Si rrallëkush Bujari ka brenda vetes një sërë dhuntish, karikaturist, dramaturg, skenograf, skenarits, regjisor filmi artistik, regjisor i filmit vizatimor, regjisor teatri, aktor,  prezantues, analist, pedagog, etj. Sot ai është një nga intelektualët e kompletuar që i gjen rrallë në këtë vend. Nuk ka shqiptar, i madh e i vogël, që të mos e njohë të mirënjohurin Bujar Kapexhiu, pasi është figurë publike dhe emblematike në fusha dhe zhanre të ndryshme, në të cilat lëvroi dhe që akoma vazhdon të japë kontributin e tij të çmuar. 

Si regjisor i mbi 20 premierave në Teatrin e Estradës. Kapexhiu u dallua për fantazinë e tij të pasur, detajet e shumta e domethënëse, përdorimin rëndom të formave groteske e burleske, duke u dhënë një hapësirë të gjerë konvencioneve, posaçërisht atyre në skenografi. Një nga talentet e Bujar Kapexhiut është edhe filmi i animuar, me të cilin ka fituar edhe çmime ndërkombëtare. Krahas teatrit dhe kinematografisë, Kapexhiu është edhe një nga karikaturistët e shquar shqiptarë, me një mori botimesh në median e shkruar.

Asnjë nga profesionet që ka kryer deri tani nuk e veçon nga të tjerët, për shkak se, siç thotë ai, ata janë zinxhir dhe ndihmojnë njëri-tjetrin.  Kapexhiu mban titujt “Artist i merituar”, “Profesor” dhe Mjeshtër i Madh i Punës”.’

 

Jetëshkrimi 

 

Bujar Kapexhiu rrjedh nga një familje myslimane nga Dibra e Madhe, ka lindur më 22 mars 1944 në Tiranë.

1967 Kapexhiu studioi për aktor në Institutin e Lartë të Arteve, pranë Teatrit Kombëtar, dega e artit dramatik, dhe u emërua asistent pedagog në lëndën e Mjeshtërisë së aktorit, punë të cilën e ndoqi për shumë vite si pedagog i jashtëm, krahas lëndës së regjisurës, gjithashtu kreu më pas kursin e lartë pasuniversitar për regjisurë teatri.  

1968-1972 Filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit.

1970 I prirur ndaj spektaklit të madh, ai nisi i pari organizimin e performancave të tilla, me gërshetime zhanresh, llojesh, rubrikash, artistësh e personalitetesh nga fusha të ndryshme, siç ishte spektakli “4.000 duartrokitje”, në Pallatin e Sportit. Këtë tip performance skenike e ndoqi edhe pas viteve ’90.

1972 Pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, u ndëshkua nga organet partiake të periudhës përkatëse me punë korrektuese në prodhim, pasi ishte libretisti dhe konferencieri i tij. 

1975 – 1990 Rikthehet si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Një nga talentet e Kapexhiut është filmi i animuar. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor; mes tyre spikat edhe “Pipiruku”, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. Pas vitit ’85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë:

“Dy herë mat” (1986)

  • “Tela për violinë” (1987)

  • “Stolat në park” (1988)

  • “Edhe ashtu, edhe kështu” (1989)

  • 1980 Ndoqi degën e arteve figurative për grafikë. 

1990-1992 Ishte përgjegjës i sektorit të filmit vizatimor në Kinostudio,

1993-1996 Rektor i “Akademisë së Arteve”

1997 – 2017  Doli në profesion të lirë, drejtues i studios artistike “Art sot vizual”, ku vijon edhe sot.

 

Filmografia

 

“Dueli i heshtur”

“Shumë njerëz mendojnë se unë jam ndëshkuar nga vetë personazhi i Bepinit”. Kështu e nis rrëfimin e tij Bujar Kapexhiu. Nëse i rikthehemi kujtesës dhe ndalojmë në vitin 1967, vit kur Kapexhiu interpretoi rolin e tij të parë në kinema, atë të një të riu të pakënaqur, që kërkon të arratiset përtej detit, para syve na del një personazh mjaft interesant, i vërtetë, me “look” perëndimor dhe ide kundrarevolucionare. Një rol shumë impresionues, në kohën kur ishim mësuar të shihnim heronj të realizmit socialist, të fortë, të paepur, me bindje të pastra. Aq mirë është mishëruar ky rol sa të duket që vetë Bujari ka qenë i tillë, njëri prej atyre njerëzve që donin të kapërcenin kufirin.

Ky ishte roli i parë i imi, asaj kohe isha student në vitin e katërt të Institutit të Arteve për aktor. Të them të drejtën si aktor, e kam pasur me shumë dëshirë teatrin. Teatrin e adhuroja dhe nuk mendoja se do të luaja në film, ndonëse këmbëngulja e regjisorit Dhimitër Anganosti më mbushi mendjen që unë duhet të interpretoj tek “dueli”. Aty jam munduar të bëj mjeshtri aktori. Ndoshta ky rol qëlloi i suksesshëm, pasi ka edhe një afërsi, ndoshta me moshën, aspiratat, dëshirat dhe kështu, përputhja e atij personazhi me veten time, bëri që Bepini të dukej, ashtu, i besueshëm, i pëlqyeshëm dhe i admirueshëm.

Aq më tepër që në atë periudhë, personazhet negative pëlqeheshin shumë, sepse thonin batuta që ndoshta i mendonin të gjithë, por nuk guxonin t’i shprehnin. Kurse ne si personazhe na lejohej që t’i deklaronim. Përshembull, aty ka batuta kur unë them: “Si është e mundur që doni ta ndërtoni socializmin me kuleçë?”, ose kur pyes për atë vajzën në fotografi: “E keni dashnore kolektive?”, ose kur shprehem për komisarin: “Burrë i pashëm kodoshi!”. Janë disa batuta që kanë ngelur edhe sot.

“Atëherë punohej me një pasion të jashtëzakonshëm”, vijon kujtimet e tij Bujar Kapexhiu, dhe punonim në kushte shumë të vështira. “Mendo, të udhëtosh me anije, që nuk është kollaj. Niseshim nga Durrësi dhe dilnim në det të hapur, sepse duhej që kamera kur të lëvizte, të mos kapte breg.

Të gjithë i zinte deti përveç Rikard Ljarjes dhe nuk e di pse. Mbase ngaqë kishte rol “pozitiv”, shton duke qeshur. “Rikardi në atë kohë ishte edhe provokativ me ne, pasi na afrohej me cigare, na hidhte tymin në fytyrë, bënte zhurmën e të vjellës dhe ne të gjithë tmerroheshim nga kjo gjë, pasi na zinte vërtet deti. Por, vërtet që ruaj nostalgji për atë kohë. Për pasionin, për punën e bukur artistike që kemi bërë me regjisorin. Ishte një eksperiencë e re, e para në film dhe shumë interesante”.

Projekti më i freskët që mbante në dorë dhe që ishte drejt përfundimit ishte libri nën titullin: Burri i odës dibrane – një libër me personalitete të fushave të ndryshme, por që i bashkon një element dhe ajo është Dibra, nga ku burojnë edhe rrënjët e Bujar Kapexhiut, që ka lënë e po lë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e çdokujt, me punën e tij të gjithanshme.

 

 

“Dy herë mat”

Pak kush e di që filmi komedi “Dy herë mat”, që mban autorësinë e Bujar Kapexhiut, fillimisht ka qenë ideuar për “Tre herë mat”. Ndërsa flet për komeditë që ka realizuar në vite, e gjithë fytyra i merr një pamje hareje. Duket se humori është argument për të cilin pëlqen të flasë pa fund. Që fëmijë thotë së ka pasur një prirje natyrore ndaj humorit, mbase të mbartur nga familja. Babai i tij, një burrë nga Dibra e Madhe me një humor fin dhe elegant, ndërsa e ëma, një korçare me shpirt të pasur artistik. “Nga e kam marrë unë humorin?”, përsërit pyetjen e bërë Kapexhiu. Epo, shpesh e kam thënë, nëse palosim në mes hartën e Shqipërisë, Dibra bie mbi Korçën, dhe unë nuk kisha nga dilja ndryshe…”

“Më pëlqente gjithmonë të bëja humor në shoqëri, familje”, kujton ai. “Interpretimi i filmit “Dy herë mat ka qenë edhe si një vazhdë e punës sime si regjisor në Estradën e Tiranës. Aty u caktova, sapo mbarova shkollën. Gjatë gjithë këtyre viteve jam marë me humorin, si me shkrimet, ashtu edhe me regjinë. Kështu që kur shkova në Kinostudio, fillimisht shkrova një komedi e cila u pëlqye mjaft.

Atëherë isha piktor dhe skenarist i filmit vizatimor. Mirëpo dëshira ishte që të kaloja në filmin artistik. Ndaj shkrojta skenarin, që në atë kohë titullohej “Tre herë mat”. Por meqë filmi dilte shumë i gjatë, hoqëm një “mat” dhe e bëmë “Dy herë mat”. Por unë nuk e kisha menduar që do ta interpretoja vetë rolin kryesor të këtij filmi, e kisha taksur këtë rol për aktorin Agim Qirjaqi. Atë e kam pasur student në Institutin e Arteve dhe më kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme, si një student i rrallë dhe më vonë, si një aktor i mrekullueshëm.

Mirëpo kur kërkova Agimin, ai ishte i angazhuar në një film tjetër. Kështu që u vendos që këtë rol ta interpretoja unë. Padyshim nuk është lehtë që edhe të interpretosh, edhe të drejtosh. Gjithmonë duhet të kesh një sy tjetër që të shikon dhe të korrigjon. Por kam bashkëpunuar shumë me operatorin Lionel Konomi, i cili më ka ndihmuar në këtë drejtim dhe ka qenë ai që ka bërë syrin korrigjues gjatë filmit”.

 

Regji

 

2017 “Gjeneral & Palyboy”

1989 “Edhe ashtu edhe kështu” 

1988 “Stolat në park” 

1987 “Tela për violinë” 

1986 “Dy herë mat”

1976 “Kallza e grurit” Film vizatimor

1976 “Lisharsi” Film vizatimor

1976 “Majlinda dhe Zogu i vogël” Film vizatimor

1976 “Pika e ujit” Film vizatimor

 

Skenare

 

1989 “Edhe ashtu edhe kështu” 

1986 “Dy herë mat”

 

Interpretime

 

1986 “Dy herë mat”, ka spikatur me rolin e protagonistit në filmin e tij të parë artistik 

1970 “I teti në bronz” Spiro

1970 “Gjurma 

1967 “Duel i heshtur” 

 

Karikatura

 

Krahas teatrit dhe kinematografisë, Kapexhiu është edhe një nga karikaturistët e shquar shqiptarë, me një mori botimesh në median e shkruar. Kapexhiu ka marrë pjesë në ekspozita apo konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare (Greqi, Turqi, Bullgari, Kosovë, Itali, Francë, Gjermani, Kanada, Japoni etj.) dhe ka fituar disa çmime. Përpos karikaturës, ai është marrë edhe me ilustrimin e librave humoristike, sidomos ata për fëmijë. Kapexhiu është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Karikaturistëve Shqiptarë. 

 

 

 

 

 

Arti i animacionit

 

Kapexhiu është një nga themeluesit e zhanrit filmik. Punët e tij të para janë:

1976 “Pika e ujit”, në fondin kronologjik të filmit të animuar mban numrin 3.

1980 “Kur shefi merr flakë” film i ndaluar më parë për motive biografike, bashkëskenarist Bashkim Shehu

1981 “Autogol” film i ndaluar më parë për motive biografike, bashkëskenarist Bashkim Shehu

1985 “Pipiruku në pallat” 

 

 

 

Botime

 

Bujar Kapexhiu ka botuar tre libra me karikatura nga rubrika e përditshme e tij në gazetën “Mapo”:

  • “Për një karrige” është një vepër që përmban 350 karrikatura të Kapexhiut, botim i UET Press.

  • “Ngërç” përmban gjithashtu 350 karikatuara të  botuara në  gazetën “Mapo” ku karikatura e tij është kthyer në një lloj “editoriali” vizual përmes të  cilit shihet me anë të satirës jeta politike e vendit.

  • “Kthesë” vjen në të njëjtin format me dy veprat e tjera duke sjellë kështu në një format të përmbledhur të gjitha karikaturat e tij të preferuara për publikun.

  • Gjithkush që është i apasionuar pas rubrikës së Bujar Kapexhiut, “Mjeshtrit të Madh”, mund ti ketë ato në bibliotekën e tij si një mundësi e përhershme për të vënë buzën në gaz e për të kuptuar se ndoshta politikën e marrim më shumë seriozisht se sa duhet.

  • “Burri i Odës Dibrane” monografi për Haziz Ndreun nga Bujar Kapexhiu. Autorin e librit dhe personazhin e tij e lidhin shumë fije gjatë jetës. Janë vlerësuar të dy me titullin “Mjeshtër i Madh”, janë të dy nga e njëjta krahinë, Dibra, dhe kanë pasur të njëjtin pasion për artin dhe satirën, njëri në muzikë e tjetri në karikaturë.

 

 

 

 

 

Çmime & Vlerësime

 

1970 Në festivalin e Estradave Profesioniste, shfaqja “T’i shkulim nga rrënjët” fitoi çmimin e parë.

1977 Filmi “Pika e ujit” fitoi çmimin e parë në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar.

1979 Filmi “Zhgarravinat” cilësohet një nga filmat e tij më të bukur, ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë me të cilin ka fituar tre çmime të para:

  1. Çmimi i Parë të Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979;

  2. Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979

  3. Çmimin e parë në Napoli të Italisë në 1984.

“Pipiruku pret 2 miq” u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor.

Shfaqja “Lulet e jetës” u çmua shumë dhe  ka marrë çmime edhe në festivalin për fëmijë.

Ka marrë titullin si regjisori më i mirë i festivalit me shfaqjen “Ti shkulim nga rrënjët”, por vetë shfaqja nuk mori çmim për shkak se u quajt “shumë e tejkaluar, shumë moderne për kohën”. 

Në festivalin e teatrove, shfaqja e vënë në skenë “Karnavalet e Korçës” fitoi çmimin e parë në Tiranë.

Kapexhiu mban titujt: “Artist i merituar”, “Profesor” dhe Mjeshtër i Madh i Punës”.

Presidenti i Republikës i akordoi dt. 17/12/2015, nr. dekreti 9363 zotit Bujar Kapexhiu Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në vlerësim të arritjeve të spikatura në fushën e regjisurës, karikaturës e të interpretimeve të paharrueshme kinematografike, të cilat kanë karakterizuar veprimtarinë e tij profesionale të shumanshme artistike si dhe për vlerat e çmuara në edukimin, formimin dhe përgatitjen e disa brezave artistësh të rinj”.

 

Burimi:dritaislame-Qani Sulku / ATSH – Maela Marini /www.mapo.al /www.360grade.al /www.noa.al/www.president.al

Përshtati për ALVA – R. H. & M. P.

Artikulli paraprakShpresa Rupar & blogu i saj “E vërteta lakuriqe”
Artikulli tjetërSheki Useini: Mos e harro “Mentorin e brendshëm!”