Mërgata shqiptare ose diaspora shqiptare është term me të cilin përfshihen të gjithë shqiptarët të cilët jetojnë dhe veprojnë jashtë trojeve autoktone shqiptare. Mërgata shqiptare me kalimin e kohës ka shkuar gjithnjë e më tepër duke u rritur. Edhe tek shqiptarët, sikurse tek popujt tjerë të botës ka pasur migrim të popullsisë.

Shumë shqiptarë u larguan nga trojet e tyre dhe u shpërndanë si shqipet e malit në të gjitha vendet e botës, edhe pse të larguar me mijëra kilometra, kjo hapësirë gjeografike nuk mundi ti ndajë këta njerëz me atdheun e tyre, me Shqipërinë, dhe viset e tjera me popullsi shqiptare, dhe kjo diasporë sot është bërë urë lidhëse e shtetit amë me vendet e ndryshme të botës.

Në historinë e kombit shqiptar aktiviteti i këtyre grupeve të mërgatës, jo rrallë ka luajtur një rol të madh në vendimet të ndryshme politike që janë marrë mbi qeverisjen e tokave Shqiptare. Po ashtu ka raste ku nga këto grupe janë iniciuar edhe veprime të cilat kanë ndikuar në gjuhën dhe kulturën shqiptare, shpesh herë kanë krijuar grupe të organizuara në shoqata kulturore. 

Qendrat e mërgatës shqiptare kanë lëvizur varësisht nga zhvillimet e përgjithshme botërore. Kështu që nga fillimi i shekullit I në pjesë të ndryshme të Italisë së sotme, bashkëvendësit janë organizuar në grupe të ndryshme, disa nga këto grupe në fillim kanë pasur ndikim në vendimet e Romës e me kalimin e kohës edhe kanë marrë pozicione qeverisëse në udhëheqjen e perandorisë Romake.

Fazë tjetër e krijimit të grupeve të diasporës është perandoria e Bizantit. Edhe këtu edhe pse në histori deri më tani nuk flitet për ndonjë organizim të diasporës, vetë fakti i prezencës së personave me prejardhje nga territoret shqiptare në qarqet e udhëheqjes së perandorisë Bizantine, lë të kuptoi për një formë të organizimit të këtyre personave në Stambollin e sotëm.

Me pushtimin e Ballkanit nga Perandoria Osmane, diaspora në Itali organizohet në atë shkallë saqë këtu mund të flitet për një koloni. Në anën tjetër edhe diaspora në perandorin Osmane luan një rolë gjithnjë e më të madh.

Në Itali shënohet një emigracion i hershëm dhe shumë i madh, sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe, të cilët u cilësuan si “Arbëreshët e Italisë“ dhe formuan një diasporë të madhe shqiptare, besnike dhe fisnike.

Para shkatërrimit të perandorisë Osmane qendra e mërgatës nuk duket si e koncentruar në njërin nga metropolet po ajo disi shpërndahet dhe shkon duke u rritur ndikimi i saj. Këtu janë prezentë grupet e organizuara në Stamboll, Bukuresht dhe Misir në Egjiptin e sotshëm.

Që nga viti 1937 u shpërngulën rreth 25 mijë shqiptarë të Kosovës për në Turqi, dhe sot e kësaj dite jetojnë pasardhësit e tyre në atë vend. Diasporë shqiptare ka edhe në Greqi, ku gjendet sot një pjesë e madhe shqiptare, duke përfshirë edhe shqiptarët arvanitas dhe çamët etnik.

Edhe në Kroaci, Slloveni, Bosnje-Hercegovinë, jetojnë më shumë se 100 mijë shqiptarë. Në Rumani dhe Bullgari, shumë shqiptarë kanë emigruar gjatë kohës së pushtimit otoman. Por, në gjitha këto periudha, diaspora shqiptare kudo që gjendej, ajo ishte aktive në çështjen e kulturës, traditave dhe në çështjen kombëtare. Po ashtu, edhe në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, diaspora shqiptare ishte mjaft aktive në çështjen kombëtare. 

Ndërsa, në gjysmën e shekullit 20-të, shumica e shqiptarëve emigruan në shumë shtete perëndimore, që përveç kushteve ekonomike, ishin edhe ato politike.

Në Gjermani jetojnë afro 200 mijë shqiptarë, dhe ka prej tyre që ka emigruar edhe para 45 vitëve. Po ashtu edhe në Zvicër, ka më shumë se 200 mijë shqiptarë, të cilët e përbëjnë popullsinë më të madhe e të huajve në këtë vend. Në Mbretërinë e Bashkuar ka shumë shqiptarë që kanë emigruar, por më së shumti ka nga Shqipëria. Diasporë shqiptare ka edhe në Austri, Hollandë, Luksemburg, Danimarkë, Suedi, Belgjikë, Norvegji, Finlandë, Islandë, Francë dhe shumë vende të tjera të botës së largët, si në SHBA, Kanada, Australi dhe vende të tjera. Prandaj, mund të themi se, gjithë kjo armatë punëtore e shqiptarëve gjendet në gjithë globin tokësor, të shpërndarë nëpër botë, por në ditët e nevojshme kjo diasporë u gjend gjithherë pranë atdheut të vet, të cilin e bartë më zemër kah do që shkon dhe vepron.

Me fillimin e kryengritjes në Kosovë, mërgata shqiptare në Evropën Perëndimore katapultohet për nga numri. Kjo rritje e numrit të mërgimtarëve ka sjellë nevojën e një organizimi i cili kryesisht është bërë në grupe në nivele të qyteteve të cilat kanë bashkëpunuar ndërmjet tyre në nivel të shtetit ku kanë qenë. Gjatë kësaj kohe financimi i këtyre gupeve është bërë vetëm nga vetë amtarët dhe ndikimi i shteteve ku ato grupe kanë vepruar ka qenë i vogël.

Si çdo komunitet tjetër i integruar në jetën gjermane, amerikane, angleze, franceze, apo në vende tjera ku gjindet populli jonë, ashtu edhe komuniteti shqiptarë në përbërjen e vet ka përsonalitete edhe intelektuale në fusha të ndryshme,të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në këto vende, duke promovuar edhe pjesë të vlerave kombëtare. Shumë burra të mëdhenj të kombit, që ia ndritën faqet historisë kombëtare, ishin nga diaspora. Ashtu edhe nismën për Pavarësinë e Shqipërisë më 1912, Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin dhe shumë shokë të tjerë, u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor, organizuan mbledhjen shqiptare, dhe u vendos të themelohet një komitet drejtues, e cila duhej të shkonte para Fuqive të Mëdha, për ti mbrojtur të drejtat e popullit shqiptarë, të cilët pas pak kohe shpallën edhe PAVARËSINË e Shqipërisë.

Po ashtu diaspora shqiptare e shekullit të kaluar, ishte krah i fortë dhe gurthëmel i Pavarësisë së Kosovës, ku në rastët më të ndieshme gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1999, duke e mos lënë Kosovën vetëm, por shumë vullnetarë nga diaspora iu bashkangjitën UÇK-së, deri në çlirimin e vendit, duke rënë edhe shumë dëshmorë të lirisë. Ndërsa të tjerët, nuk kursyen asgjë dhe atë më të shtrenjtën, por edhe shumë mjete dhe ndihma të tjera i afruan për bashkëatdhetarët e tyre gjatë luftës dhe pas luftës, duke rindërtuar Kosovën, pothuaj çdo cep të saj. Diaspora shqiptare në gjitha vendet e botës organizoi në gjitha format e mundshme ta ndihmojë Kosovën. Ajo u qartësoi përfaqësive botërore dhe miqve perëndimorë çështjen e drejtë shqiptare, duke dëshmuar me argumente historike realitetin që kishte Kosova në atë periudhë. Kjo diasporë kishte një korespondencë të shkëlqyeshme me këshilltarin dhe iniciatorin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentin Rugova, i cili ishte udhërrëfyesi dhe kordinator i kësaj ngjarje të madhe historike. Diaspora shqiptare është pjesë e kombit, gjithmonë me zemër dhe shpirt qëndron pranë atdheut të vet.

Burimi:Wikipedia / www.nacionalalbania.al/ Përshtati për ALVA: V. Dibra