Sa herë kujtojmë veprën e studiuesit, filologut dhe historianit të mirënjohur korcar Spiro Konda, mendja na shkon menjëherë tek vepra e tij madhore e voluminoze “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik“ botuar në vitin 1964. Spiro Konda u mor qysh herët me problemin pellazgjik. Që kur ishte student në Universitetin e Athinës, ku u diplomua për filologji klasike, u njoh dhe u miqësua me disa autoritete shkencore të atij Universiteti si prof. Haxhillaqis dhe prof. e arkeologjisë me origjinë shqiptare Dhimitër Arvaniti. Këta ishin studiues të njohur, shkencëtarë seriozë dhe shpallën se problemi pellazgjik është i lidhur dhe zbërthehet në shuma aspekte vetëm me gjuhën shqipe.

Megjithëkëtë, për të riun Spiro Konda, pellazgët mbetën në kujtesë dhe do të përbënin qëllimin e punës së tij kërkimore shkencore gjatë gjithë jetës së tij. Vargjet e eposit homerik: ”O mbret Zeus dodonas pellazgjik” dhe “popull hyjnor i pjellë dret për drejt nga dheu”, do të ishin hapi i parë nga u nis ai fillimisht për rrugën e gjatë e të vështirë. Shprehja “i lindur prej dheut“ kishte rëndësi se në kohët shumë të lashta parahistorike njerëzit besonin se kur dheu nuk qe forcuar ende, po ndodhej në gjendje baltike, njerëzit dhe kafshët lindnin prej tij të gjallë. Kur dheu u forcua nga dielli dhe erërat, atëherë njerëzit dhe kafshët po lindnin me anë të martesës. Pra “i lindur prej dheut”, do të thotë i vjetër, autokton.

TEZA DHE KUNDËRTEZA

Pellazgët dhe problemi pellazgjik, një çështje tepër e vështirë dhe e ngatërruar. Çështja pellazge është trajtuar para rilindasve tanë nga autorë të huaj, sidomos nga grekët e lashtë. Bibliografia për këtë problem është shumë e gjërë, e pa fund. Janë ngritur teza e kundër teza, nga një herë të cuditshme e të pa besueshme. Është arritur deri atje sa është vënë në dyshim edhe ekzistenca e tyre.

Sipas disave, pellazgët janë konsideruar si krijim i imagjinatës së logografëve të vjetër, nga disa të tjerë si popull historik që ka egzistuar e vepruar para grekëve, nga disa si popull i racës ariane, nga të tjerë si i racës semite. Pra, kjo vorbull mendimesh, faktesh e dokumentash kontradiktore, bëri që për mjaft studiues çështja pellazge të ishte “tokë e ndaluar”, çështje “tabu”. Shumë pak guxonin ti hynin asaj për vështirësitë që paraqiste. Megjithëkëtë, çështjen pellazge, duke e lidhur me gjuhën shqipe, e ringjallën dhe e publikuan rilindasit tanë të mëdhënj sidomos De Rada, Naim Frashëri, Sami Frashëri në enciklopedinë e tij etj.

Spiro Konda, siç thotë vetë në veprën e tij, duke u nisur nga mendimi i Aristotelit se fisnikëri është për një komb kur të parët e tij janë autoktonë ose shumë të vjetër në vendin ku banojnë dhe kur nga gjiri i tyre kanë nxjerrë njerëz që me veprat që kanë lënë, janë për tu patur zili, i hyri punës me dashamirësi dhe si atdhetar i vërtetë për të gjetur fillesën, vjetësinë dhe prejardhjen e popullit të tij, të shqiptarëve.

Dhe që të merresh me historinë e popullit shqiptar që nga prehistoria dhe deri në kohët e vona, siç thotë vetë përsëri autori, duhet të jesh filolog, helenist, latinist, gjuhëtar, glosolog, indolog dhe gjuhën shqipe ta kesh gjuhë amtare dhe ta zotërosh shkencërisht. Dhe këto cilësi i zotëronte në atë kohë, si asnjë tjetër, vetëm profesor Spiro Konda. Ai kishte njohuri të gjëra enciklopedike, vecanërisht në gjuhësi dhe në histori. Zotëronte greqishten e re dhe të vjetër dhe si asnjë tjetër, kishte përvetësuar në mënyrë të shkëlqyer sanskritishten, gjuhën e përsosur të intelektualëve të Hindisë si dhe frëngjishten, gjermanishten dhe disa gjuhë ballkanike.

Në studimet dhe kërkimet e tij shumëvjecare, Konda u mbështet tek autorët e vjetër grekë e latinë që janë marrë e kanë lënë dëshmi të vlefshme për pellazgët dhe në gjuhën shqipe që është çelësi i zgjidhjes së këtyre problemeve. Në fillim puna e tij ishte ëndërr, pasion por pastaj u bë realitet. Ai me guxim shkeli në “tokë të ndaluar” dhe preku temën “tabu”. Dhe jo pa sukses.

Me përgatitjen që kishte, me pasion e këmbëngulje, me punën e një shkencëtari të vërtetë, skurpuloz, pa zhurmë e pa bujë, aty në dhomën e tij të punës, si “eremit“ i vërtetë, studioi me hollësi gjithë historianët e gjuhëtarët e huaj dhe të vendit që janë marrë me historinë e pellazgëve dhe prejardhjen e shqiptarëve që nga Homeri, Hesiodi, Simonidi, Pindari, Tuqiditi, Straboni e mjaft të tjerë të kohëve më të reja. 

Pellazgët shtriheshin në një teritor të gjërë, ”perandoria pellazge”, ku sot banojnë shqiptarët dhe grekët modernë. Për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, ka pasur mendime të ndryshme kontradiktore. Shqiptarët i kanë bërë dalmatë, kroatë, lolanë, skithë, keltë, persë.

Disa të tjerë i kanë bërë pellazgë, ilirë, po edhe maqedonas e trakë. Edhe për gjuhën shqipe mendimet e historianëve kanë qenë të ndryshme. Ato mund të grupohen në tre grupe. Disa janë të mendimit se shqipja rrjedh nga ilirishtja, disa mendojnë se rrjedh nga trakishtja dhe disa të tjerë kanë shprehur mendimin se gjuha shqipe është një përzierje e ilirishtes me trakishten.

Megjithëkëto mendime që janë shfaqur, çështja e origjinës së gjuhës shqipe, mbetet ende problem i pa zgjidhur. Konda ju fut kësaj pune të madhe e të vështirë për të provuar e vërtetuar se shqiptarët rrjedhin prej pellazgëve dhe janë autoktonë në vendet ku banojnë sot.

Teza e tij se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët dhe glosat e emrat pellazgë shpjegohen vetëm me shqipen, realizohet me anën e gjuhëve të krahasuara sanskrite, greqishte e vjetër dhe shqipe.

Duke ndjekur fillin e ndryshimeve fonetike të fjalëve dhe emrave në kohë të ndryshme, shumë fjalë pellazge janë të afërta ose të njëjta dhe shpjegohen vetëm me shqipen. Për këtë autori sjell shumë shembuj, shumë argumenta, shumë fakte, citon shumë autorë dhe pasi mban qëndrim kritik ndaj disave, jep variantin e atij që i duket më i drejtë.

SHQIPJA ÇELËSI PËR TË ZBËRTHYER FJALËT E VJETRA PELLAZGE.

Është për të theksuar se është karakteristike që në veprën e Kondës për etimologjinë e çdo fjale, sillen aq argumenta, nga një herë edhe 15 ose 20, aq vërtetime e fakte, citohen aq autorë sa nuk lihet asnjë shteg për dyshime. Dhe vërtetimet janë bindëse. Kështu, duke sjellë mjaft fjalë ku shqiptarët “takohen” me pellazgët, autori arrin në konkluzionin se shqiptarët janë pjestarë të familjes gjuhësore japetike ose indoeuropiane dhe shqiptarët e pellazgët janë të një race.

Këto takime janë të shumta.

  • Fjala – dipatyron – siç e quanin pellasgët perëndinë, korrespondon me fjalën shqipe – de – patër – patër – de = perëndi.
  • Fjala – demetër = dhe – metër, pra dhe – mëmë, me kuptimin – dhe – dheu = mëma e të gjithëve.
  • Fjala pellazge – brazer – takohet me shqipen – burazer që ka të njëjtën kuptim.

Etimologjinë e fjalës – pellazg – pas shumë ndryshimesh fonetike, Konda e lidh me fjalën shqipe – pjell = pra lindur jam prej dheut = i dhelindur.

Këto fjalë dhe të tjera, siç do të theksojmë më poshtë, nuk kanë asnjë kuptim e nuk zbërthehen në asnjë gjuhë tjetër, përveç shqipes. Ndryshimet fonetike që kanë pësuar ato, janë plotësisht të justifikuara e janë bërë sipas ligjeve të zhvillimit të brendshëm të gjuhës shqipe.

Për të vërtetuar vjetërsinë e shqiptarëve Konda u drejtohet historianëve të vjetër grekë e latinë që e kanë quajtur vendin ku banojnë sot shqiptarët Iliri dhe Epir. Pra a janë shqiptarët pasardhës të ilirëve dhe epirotasve? Autori për këtë sjell shumë fjalë toponime.

Me një punë tepër të kujdesshme, duke shfrytëzur shumë burime, ai ka mbledhur e ka rreshtuar shumë emra vendesh, fshatrash, qytetesh, detesh, malesh, shkëmbinjsh, emra burrash, grash që hasen në shumë vende të Greqisë së sotme e në ishujt e Mesdheut, pra ku dikur shtrihej “perandoria pellazge“ dhe që shpjegohen me anën e gjuhës shqipe.

  • Janë mjaft të përhapura toponimet që kanë për bazë fjalën shqipe – gur. Gura = mal në Korinth, Gura = fshat në krahinën e Janinës, Gura = qytet në Eritre.
  • Toponime që kanë për bazë fjalën shqipe – mal. Males = vargmal në Maqedoni, Males = katund në Kretë, Malesina = fshat në Fokidë, Malesiada = fshat në Akarnani.
  • Toponime që kanë për bazë fjalën shqipe – pyll. Peli =fshat në Eube, Pyla = fshat në Qipro, Pylaros = liman në Qefaloni e mjaft fjalë të tjera si dhe emra njerëzish. 

Kur toponimet shpjegohen drejt, janë dëshmuese të vërteta që provojnë se atje ku ndodhen ato, banonte populli me gjuhën e të cilit shpjegohen. Toponimet kanë vlerën e zbulimeve arkeologjike që nxjerrin në dritë objekte e dokumenta të popujve parahistorikë, po toponimet na tregojnë edhe emrin, edhe gjuhën që flisnin, pra edhe kombësinë e këtyre popujve.

Të dyja këto, gërmimet arkeologjike dhe toponomet, kur kombinohen drejt, formojnë histori të pa gabuar për popujt. Shkurt, toponimet janë gjurmët e popullit që ka banuar atje ku gjenden këto toponime.

Fjala – gur – që, siç thamë, është rrënjë e shumë fjalëve të tjera e që grekët e kanë – petra-, është fjalë pellazge, për rrjedhoje shqipe dhe është përdorur nga pellazgët në Greqi para se të instaloheshin këtu helenët. Kur erdhën aty helenët, morën nga pellazgët shumë fjalë dhe emra perëndish e u dhanë trajtë greke. Pra kombësia e parë e fjalës – gur –, është pellazge.

Dhe që në Greqinë parahomerike, përpara se të zbrisnin akejtë, para vitit 1500 p.er. banonin pellazgë, ka dëshmi historike të shumta. Kështu Homeri Argosin e quante pellazgjik dhe jo akaik. Herodoti thotë se para tij Greqia quhej Pellazgjia. Straboni dëshmon se pellazgët, popull i vjetër ishin shtrirë në tërë Greqinë. Pra, konkludon autori dhe lexuesi bindet nga këto dëshmi, del se populli që banonte në Greqi para helenëve, ishte pellazgjik.

Dhe pellazgë kishte kudo. Pellazgë në Beoti, pellazgë në Thesali, pellazgë në Thrakë, pellazgë në Mikenë, pellazgë në Argos, pellazgë në ishujt e Mesdheut, në Delos, në Hidra, në Kupros, në Pesos, Lemnos, Kretë, Kios. Dhe – pyllaion = pyll, oros maleianon = mal, junion pelagos = deti jonik, sic shihet kanë kuptim dhe shpjegohen vetëm me shqipen.

Në kapitullin e dytë të veprës Konda, duke ndjekur gjurmët e shqiptarëve të vjetër, d. m. th. të pellazgëve, jep edhe shpjegimin dhe etimologjinë e emrave të perëndive greke që, edhe ato, çelës për shpjegimin e tyre kanë gjuhën shqipe.

Kështu kryetari i perëndive greke Zeus ka kuptimin – deu – patër = dheu është babai im. Demetra = dhe mëmë, Posejdoni = zot i ujrave etj. Edhe emrat e hyjnive të tjera greke si Afërdita, Apolloni, Hera, Rea etj. – zbërthehen dhe shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe dhe kanë qënë fjalë pellazge. Sikurse thotë Herodoti emrat e këtyre perëndive grekët i morën nga pellazgët.

Dhe jo vetëm kaq, po pellazgëve u detyrohet tërë qytetërimi i më vonshëm greko – romak. Edhe këtu Konda për etimologjinë, për çdo sqarim të këtyre emrave, u referohet dhe citon tërë studiuesit dhe historianët e më parshëm që janë marrë me këtë problem. Kështu lexuesi ka mundësi të njihet me mendimet e studiuesve të tjerë dhe të krahasojë mendimet dhe variantet e tyre me ato të Kondës.

Në mjaft raste shpjegimet që jep Konda për etimilogjinë dhe kuptimin e fjalëve, në sajë të argumentave të shumta e korrekte që jep, janë më të besueshme e më bindëse se variantet e shumë autorëve të tjerë. Na duket se është mjaft bindës e logjik shpjegimi i etimologjisë së emrit të hyjneshës Athina. Sipas mitologjisë që na e jep Hesiodi, Zeusi e lindi Athinanë nga koka e tij, kurse bijtë e bijat e tjera i ka lindur me gra të vdekshme dhe hyjnesha të pa vdekshme. Bile Athinaja lindi e armatosur me mburojë e heshtë.

Konda, nisur nga ky fakt, e lidh këtë etimologji – Athina – me fjalën shqipe – e thëna. Pas ndryshimeve fonetike që ka pësuar ajo, erdhi tek forma – Athenë – që nuk është gjë tjetër vec se fjala shqipe – e thëna, pra arsyeja, mençuria e mishëruar e atit. Athinaja që lindi nga koka e Zeusit, ishte kështu hyji i diturisë, i mençurisë. Dhe Athena ishte perëndeshë pellazgjike.

Burimi:www.njekomb.com – nga Apostol Bitraku / Përgatiti për ALVA – D. T.