Muri i Portës ndodhet rreth 7 km në veri të qytetit të Durrësit, në vendin e quajtur Porto Romano. Ai shërbente dikur për të mbyllur rripin e ngushtë të tokës, ndërmjet detit dhe kënetës. Ndër të parët autorë që përshkruan këto mure është Hëzei, i cili shkurtimisht vë në dukje se muret mbyllnin ngushticën, që kish një gjatësi jo më të madhe se 200 m dhe se sistemi i tyre i ndërtimit me breza, paraqiste ngjashmëri të madhe me pjesët më të rregullta dhe më të vjetra të rrethimit të madh të Durrësit. Prashniker dhe Shober japin një përshkrim më të gjerë të mureve dhe përcaktojnë se ato i përkasin kohës së Anastasit I dhe se ishin pjesë e sistemit të fortifikimit të qytetit të Durrësit.

Së fundi, punimet e konsolidimi dhe të konservimit në vitin 1970 të drejtuara nga Gj. Karaiskaj, përcaktuan më mirë teknikën e ndërtimit të murit, elementët e tij, funksionin dhe datimin. Kështu, muri i portës u ndërtua për të mbrojtur qytetin e Durrësit prej një sulmi të mundshëm nga Veriu, duke shfrytëzuar në këtë rast dhuntitë e terrenit, afërsinë e detit me kënetën e Durrësit. Në këtë formë duhet të ketë qenë fortifikuar edhe ana jugore dhe zona e urës së Dajlanit, ku vetëm një rrip i ngushtë toke ndante detin nga këneta. Në rast se muri i Portës nuk ndërtohej, atëherë armiku mund të ndodhej papritur përballë mureve të arritshme të qytetit, që shtriheshin në zonën fushore, në veri të lagjes Pazari i Vjetër. Kjo vërtetohet edhe me ngjarjen e sulmit që pësoi Durrësi nga ushtritë e Cezarit disa vite më parë. Dhjetë shekuj më vonë, kur muri i portës nuk funksiononte më, në një prej kodrinave në veri të Durrësit vendosën kampin e tyre normanët, të cilët e pushtuan qytetin.
Një masë paraprake për të mbrojtur këtë pikë të dobët të kalasë e mori perandori Anastasi I, duke kaluar këtej rrethimin e tretë të qytetit, mirëpo, ndryshe nga mendimi i Hëzei dhe Shober, muri i Portës përfaqëson një vepër të Justinianit I, i cili sipas Propokopit të Cezaresë, ndërtoi në Durrës një kala të re.
Muri shërbente për të mbyllur ngushticën ndërmjet detit dhe kënetës. Prej tij është ruajtur vetëm një trakt rreth 60 m i gjatë dhe një kullë katërkëndëshe. Për ndërtimin e murit është përdorur teknika opus mixtum. Ai ka gjerësi rreth 1, 75 m dhe përshkohet tej për tej prej brezash tulle me lartësi rreth 35 cm dhe distancë 60 – 75 cm nga njëri tjetri. Në disa tulla vërehet monogrami Φ i stampuar në reliev.

Sondazhi në thellësinë deri në 2, 20 m, i cili zbuloi themelin e murit, vërtetoi se fortifikimi i përket vetëm një faze ndërtimore. Kulla katërkëndëshe ka përmasa 5, 95×6,15 m dhe ka qenë dykatëshe, me nga një hyrje në çdo kat. Në katin e dytë kalohej me anë të një shkalle dy rampëshe, të mbështetur në murin të mbështetur në murin e prapmë të kullës. Hyrja e Kështjellës, Porta, prej së cilës ka marrë emrin fortifikimi ndodhet në perëndim të kullës dhe ka pasur një gjerësi prej 3, 80 m. Brenda saj dallohen gjurmët e dy mureve që i mbështeten kurtinës në dy anët e hyrjes, të cilat kanë shërbyer si bazamente të shkallëve që të çonin në shtegun e rojeve, duke i dhënë njëkohësisht përparësi mbrojtjes së portës. Krahas murit që ndiqte izoipsin e kodrës nga ana e detit, në lartësinë 80 m mund të hetohen gjurmët e një fortifikimi të vogël trekëndësh, që lidhet organikisht me këtë mur. Të dhënat historike dhe teknika e ndërtimit, e datojnë murin e Portës në shek. VI.

Gjendja aktuale e monumentit paraqitet e dëmtuar si pasojë e agjentëve natyror dhe ndërhyrjes njerëzore. Erozioni nga ujërat e shiut dhe të detit, bimësia përgjatë gjithë gjerësisë dhe gjatësisë së tij, e cila lejon përthithjen e lagështirës, kanë dëmtuar strukturën e murit. Gjithashtu aktiviteti njerëzor si përdorimi për nevojat e ushtrisë dhe ndërtimi i qendrave të zjarrit para viteve ’90 por dhe shkrimi me grafite dhe mungesa e mirëmbajtjes, janë disa nga shkaqet që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në monument.

Burimi:findit.al / Përshtati për ALVA – Endri Shehi