Tiranasit, së pari, janë qytetarë dhe shquhen për një sërë vetish, që lidhen me vendin ku mori jetë qyteti i sotëm. Tiranasit kanë qenë kurdoherë familjarë të mirë, respektojnë gruan dhe duan fëmijët; për ta familja është e shenjtë; rastet e shkurorëzimit kanë qenë të pakta. Në sajë të punës dhe fushës pjellore ku shtrihej qyteti i tyre, tiranasit ishin të pasur; s’kanë vuajtur kurrë urie, me përjashtim të kohës së rebelëve të “Haxhi Qamili”, dhe viteve të Luftës së Parë Botërore, kjo ka qenë e rëndësishme, sepse “fukarallik – maskarallik”, thonin tiranasit e vjetër.

Megjithëse në thelb paqedashës, tiranasit qenë luftëtarë të vendosur për pavarësinë e kombëtare dhe për ruajtjen e tërësisë së trojeve shqiptare. Në kohë paqeje, tiranasit begatonin shtëpitë e tyre dhe kujdeseshin për qytetin i cili ishte i pastër dhe i bukur. Dëshmitë e Hahn-it (1852), Hecquard-it (1857), Degrand-it (1893) dhe mjaft autorëve të tjerë, flasin për këtë. Ata e duan me shpirt qytetin e tyre, dhe Tirana s’mund të imagjinohet pa ata, tironsit e vjetër.

Gjithashtu tiranasit janë të parët në bujari e mikpritje: ata strehuan dibranët në vitin 1913, banorë të jugut në vitin 1940, dhe mjaft nga qytetarët e Kosovës të ardhur në Shqipëri në vitin 1999. Që nga viti 1920 kur Tirana u bë kryeqytet, valët e të ardhurve kanë qenë të pandërprera, por tiranasit ditën të gjejnë gjuhën me të gjithë ata që erdhën, dhe që vazhdojnë të vijnë. Urtësia, thjeshtësia dhe ndershmëria janë karakteristika të tyre. Në përgjithësi tiranasit janë konservatorë, tregues tjetër ky, i fisnikërisë së tyre; po ashtu tiranasit respektojnë ligjin gjë që flet përsëri për qytetari të konsoliduar.

Burimi: Pjesë nga libri “Tirana e vjetër” me autor Gazmend A. Bakiu, 2.20, f.120. Përgatiti për ALVA – M. P.

Artikulli paraprakPlazhi Gjeneralit
Artikulli tjetërLiqenet e Tiranës