Kalaja e Shkodrës është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 ha. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quan “vendi më i fortë i labeatëve”. Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj.

Rozafa është një prej kështjellave më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ajo rrethohet prej ujërave të tre lumenjve: Bunës, Drinit dhe Kirit. Emri Rozafa del në mesjetë, me të cilën lidhet legjenda që ka në qendër mbajtjen e fjalës së dhënë. Si subjekt është murosja e Rozafës, nuses më të re të tre vëllezërve që ngrinin muret e kalasë, por që shembeshin natën. Në hyrje të kalasë ndodhet bozorelievi i Rozafës dhe uji gëlqeror që depërton tek hyrja kryesore dhe lidhet me fantazinë popullore si qumështi i gjirit të Rozafës , i cili u la jashtë gjatë murosjes për të ushqyer foshnjën e saj. Sot shumica e mbetjeve të kalasë i përkasin periudhës veneciane, asaj osmane (shek XVI – XVII) dhe Bushatllinjve (shek XVIII – XIX). Muret e kalasë së Rozafës kanë një gjatësi prej 880 metrash dhe rrethojnë një sipërfaqe prej 9 hektarësh. Objekte të tjera brenda kalasë janë çisternat e ujit të shek XV, katedralja e shek XIII e cila pas pushtimit osman u kthye në xhami. Aty ndodhet edhe muzeu i Rozafës që shpjegon periudhat e ndryshme të kalasë.

Burimi:Forumivirtual / Përgatiti për ALVA – Vilma Dibra