosur në pragun e madh që quhet  William Poppard, buzë liqenit Leman. Me shikim nga liqeni, kjo vepër arti skalit madhështinë e historisë tonë kombëtare dhe vlera të mëdha arti. Skënderbeu ynë vizitohet dhe përshëndetet jo vetëm nga bashkëkombasit e tij, por nga qytetarë të mbarë botës. Mbrapa bustit, rreth 30 metër është një godinë tradicionale e Gjenevës ku është vendosur selia e Organizatës Ndërkombëtare të Tregëtisë e më sipër ajo e Shkencës… Në këtë park të madh që qarkon liqenin, busti i Skënderbeut rrezaton nga larg e flet për një komb sa të vjetër aq heroik. Monumenti i Skënderbeut i vendosur në Romë e Gjenevë së shpejti do të vendoset në Budapest e po kështu do të vendoset me siguri në shumë vende të tjera të botës.

Për këtë po punon biri i këtij populli, Astrit Leka, në moshë madhore, por i madh dhe në shpirt. Duke iu referuar gazetës së Gjenevës  “GHI” citojmë: “Astrit Leka po punon me shqiptarët e komuniteteve të Nju Jorkut, Londrës, Parisit, Strasburgut, Bratislavës, Barcelonës, Johanesburgut e Tanamarivesë, që në këto vende të ngrihen monumente të Skënderbeut, si dhe Nënë Terezës”. Ky tribun shqiptar është dhe themeluesi për zhvillimin e vendeve të lindjes, ka merituar dhe vlerësime të mëdha, jo vetëm nga personalitetet e mendimtarëve vendorë, por dhe nga shteti zviceran.

Për trimëritë e të madhit Skënderbe, të bazuara në dokumente arkivale, kam shkruar e do të shkruaj, por 15-vjetori i vendosjes së bustit të heroit tonë kombëtar, më nxiti për të thënë të vërtetën e madhe se Skënderbeu është një legjendë, fakt që me siguri do të përjetësohet në tërë botën. Me Skënderbeun, Nënë Terezën, e të tjerë pasues të denjë, imazhi i kombit tonë do të lartësohet nëpër botë.

Përmendorja e Skënderbeut në Londër
Starti i përpjekjeve për ta vendosur Skënderbeun në Londër filloi pikërisht nga një njohje e hershme me ish-bashkëpunëtorët e mi britanikë, që operuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bashkëpunimin e dikurshëm me ta në vitet e luftës partizane u mundova ta vija në shërbim të këtij misioni të ri. Ishte njohja që zë fill qysh para 60 vjetësh, pikërisht aty nga fundi i verës së vitit 1943, ku Enver Hoxha, atëherë komisar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ish-profesori im në Liceun Francez të Korçës më ngarkoi të zëvendësoja Koço Tashkon pranë misionit anglez të parashutuar në vendin tonë, që drejtohej nga majori Neel, si edhe me një mision tjetër që shoqërova për te Baba Faja Martaneshi dhe Haxhi Lleshi në Dibër. Ditët e mira të miqësisë me mysafirët britanikë të asaj periudhe të zjarrtë u përpoqa për t’i riaktivizuar me aq sa të mundesha dhe për të thënë të vërtetën, më shërbyen jo pak në përpjekjen për të sensibilizuar opinionet zyrtare e kulturore në Britani, për projektin e një busti të Heroit tonë Kombëtar aty. Një motiv tjetër për t’u mbështetur në këtë nismë të rëndësishme ishte qëndrimi shumë i mirë i kryeministrit, Toni Bler, për mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës. Vendosa t’i shkruaj një letër personale dhe shfrytëzova të gjitha njohjet për të garantuar mbërritjen e saj në dorë të kreut të Anglisë, aq i dashur për shqiptarët kudo që janë. Njohja dhe bashkëpunimi ushtarak i dikurshëm me misionarët britanikë dhe mbrojtja që u bëmë sidomos atyre në malet e Shqipërisë në kohën e luftës së përbashkët, më dha dorë në këtë komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin britanik. Letrën e kisha përgatitur në kohën kur pati një lëkundje të madhe nga disa shtete evropiane, lidhur me vazhdimin e luftës së NATO-s në Kosovë, deri në mundjen e Jugosllavisë. Në atë kohë, kaq me rëndësi për fatin e Kosovës, kryeministri Toni Bler, i mbështetur nga mbretëresha Elisabet, dha mendimin që krahas bombardimeve të fillonte edhe lufta në terren. Ky vendim i tyre më preku, prandaj e ndjeva të nevojshme t’i çoja edhe një mesazh falënderimi dhe mbështetje kryeministrit britanik, në cilësinë time si veteran i thjeshtë i Luftës II Botërore, një vullnetar për çlirimin e Evropës nga bisha nazifashiste. Sigurisht, në kurajën për të bërë këtë letër krejt personale më motivonte fakti se kështu vazhdoja luftën për të drejtat e njeriut në botë, me gjithë moshën time të thyer. U prezantova me emrin tim të vërtetë dhe si veteran i Luftës së Dytë Botërore e falënderova atë dhe mbretëreshën, që kur Evropa po lëkundej dhe kishte mendime të ndërpritej lufta e Kosovës, ata mbajtën qëndrimin fisnik, duke e çuar atë deri në fund. Me atë rast i kërkova mbështetjen e projektit tonë për ngritjen e përmendores së Skënderbeut në Londër.šLetra e 10 qershorit 1999 i ra në dorë kryeministrit, Toni Bler, sipas premtimit që më kishin dhënë. Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe më njoftoi pranimin e dhuratës sime, bustin në bronz të Skënderbeut nga ana e kryeministrit britanik, dhe falënderimin që më bënte personalisht me këtë rast. Më njoftuan ndërkaq për formalitetet që duheshin bërë pranë Bashkisë së Londrës për caktimin e vendit të ngritjes së bustit të Skënderbeut etj. Deri më sot janë bërë disa takime në Londër në rang ambasadorësh, duke filluar nga ish-oficeri britanik, Reginald Hibert, i misioneve angleze të parashutuara në Shqipëri, të cilin e kisha pasur edhe mik në shtëpinë time në Gjenevë, me ambasadorë të tjerë, si edhe me shqiptarë nga bashkësia e tyre e Londrës, ku krijuam degën e shoqatës sonë “Solidest”. Shkëmbyem disa letra me Ministrinë e Jashtme britanike si edhe me ambasadën tonë në Londër, e cila ngulte këmbë pa të drejtë, që unë të kërkoja ngritjen e statujës me kalë të Skënderbeut në Londër, kërkesë kjo që nuk më është dukur kurrë e drejtë, sepse në çdo kërkesë duhej ruajtur masa. Skënderbeu, ky simbol bashkimi na përkiste të gjithëve.
Më vonë edhe vetë presidenti Moisiu e vazhdoi interesimin që tregoi dikur si drejtues i kryesisë së Organizatës së Bashkuar të Veteranëve. Kësisoj, kur shkoi në Londër si president, u azhurnua për ecurinë e projektit të ngritjes së bustit të Skënderbeut në kryeqytetin britanik. Unë mendoj se rruga për ngritjen e një përmendoreje të Skënderbeut është e çelur tashmë prej disa vitesh. Mjafton të ndiqet çështja pranë organeve bashkiake që ai, nga një ëndërr e paarritshme, të bëhet realitet. Realizimi i projektit të Skënderbeut në Londër po merr kohën e vet, veçse shqiptarët, si ata që jetojnë e punojnë në Londër e të tjerë, e sidomos miqtë tanë britanikë, duhet të jenë më të këmbëngulshëm për ta bërë projektin e nisur, mundësisht sa kohë që të jetë në krye të qeverisë britanike kryeministri Toni Bler, mbështetjen e të cilit e kemi siguruar zyrtarisht. Unë mendoj se vetëm bashkimi i shqiptarëve me miqtë britanikë, prej të cilëve është rasti të falënderojmë kujtimin e ambasadorit, Reginal Hibert, dhe kryetarit të Shoqatës së Juristëve Britaniko-Shqiptar, mund të bëjë të mundur vendosjen e Skënderbeut në një park të Londrës.

Projekti i statujës së Skënderbeut në Paris
Projekti i statujës së Skënderbeut në Paris, i ndërmarrë nga “Solidest”-i që në vitin 1996, ka parasysh variantin e heroit tonë kombëtar mbi kalë. Kemi marrë kontaktet e para me deputetë të Asamblesë Kombëtare Franceze, prej të cilëve dallojmë zotin Renaud Muselier, Sekretar Shteti i Punëve të Jashtme të Francës, i cili ka qenë gjithë kohën i lidhur me botën shqiptare dhe na ka mbështetur në nismën tonë, duke kontribuar konkretisht për realizimin e tij. Fillimisht projektin e kemi adresuar për ta miratuar tek kryetari i Bashkisë së Parisit, ndërkohë që jemi mbështetur energjikisht nga zoti Skënder Zogu, i cili e ka pasur dhe vazhdon ta ketë për zemër këtë projekt. Zoti Muselier, në një nga letrat e fundit që më ka dërguar, më shkruan për takimin që ka pasur me presidentin Shirak, të cilit i ka folur konkretisht për këtë dhe ka kërkuar ndihmën e tij rreth realizimit të këtij projekti. Sot, në vitin 2006, mund të themi se realizimi i këtij projekti të madh ka përparuar shumë dhe duket se po i afrohet fundit. Në këtë aspekt kemi kërkuar edhe angazhimin e qeverisë shqiptare, nëpërmjet vendosjes së një komunikimi me kreun e ekzekutivit shqiptar, Berisha, dhe ministrave përkatës, për të shpejtuar konkretizimin e projektit, duke ndihmuar financiarisht për derdhjen në Tiranë të statujës së Skënderbeut, duke plotësuar të gjitha kërkesat e komisionit përkatës të bashkisë dhe nga ana e cilësisë t’i përgjigjet standardit të Parisit, qytetit të dritës dhe bukurive të rralla. Kështu, projekti ynë, përveç karakterit të tij ndërkombëtar që pati në nisjen e tij në vitin 1996, pas 10 vjetësh mund të marrë edhe karakter shtetëror. Ne si “Solidest” e falënderojmë paraprakisht qeverinë e sotme të Shqipërisë, e cila me dhurimin eventual të statujës me kalë të Skënderbeut do të përshpejtonte shumë ngritjen e monumentit dhe do të shkurtonte fazën e mbledhjes së fondeve për realizimin e veprës artistike. Pak a shumë kështu ndodh edhe me përpjekjet për ngritjen e bustit të Skënderbeut në Strasburg, kryeqyteti i Evropës, që nga viti 1995, para pranimit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian, ku autoritetet zyrtare presim të na japin OK përfundimtar.

Busti i Skënderbeut në Spanjë
Për këtë vitet e fundit kemi marrë kontakte direkte me personalitete spanjolle dhe katalane me komunitetin shqiptar në Barcelonë, Madrid etj., dhe aktualisht jemi duke iniciuar bashkarisht ngritjen e kësaj vepre, diku, në një qytet të rëndësishëm të Spanjës, të bazuar në lidhjet historike të spanjollëve, e sidomos katalanëve me shqiptarët. Këtu kemi kujtuar edhe se, në historinë e Katalonjës përmendet Skënderbeu i lidhur me mbretin Alfons në vitin 1453. Në Barcelonë kemi ngritur degën e shoqatës “Solidest”, e cila ndjek çështjen e realizimit të projektit në Barcelonë e në pamundësi të tij, atë të statujës së Nënë Terezës aty.

Statuja e Skënderbeut në Melburn të Australisë
Prej vitesh jemi në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësues të bashkësisë shqiptare në qytete të ndryshme të Australisë dhe kemi gjetur bashkëpunimin e tyre në realizimin e ngritjes së bustit të Skënderbeut në Melburn. Na kanë ndihmuar sidomos për këtë zoti Cezar Jakupi, kryetari i një shoqate të rëndësishme të Australisë dhe zoti Rauf Soulio, konsull nderi i Shqipërisë në Australi. Projekti ka gjetur mbështetjen e delegacionit të veteranëve të luftës të Australisë, që mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Botërore të Veteranëve, që u bë në Johannesburg në vitin 2003.

Busti i Skënderbeut në Buenos Aires
Kemi kërkuar që edhe në Buenos Aires të ketë një shesh me emrin e Skënderbeut dhe na është premtuar nga pala vendase, që me reciprocitet emërimin e një prej rrugëve të Tiranës “San Martin”, hero i pavarësisë argjentinase, kjo çështje është e mbyllur. Tirana ka emëruar tashmë një nga sheshet e veta në afërsi të Kopshtit Botanik me emrin e heroit të pavarësisë së Argjentinës, “San Martin”, tani “topi” mbetet në palën tjetër.

Statuja e Skënderbeut me kalë në Nju Jork
Kemi filluar përpjekjet qysh në vitin 2002 për realizimin e projektit të mësipërm në Bronks të Nju Jorkut, ku ka shumë shqiptarë, për të cilin tashmë kemi krijuar atje edhe një komision popullor që ka për mision menaxhimin e realizimit të këtij projekti. çështja ka mbetur e hapur, por jemi optimistë, aq më tepër sot, kur kongresi amerikan e ka thënë fjalën e vet të mirë për Skënderbeun.

Statuja e Skënderbeut në Kanada
Pas kontakteve me shqiptarë të Kanadasë, në Montreal, Otava, Uindsor, kemi dalë në përfundimin se shqiptarët e Kanadasë e kanë mundësinë ta ngrenë statujën e Skënderbeut në Toronto, madje të shoqëruar me kolokiume shkencore serioze. Në kontaktet që kam pasur me ambasadën kanadeze në Zvicër, pasi u tregova se Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve është vlerësuar nga heroi i Kanadasë, Xhejms Uolf, si një nga gjeneralët më të zotë në komandimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse, ata pranuan që Kanadaja do ta vendoste bustin e Skënderbeun, nëse do të vinte një propozim nga bashkësia shqiptare në Kanada. Në këtë mënyrë pra, sfida ka mbetur te bashkësia.

Skënderbeu në Madagaskar
Në dy takime që kam pasur me Presidentin e Madagaskarit, ai e kuptoi drejt qëllimin e shoqatës sonë për t’i bërë të njohur popullit malgash figura të ndritura të botës shqiptare, si një shkëmbim kulturor midis popujve, edhe pse të largët gjeografikisht.

Skënderbeu në Berlin
“Solidest”-i, më 7 prill 1998, nga Gjeneva i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Bashkisë së Berlinit me një projekt të rregullt e të argumentuar shkencërisht, për të nderuar dhe figurën e Skënderbeut dhe sinjalet e deri tanishme janë shumë pozitive.

Busti i Skënderbeut në Pragë

Vazhdon puna për të përforcuar lidhjet tona me autoritetet çeke për ngritjen e bustit të Skënderbeut në pyllin e parkut “Petshin” të Pragës. Këtë radhë shpresojmë që në mbledhjen e veteranëve të luftës të Evropës, që është caktuar të mbahet në Pragë në maj të vitit 2006, veteranët çekë, por dhe evropianë do të na ndihmojnë pranë organeve bashkiake të Pragës për lejen e vendosjes së bustit të Skënderbeut në vendin e nderuar.

Konkluzion: Ne i përmbahemi bindjes, se të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë kanë për detyrë t’i zbulojnë personalitetet e mëdha e të shquara me origjinë shqiptare, njerëzit që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për zhvillimin e njerëzimit, për t’u bërë atyre nderimet që u takojnë, sepse kështu nderojmë vendin tonë, i cili ka kaq shumë nevojë, sidomos tani në rrjedhën e proceseve integruese, ku ne kemi me se të prezantohemi për nga vlerat dhe identiteti ynë kombëtar.

Burimi:https://www.shqiperia.com Shkruar nga: Sami Starova 2012 /http://www.preshevajone.com nga Astrit Leka/

Përshtati për ALVA: R. H. & M. Perja