Fustanella ka identitet shqiptar. Ajo është veshje etnike shqiptare. Mosha e saj shtrihet që në antikitet. Kështu ekzistencën e saj në truallin ilir e ndeshim që në shek.V para Krishtit. Në Maribor të Sllovenisë, pjesë e Ilirisë veriore është gjetur një figurinë guri, ku duket qartë një fustanellë.  (Fig. 1)

Fig.1 Burrë me fustanellë, Gurë gjetur në Maribor të Sllovenisë, shek.5-të para erës sonë. Kujtojmë se në shek.5-të në Slloveni jetonin Ilirët.

Po kështu në Smokthinë të Vlorës, në një gurë varri paraqitet një burrë i veshur me fustanellë (Fig.2). Nuk mund të lë këtu dhe një deshmi tjetër pa përmendur, atë të një terrakote të gjendur në Durrës, që i përket shek.IV e.s (Fig.3).

Fig.2 Burrë me fustanellë. Gurë varri gjetur në Smokthinë, Vlorë Shek.III-IV i erës sonë
Fig.3 Burrë me fustanellë . Terrakotë gjetur në Durrës shek.IV e.s

Karakterin antik dhe ilir të fustanellës e ka pohuar edhe Nopça. Madje ka mendime, se dhe veshja e ushtarit romak e ka origjinën tek fustanella shqiptare, kur mendojmë se mijëra trupa ilire formonin legjionet romake, shto këtu dhe mjaft perandorë, të cilët kanë qenë me gjak të pastër shqiptari. Këtë mendim të Nopçës, dua ta materializoj me një statujë bronzi të gjetur në Shkodër, ku duket qartë një shigjetar ilir me veshje tipike ilire, (Fig.4).

Fig.4 Shigjetari në bronz. Veshje tipe ilire, Bie në sy fustanella Gjetur në Shkodër

Një dëshmi antike mbi fustanellën na vjen dhe nga Bylisi i Mallakastrës, (Fig.5). Të shkruar në dokumenta, ekzistencën e fustanellës e gjejmë në vitin 1335, ku në inventarin e veshjeve të një marinari shqiptar në portin e Drinit pranë Shkodrës, midis të tjerave përmendet dhe “fustani” krahas këmishës1.

Fig. 5 Gjetur në Bylis të Mallakastrës i përket kohës së antikitetit

Ndërsa Konsulli frëng, Ami Bué në vëllimin e dytë, “Turqia Europiane”, (Paris 1843) quan kostum shqiptar për burra, atë që përbëhet nga: “këmisha e shkurtër, të mbathurat, fustanella, kalcet, jeleku e xhamadani, dollama, flokata, fesi e opingat”.

Të dhëna interesante për veriun shqiptar na jep dhe Konsulli austriak J.G. Hahn, kur vizitoi veriun. Ai shkruan: “Ne u çuditëm kur konstatuam që në Bicaj (Kukës), fustanella përdorej në një masë të konsiderueshme si veshje burrash. Këtë veshje (fustanellën) ne e kishim hasur edhe më parë…. në Mërtur, si dhe gjatë Drinit deri në Prizren, mirëpo në Bicaj, ajo përbënte kostumin kombëtar më karakteristik2.

Ndërsa udhëtari anglez E. Spenser në udhëtimin e tij në vitet 1847-1850 dëshmon, se fustanellën e gjeti tek shqiptarët në Prishtinë, Mitrovicë, Nish, Novobërdë …. dhe në Guci, ku për këtë të fundit citojmë: “Arnautët galantë me kostumin e tyre piktoresk, xhamadanin zbukuruar me gajtane dhe fustanellën e bardhë….”3

Të njëjtin kostatim ka vërejtur dhe diplomati rus Hilferding në vitin 1859, ku thekson se në veriperëndim të Novipazarit, atje ku fillojnë vendbanimet shqiptare, të pasurit mbanin veshur fustanellën. Fig.6

Fig.6 Shqiptar nga Novipazari. Viti 1869, sipas J. Roskieviç

Dhe ajo çka është më interesante është se fustanellen tonë e bënë pjesë të uniformës së tyre (jo zyrtare) edhe turqit. Këtë e ilustron më së miri admirali Zhyrjen dë la Gravjerë i cili shkruan: “Veshja shqiptare u bë e modës dhe për osmanët më fodullë, te cilët e mbanin me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve”4

Fustanellën e gjejmë si veshje të Ali Pashë Tepelenës, të luftëtarëve të tij, si dhe tek të gjithë shqiptarët në Atikë, More, Livadhja, ishulli Hidra e gjetkë, nëpër tokën greke, si dhe tek arbëreshet e Kalabrisë në Itali. Fustanella jonë u bë veshja e luftëtarit të revolucionit grek, ku kapedanët shqiptarë Marko Boçari, Foto Xhavella, Teodor Kollokotroni dhe trimat e tyre i dhanë lavdi luftëtarit shqiptar me fustanellën e bardhë.

Fustanella dhe kostumi shqiptar, siç e kam përmendur dhe kur fola për poturet, sot zbukuron dhe lartëson Galerinë Kombëtare të Portretit – “National Portret Gallery” në Londër, ku ruhet, si pasuri e rrallë, një portret i Bajronit veshur me kostum shqiptar.

Fustanella është shpirti dhe bukuria e valles jugore. – A mund të kërcehet vallja e Osman Takës e quajtur “Çamike” ose ¨Arvanitikoja¨pa fustanellë? 

Padyshim, është fustanella piktoreske, e harmonizuar me lëvizjet energjike dhe elegante të valltarit, që i jep valles antike shqiptare pamje mahnitëse e madhështore dhe e bënë atë magjike, duke i falur kështu shikuesit të huaj emocion të fortë dhe shqiptarit, krenari e famë. Artisti popull ka ditur të kombinojë veshjen me koregrafinë popullore, duke krijuar dhe interpretuar një valle me karakter triumfal. Triumfi i kësaj valleje do të humbiste dhe do të sakatohej, pa fustanellën piktoreske.

Fustanellën e kanë veshur me krenari Naim Frashëri në Stamboll, eruditi Faik Konica në Londër, si dhe Mbreti Zog në Tiranë. Këta burra shqiptarë e ndjenin aromën patriotike të fustanellës, ndaj dhe e vishnin atë me krenari. Ajo ishte pjesë e shpirtit të tyre, si bij të arbërit që ishin, ndaj e shijonin me kënaqësi dhe me krenari veshjen e saj.

Fundshënimet

1- Andromaqi Gjergji, Veshjet Shqiptare në Shekuj,Tiranë: Botim i Akademisë së Shkencave së RPS të Shqipërisë, V.1988, f..173
2- Cituar nga Andromaqi Gjergji, Veshjet Shqiptare në Shekuj,Tiranë: Botim i Akademisë së Shkencave së RPS të Shqipërisë, V.1988, f..50
3- Po aty f.51
4- Faik Konica, Vepra-2, Tiranë: Dudaj, 2001, f.260

Burimi:https://myzeqejaflet.wordpress.com/