Shqipëria ndodhet në Europën Juglindore, në perëndim të gadishullit të Ballkanit, midis koordinatave gjeografike 39 gradë e 38′ dhe 42 gradë e 39′ të gjerësisë veriore dhe 19 gradë e 16′ të gjerësisë lindore, në largësi pothuajse të barabartë nga Ekuadori dhe Poli i Veriut. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 340 km nga jugu në veri dhe 148 km nga lindja në perëndim.
- Sipërfaqja e përgjithshme – 28.748 kilometra katrorë.
- Popullsia – rreth 3 milion banorë.
- Kryeqyteti – Tirana.
Shqipëria kufizohet në:
- V – Veri me Malin e Zi
- VL – Veri-lindje me Kosovën
- L – Lindje me Maqedoninë
- J- Jug me Greqinë
- P – Kufirin natyror perëndimor Shqipëria ka dalje të hapur në Detin Adriatik
- JP – Jugperëndim në Detin Jon.
Gjatësia e përgjithshme e vijës kufitare është 1094 km.
- 657 km – kufi tokësor
- 316 km – kufi detar
- 48 km – kufi lumor
- 73 km – kufi liqenor.
Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike, pasi gjendet në kryqëzimin e rrugëve më të shkurtra që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan e Azinë e Vogël dhe kontrollon kalimin përmes kanalit detar të Otrantos. Nga pikpamja gjeo-fizike Shqipëria ndahet në 4 krahina të mëdha natyrore (fiziko-gjeografike):
- Krahina malore veriore
Nga Krahina Malore Veriore vlen të veçohen Alpet Shqiptare që shquhen për kontrast të madh midis maleve të larta dhe luginave të thella. Rreth 30 maja malesh ndodhen mbi 2 500 m mbi nivelin e detit. Ndër luginat dallohen sidomos lugina e Valbonës dhe ajo e Thethit.
- Krahina malore qendrore
Krahina Malore Qendrore nuk është aq kompakte sa ajo veriore, por e ndarë në disa masive malore si: Vargu i Korabit, Malet e Lurës, Malet e Skënderbeut etj. Këto male ndërpriten nga lugina të ndryshme.
- Krahina malore jugore
Krahina Malore Jugore (70 % e sipërfaqes së Shqipërisëështë malore) arrin deri në detin Jon në jug dhe është e copëtuar në disa vargje malore dhe lugina lumore. Vend të veçantë në të zë riviera shqiptare, e cila shtrihet nga Gjiri i Vlorës deri në Butrint në jug.
- Ultësira perëndimore
Përgjatë bregdetit Adriatik, në perëndim të vendit shtrihet Ultësira Perëndimore e Shqipërisë (30%) me gjatësi nga veriu në jug rreth 200 km dhe me gjerësi nga perëndimi në lindje, deri në 50 km. Kjo ultësirë përbën ultësirën më të madhe në pjesën perëndimore të Ballkanit dhe është rajoni më i zhvilluar ekonomik i Shqipërisë.
Burimi: wikipedia