Në fshatin shqiptar Mandrica të Bullgarisë është krijuar shoqata “Bashkimi për rilindjen e fshatit të Mandricës” (www.mandritsa.com dhe www.bukorshtepi.com) kryetar i së cilës është Ivalljo Petrov. Qëllimi i shoqatës është të mbledhë të rinjtë me origjinë nga fshati që të ruajnë gjuhën shqipe dhe traditat e lashta shqiptare. Shoqata ka botuar një doracak bullgarisht-shqip në formën që flitet në Mandricë, si dhe në të ardhmen planifikon të botojë një libër kushtuar historisë së fshatit.

Shqiptarët janë një pakicë, e klasifikuar si grup etnik në Bullgari. Sipas regjistrimit të vitit 2001 ishin vetëm 278, por numri i tyre i vërtetë është shumë më i lartë dhe ka qenë i till; edhe në të kaluarën.

Studiuesi ukrainas Jaranov shkruan se arnautët e Bullgarisë janë të shpërngulur nga Korça, Ohri, Elbasani, Çermenika, Golloborda, diku nga shekulli i XV deri në shekullin e XIX, dhe pastaj janë bartur në Ukrainë. Mes shekullit të XV dhe XVII grupe shqiptarësh nga të dy besimet, si katolikë dhe ortodoksë, u vendosën në disa pjesë të Bullgarisë veriore, dhe një grup në Trakinë jugore. Disa nga ardhësit e parë shqiptarë në Bullgarinë moderne ishin minatorë në Kopilovtsi, një fshat në afërsi të një qendre të madhe minierash.

Mandrica /Kjo foto është e drejtë eskluzive për ALVA.AL

Shtëpi shqiptare në Arbanasi të Bullgarisë

Kopilovtsi u krijua midis shekullit XV dhe XVII. Një kishë katolike është ndërtuar në fillim të shekullit XVII. Vendasit nga Kopilovtsi kanë qenë me origjinë shqiptare dhe të besimit katolik. Në vitin 1626, kryepeshkopi i Tivarit, Pjetër Mazreku, shprehet se në ato pjesë të Bullgarisë katolike jetojnë shqiptarë. Sipas peshkopit shqiptar, Pjetër Bogdani, Kopilovtsi kishte 1.200 katolikë shqiptarë që në vitin 1640 ende flisnin në gjuhën shqipe.

Në një raport tjetër të vitit 1647 rreshton 1.200 shqiptarë katolikë në Kopilovtsi, por ata kanë nisur të përdorin sllavishten. Në vitin 1658, Pjetër Bogdani shënon se mbi 1.500 shqiptarë në Kopilovtsi flisnin bullgarisht dhe se u kishin mbetur vetëm edhe disa gjurmë të gjuhës së tyre origjine.

Arbanasi

Kopilovtsi, së bashku me Chiprovtsin, u shpopullua në kohën e kryengritjes së Chiprovtsit në vitin 1688. Kryengritja ishte kundër sundimit pothuajse 300-vjeçar osman. Ajo u organizua nga pasardhësit katolikë të minatorëve, si dhe me mbështetjen e popullsisë ortodokse. Kryengritja u shtyp nga ushtria osmane dhe forcat e parregullta dhe më në fund lanë Chiprovtsin të djegur.

Një pjesë e popullsisë shpëtoi dhe u vendos në Banat, atëherë tokë austriake. Një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje ishte peshkopi Pjetër Bogdani. Në një letër për princin e Transilvanisë, në vitin 1595, tregtari ragusian Pavel Djordjic vëren se në Bullgari ka shumë fshatra të banuara me shqiptarë, nga ku mund të mblidhen 7000 burra trima të trajnuar mirë. Në të njëjtën letër Djordjic përmend se 1500 prej atyre shqiptarëve jetonin në afërsi të Tërnovës.

230 kilometra larg Sofjes, fshati Arbanas ngrihet në një lartësi zotëruese sipër kodrës kështjellë të kryeqytetit historik bullgar Veliko Tarnovo. Themeluesit e parë kanë qenë afër 200 shqiptarë që ishin sjellë gjatë kohës së fushatës së Bajazitit të II-it në Shqipëri. Më vonë pasardhësit u helenizuan dhe u bullgarizuan nëpër shekuj.

Arbanas /Kjo foto është e drejtë eskluzive për ALVA.AL

Hyrja e fshatit Mandrica

Arbanasi është ndërtuar nga mjeshtër shqiptarë që, përveç emrit, i dhanë edhe rrugët me kalldrëm, stilin arkitektonik të bujtinave karakteristike, ku ndërthuret guri i latuar dhe druri i gdhendur – ndërtesa që u ngjajnë fortifikatave të vërteta dhe që tani shërbejnë si muze.

Oborret e tyre të blerta, të mbushura me pemë, kishat me ikona e piktura murale dhe manastiret e shenjta, janë mjedise plot me vizitorë e besimtarë. Arbanasi ishte i populluar (ose i ripopulluar) në vitet e vona të shekullit të XV, si fshat autonom nga ana administrative e Perandorisë Osmane tërhoqi shumë të ardhur. Arbanasi është vendbanimi më piktoresk i Bullgarisë.

Vende të tjera në veri të Bullgarisë, ku prezenca shqiptare ka qënë fort e ndjeshme janë Chervena Voda afër Rousse, Poro ishte afër Razgradit, Dobrina afër Provadias dhe Devnya afër Varnas.

Shqiptarët, në kryeqytetin Sofje të Bullgarisë, kanë qenë të regjistruar që në fillim të shekullit të XVII. Koloni të tjera të mundshme janë në jug te Malët e Ballkanit, përfshirë edhe pyetësorin Gorno Arbanasi dhe Dollno Arbanasi afër Asenovgradit.

Shtëpi shqiptare në fshatin Mandrica 

Mandrica është një fshat shqiptar në Bullgari që gjendet në pjesën më lindore të maleve Rodope pranë kufirit bullgaro-grek.

Fshati më i njohur në Trakinë bullgare është Mandrica. Fshati Mandricë u krijua në vitin 1636 nga disa barinj ortodoksë shqiptarë që furnizonin ushtrinë osmane me produkte qumështi. Ata u lejuan të merrnin një copë toke dhe të mos paguanin taksa. Pjesa më e madhe e shqiptarëve erdhën në shekullin XVIII dhe XIX nga rrethinat e Korçës dhe nga rajoni i Sulit. Një kishë është ndërtuar në vitin 1718. Banorët i ruajtën veshjet kombëtare suliote deri në shekullin XIX kur fustanella u zëvendësua nga pantallonat trakase, ndërsa veshjet e grave u ruajtën deri në kohën e emigrimit në masë në Greqi, shkruan dialogplus.ch.

Në shekullin XIX Mandrica ishte një qytet i vogël shqiptar në kazanë Didjumoteikos. Në vitin 1873 ishte një vendbanim me 250 shtëpi, me rreth 1080 banorë shqiptarë. Profesionet kryesore ishin rritja e krimbit të mëndafshit, kultivimi i duhanit, artizanati dhe tregtia. Fshati kishte tri institucione arsimore greke: një shkollë për djem, një shkollë për vajza dhe një kopsht fëmijësh.

Pas Luftërave Ballkanike, kufiri bullgaro-grek kaloi nëpër fshatin dhe një pjesë prej tij mbeti në territorin e Greqisë. Sot atje është i njohur një fshat tjetër që mban emrin Mandres. Sipas rrëfimeve të një prej plakave, Evdokija Moskova, fshati Mandres është krijuar në Greqi në vitin 1914. Ajo na tregoi se gjatë Luftës së dytë ballkanike, në rajonin e Mandricës erdhi bashibozuku. Ai mblodhi të gjithë burrat dhe djemtë nga fshati në një dyqan për t’i vënë në zjarr. Por, një grua nga fshati tjetër i shpëtoi.

Pamje nga fshati Mandrica

Ajo kishte marrë vesh për vendimin e bashibozukut dhe arriti të paralajmërojë të gjithë. Kështu, burrat dhe djemtë u shpëtuan dhe ikën në Greqi. Atje krijuan një fshat tjetër të cilin e quajtën Mandres për ta kujtuar Mandricën. E vërteta është se deri tani banorët e njërit fshat mbajnë lidhje me të afërmit e tyre të fshatit tjetër. Për fat të keq kufiri midis atyre hapet vetëm për një ditë në kohën e Pashkëve dhe ngandonjëherë në një festë tjetër fetare.

Toponimi iliro-trakas i Mandricës, sipas Çabejt, është prej fjalëve shqipe: mana (peme e egër) dhe drize (ferre) – manaferre – e barasvlershme me Manadrica. Gjuha e përdorur prej tyre është shumë arkaike. Studime shkencore mbi të ka bërë doktor Bojka Sokolova. Më shumë hollësi për gjuhën mund të lexoni në librin e saj kushtuar dialektit shqiptar të Mandricës.

Banorët e sotëm të fshatit përbëjnë brezin e fundit që e flet këtë dialekt. E konsiderojnë veten si shqiptarë, por shumica prej tyre nuk kanë vajtur kurrë në Shqipëri e as në Kosovës. Burimi:/DialogPlus/Telegrafi/