Boksieri Erzen Rrustemi u lind më 07.10.1983 në Zhegër të komunës së Gjilanit nga baba Halili dhe nëna Ismetja. 
Nga shkuarjen në Zvicër, krahas shkollimit filloi të merrej me artet marciale. Nga viti 2002 filloi të merret intenzivisht me boks. Prej vitit 2012 është anëtar i Ligës Profesionale të Boksit. Deri tani ka zhvilluar dymbëdhjetë luftëra, dhjetë prej tyre i ka fituar përpara kohës, me nokaut.
Në luftën e shtatë e cila u zhvillua më 29.11.2014 luftoi kundër boksierit rumun Vasile Dragomir dhe arriti njëkohësisht edhe titullin e Kampionit Evropian.
Ndërsa, më 18 mars 2017, luftoi për titullin Kampion bote në versionin WBF, kundër argjentinasit Rikardo Ramirez, “El Tigre”, të cilin gjithashtu e mposhti me nokaut dhe fitoi titullin Kampion bote, titull që për herë të parë e fiton një boksier shqiptar. Kurorën e madhërishme “Mbret i Boksit” në botë, pak vite më parë e ka mbajtur edhe boksieri i njohur Holyfield.
Qëllimi i tij është që të përfaqësojë kombin shqiptar dhe shqiptarët, në rangjet më të larta të boksit profesionist, kudo nëpër botë dhe atë, gjithnjë si shtetas i Republikës së Kosovës, të cilën nuk e ka ndërruar përkundër ofertave shumë joshëse dhe kushteve që i janë ofruar.
TITUJ & NDERIME
Për angazhimin e tij të deritanishëm në boksin profesionist është nderuar edhe nga shoqata të ndryshme shqiptare me Mirënjohje ndërsa e veçon prej tyre, Mirënjohjen “NDERI I QYTETIT TË GJILANIT” që i është dhënë nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit më 15 qershor 2016.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka akorduar më dt. 13/06/2017, nr. dekreti 10451 Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij të suksesshme si boksier, si dhe rezultatet e tij të larta të arritura në këtë sport, duke ngritur lart emrin e kombit shqiptar me titullin e Kampionit të Botës.”
Burimi:http://www.erzenrrustemi.ch