Në mesin e shek. III p.e.s në krye të mbretërisë Ilire dolën Ardianët. Aristokracia skllavopronare ardiane, e cila kishte krijuar një organizim të mirë ushtarak, në vitin 251 p.e.s mori në dorë pushtetin dhe përfaqësuesi i saj u bë Pleurati. Kështu, në fuqi erdhi dinastia ardiane, që sundoi për më tepër se 80 vjet, me kryeqytet Shkodrën. Në luftë me keltët, ardianët arritën t’i dëbonin ata përtej lumit Narona, kurse në jug arritën të rrëzonin mbretëritë e vjetra të enkelejve e të taulantëve, duke e shtrirë pushtetin e tyre në tërë Ilirinë e Jugut.

Foto: Ilirët

Pas vdekjes së Peluratit në vitin 250 p.e.s erdhi në fron Agroni, i biri i tij, i cili sundoi për 20 vjet. Gjatë sundimit të Agronit shteti ilir bëri hapa të mëdhenj përpara në fushën ekonomike, politike dhe ushtarake. U krijua një ushtri e fortë dhe një flotë e fuqishme, u forcua pushteti qendror në dëm të autonomisë lokale: U rivendosën kufinjte e mëparshëm që nga Vjosa deri në Narona, me përjashtim të tri kolonive bregdetare: Dyrrahu, Apolonisë dhe Isës. Mbretëria Ilire u bë një shtet i fortë dhe një fuqi detare. Lundrimi në Adriatik u fut nën kontrollin e flotës Ilire. Me vdekjen e Agronit në kryetështetit erdhi gruaja e tij Teuta, e cila nuk ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir. Duke mbajtur aleancën me Maqedoninë, Teuta në vitin 230 para erës së re nisi kundër Epirit ushtrinë dhe flotën Ilire. Ekspedita përfundoi me sukses dhe Republika e Epirit hyri në varësinë e Mbretërisë Ilire.

Në vitin 229 para erës së re Teuta iu drejtua qyteteve bregdetare. Meqenëse Dyrrahu dhe Isa rezistuan, flota ilire nën komanden e Dhimitër Farit iu drejtua Korkyre dhe pasi shpartalloi flotën greke, e pushtoi atë. Këto fitore e bën Mbreterinë Ilire një nga fuqitë më të mëdha të pellgut të Mesdheut.

Lufta e Parë Iliro-Romake (229-228 p.e.s)

Rritja e fuqizimi i Mbretërisë Ilire vuri në shqetesim jo vetëm shtetet e Greqisë por dhe Republikën e Romës, e cila synonte të sundonte në detin Adriatik. Në vjeshtë të vitit 229 para erës së re Roma filloi luftën kundër Mbretërisë Ilire. Fati i luftës me Romën nuk u përcaktua aq nga veprimet luftarake sesa nga dobësitë e brendshme të shtetit Ilir. Qytetet e mëdha si Dyrrahu, Apolonia dhe Isa të cilat përmbanin mbështetjen kryesore të mbrojtjes u bashkuan me romakët. Njëri nga komandatët e Teutës, Dhimitër Fari tradhëtoi dhe ia dorëzoi armikut flotën Ilire dhe ishullin e Korkyrës. Në këto kushte Teuta u detyrua të nënshkruante paqen me Romën. Kushtet e paqes së vitit 228 para erës së re qenë të rënda për Mbretërinë Ilire. Teuta detyrohej t’u paguante romakëve një taksë, të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë dhe të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije. Kështu Mbretëria Ilire u reduktua në një shtet të vogël në veri të Lisit.

Lufta e Dytë Iliro-Romake (219-219 p.e.s)

Pas nënshkrimit të paqes u duk sikur në Iliri qe vendosur plotësisht sundimi Romak. Por ngjarjet tregojnë se as ilirët, as fqinjët e tyre maqedonët nuk u pajtuan me gjendjen e krijuar. Në vitet që pasuan, Dhimitër Fari u bë mëkëmbës i Mbretërisë Ilire në vend të Teutës e cila ishte larguar nga froni. Dhimitër Fari e shtriu pushtetin e tij mbi gjithë Mbretërinë Ilire dhe ndërmori një politikë të pavarur nga Roma; ai lidhi aleancë me Maqedoninë, mëkëmbi ushtrinë, ndërtoi një flotë të fuqishme dhe u bë një kundërshtar i ri për Romën.

Roma nuk mund ta lejonte këtë fuqizim të ri të Mbretërisë Ilire dhe me 219 para erës së re i shpalli lufte. Edhe këtë radhë ilirët vuanin nga përçarjet e brendshme. Një pjesë e aristokracisë skllavopronare me në krye Skerdilaidin, kaloi ne anën e romakëve. Me 218 para erës së re pas dy betejave shumë të ashpra, njëra në Dimal (midis Fierit  e Beratit) dhe të tjera në ishullin e Farit (Dalmacinë Jugore), Dhimitër Fari u mund dhe u largua për në Maqedoni. Në këto kushte Roma e cila kishte shqetësimet e saj të brendshme lidhi me të shpejtë një marrëveshje me Skerdilaidin i cili u bë sundimtar i shtetit Ilir dhe detyrohej ti paguante Romës disa taksa.

Lufta e Tretë Iliro-Romake (170-167 p.e.s)

Pas luftës që përfundoi me fitoren e Romës, ndikimi i saj mbi shtetin Ilir erdhi duke u rritur. Kjo bëri që forcat antiromake në Iliri të zgjeroheshin. Pleurati (i biri i Skerdilaidit), me gjithë përpjekjet që bëri, nuk qe në gjendje të çlirohej nga vartësia e Romës. Hipja në fron e Gentit më 181 p.e.s shënon një etapë të re përshtetin Ilir. Ai u përpoq shumë për forcimin ekonomik e politik të shtetit ilir. Ai synoi të vendoste një sistem monetar të përbashkët për gjithë mbretërinë. Ndër masat që mori, përqendroi pushtetin në duart e tij, forcoi ushtrinë dhe flotën, lidhi miqësi me shtetet fqinje dhe me Maqedoninë, kundërshtaren e re të Romës në Ballkan. Me fillimin e luftës ndërmjet Romës e Maqedonisë në vitin 171 para erës së re ilirët u rreshtuan në aleancën tripalëshe antiromake iliro-maqedono-epirote.

Flota Ilire filloi veprimet luftarake në det po nuk arriti dot të pengonte romakët të cilët në vitin 168 para erës së re zbarkuan me ushtri të shumta në brigjet e Ilirisë. Romakët i përqendruan ushtritë e tyre ne Genus (Shkumbin) e prej andej pushtuan qendrat e rëndësishme gjatë rrugës dhe u gjendën para mureve të Shkodrës. Në vend që forcat ilire të qendronin brenda mure vetë qytetit, Genti e nxorri ushtrine e vet nga keshtjella dhe i sulmoi romakët në fushë të hapur, pikërish taty ku kërkonte armiku. Ndeshja përfundoi me thyerjen e plotë të ushtrisë ilire. Genti u dorëzua rob me gjithë familjen dhe u dërgua si rob në Romë. (Varri i tij ndodhet në Umbio, Gubio).

Pas fitores mbi Shkodrën, romakët iu drejtuan Maqedonisë e cila gjithashtu pësoi disfatë. Një vit më vonë me 167 para erës së re romakët pushtuan dhe Epirin.

Pas mbarimit të Luftës së Tretë Iliro-Romake, Iliria e Jugut u copëtua dhe u shkatërrua ekonomikisht, qytetet dhe fshatrat u plaçkitën dhe u rrënuan. Për Ilirët dhe Epirotët filloi një periudhë e gjatë e sundimit romak e cila vazhdoi dhe për më tepër së pesë shekuj e gjysëm.

Burimi: www.wikipedia.org / Përgatiti për ALVA – V. D.