Është i njohur fakti që historia e Skënderbeut ka qenë frymëzuese për shkrimtarin më të madh të epokës sonë, Kadarenë. Një figurë që e ka çuar shkrimtarin tonë të madh në një piedestal.
“Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madhi i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo Perëndimi. Nuk janë të rastit lëvdatat ndaj tij, ai qe themeluesi i idesë shqiptare me tërë ndërlikimin e saj. Prandaj ka marrë kaq famë në Evropë ai, nuk e mori për sytë e bukur. Ka më shumë famë se Shqipëria vetë. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit, që i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës deri në fund, sa vdiq. Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjoi rilindja shqiptare. Ky është një rrugëtim shumë i gjatë.

U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Evropës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit, hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të tmerrshmes. Arbëreshët e cilësojnë si “të pafat”, ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë dhe kështjellat e tij me evropianët, sidomos me afrimin e fundit të jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide, për ta bërë të pavdekshëm.” ( I.Kadare, Prishtinë, 06.2014, për “Zërin e Kosovës” )
Burimi:Gazeta Infopress / Përshtati për ALVA: R. H.