Në Tiranë dasma tradicionale si zakon fillon që:

Ditën e enjte, ku hapen dyert e shtëpive dhe priten me muzikë e ëmbëlsi vizitat e shoqërisë. Ndësa dhëndrin nuk e veshin dhëndër deri ditën që shkon e merr nusen.

Pastaj e premtja është dita që nisin pajën për te shtëpia e dhëndrit, apo shtëpia e ardhshme e nuses. Gratë vijnë e shikojnë se çfarë do çojnë dhe gratë andej nga dhëndri shikojnë se çfarë ka sjellë nusja. Shumë familje kanë traditat e tyre të vogla, që i kalojnë brez pas brezi. Në pjesën më të madhe të dasmave tiranase, në çdo valixhe të pajës nusja hidhte disa karamele, pak oriz dhe nga dy sytha lulesh, si për të treguar një fillim të ri e me ëmëlsi.

Dita e shtunë, për tironsit quhet dita e nuses. Kjo jo më kot, por sepse atë ditë nusja feston fundin e beqarisë dhe bën darkë pa burrin, si hera e fundit që “është e lirë”. Sipas zakonit, darka fillon rreth orës 20:00 dhe atëherë zhvillohej në ndonjë prej oborreve më të mëdha të lagjes. Në ditët e sotme kryhet më së shumti në lokal. Krushqit vijnë në darkë vetëm pas mesnate dhe janë një rreth i ngushtë familjar i dhëndrit, por që siç e pëmendëm edhe më sipër, të pashoqëruar nga dhëndri. Ata nuk qëndrojnë më tepër se një orë dhe janë të detyruar që sipas adetit, të hedhin valle për nder të familjes së nuses.

Kurse të dielën, nusja përgatitet që të lërë shtëpinë e nënës dhe zakonisht rreth orës 11 vjen dhëndri me dajën dhe me një fëmijë të vogël, i afërm të tyre, i cili i jep lule nuses ndërkohë që ajo duhet ta dorovitë. Më pas ata hipin në në pajton, dikur kohë më parë pelë e bardhë ose makinën e zbukuruar dhe bashkë me shoqëruesit nisen drejt shtëpisë së dhëndrit, ku dasma zhvillohet sigurisht, në madhështinë e saj të tejplotë. Kur hyn dhëndri në dhomë, takohet me të gjithë dhe përpara i del vëllai i nuses, ose nëse nusja nuk ka vëlla një kushëri i saj, i cili më pas e gjuan djalin me një shuplakë. E gjitha kjo bëhet sa për t’i treguar dhëndrit, se ka dikush këtu për këtë vajzë dhe ai duhet të sillet me kujdes ndaj saj, ta respektojë.

Njëri nga krushqit e dhëndrit, është si zakon që duhet të tregohet i shkathët dhe më i zoti se njerëzit e shtëpisë së nuses, për t’i vjedhur një objekt apo send të çfarëdoshëm para se të dalin jashtë dhe më pas t’ia japë të zotit të shtëpisë, duke i thënë se “ne jemi më të zotët. Jua hodhëm…!”.

Imagjinoni pak, një atmosferë me muzikë, urime, ecje dhe qëndrime me kujdesje në të njëjtën kohë, për t’u ruajtur se mos shkelet ndonjë zakon, sikundër duhet krijuar dhe atmosfera festive dhe humori që ndez festën. E mes këtyre të gjithave, përfytyroni krushqit që ruajnë palën tjetër se mos ju vjedh gjë, megjithëse gjithmonë del dikush i zoti nga “hajdutët” për shkak dhe të gjithë rrëmujës së krijuar. Nusja! Ka lezet të qajë pak…! Teksa nusja është duke kaluar pragun e shtëpisë i hedhin tek këmbët raki. Kjo ka mbetur si zakon, për të mbajtur larg shejtanin dhe syrin e keq. Por nusja pa lot në Tironë s’ka pas lezet, ndaj ka qenë si “modë” për nuset të bënin sikur qanin një çikë.

Më pas, porsa nusja del jashtë, ia shtron valles me komshijtë e të afërmit përpara shtëpisë ose pallatit, ku muzika dhe atmosfera festive nuk pushojnë për asnjë çast. Pas kësaj, nusen e zbukuruar e hipin në makinë, të cilës i kanë vënë dhe një sixhade sipër. Ndërkaq, nusja duhet të hedhë një vezë mbrapsht. Pas kësaj, makinat nisen karvan duke u rënë borive dhe bëjnë xhiro në qytet. Të gjitha shkojnë ama në një vend të bukur, siç është Kopshti Botanik, ku dhe dasmorët bëjnë foto që t’i kenë kujtim.

Nusja kur shkon tek shtëpia e burrit, te vjehrra

Sa i afrohen shtëpisë nusja me krushqit, shohin vjehrrën që del e pret te dera me një llokume, që gjysmën e ha vetë dhe gjysmën ia jep nuses, si dhe me një pjatë me mjaltë, në të cilën nusja ngjyen dy gishtërinj dhe i fshin te pragu i portës.

Pasi mbaron dhe ky detaj ceremonial, zakoni e do që nusja të hyjë brenda dhe të qëndrojë për disa orë rresht me kokën ulur, pa shikuar askënd në sy e fytyrë, duke i takuar të gjithë, e duke u thënë veç “Faleminderit!”, teksa e urojnë që të trashëgohet dhe të ketë jetë të lumtur. Pas kësaj, nusen e marrin dhe e fusin në dhomën e saj, ku i tregojnë se si ja kanë mobiluar. Nëse nusja nuk e pëlqen kjo duket shumë shpejt, pasi acarimet me vjehrrën për pozicionimet e krevatëve, kolltuqeve, tavolinave, do të jenë të pashmangshme dhe sa vjen e më të shpeshta. Kur nusja hyn në dhomën e saj shkon tek krevati, ku i vjen një vogëlush i afërm i burrit, të cilin ajo duhet patjetër që ta dorovisë. Në atë çast në dhomë hyn dhëndri, i cili ia heq këpucën nuses dhe nis t‘ia mbushë me florinj.

https://unaza.wordpress.com/ Erisa Peci http://orashqiptare.blogspot.al/  Përshtati për ALVA: R. H.