Aspirata për të mbrojtur dinjitetin njerëzor të të gjitha qenieve njerëzore, paraqet thelbin e konceptit për të drejtat e njeriut. Kjo aspiratë e vë qenien njerëzore në qendër të interesit. Kjo aspiratë është e bazuar në sistemin e përbashkët universal të vlerave të përkushtuara të të drejtës për jetë, si një e drejtë e paprekshme, dhe ofron një kornizë për ndërtimin e sistemit të të drejtave të njeriut, të mbrojtur nga normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht. Gjatë shekullit XX, të drejtat e njeriut janë zhvilluar si formulime morale, politike dhe ligjore dhe udhërrëfyese për zhvillimin e një bote të lirë nga frika dhe skamja.
Neni 1 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (UDHR), të miratuar nga Kombeve të Bashkuara në vitin 1948, u referohet shtyllave kryesore të sistemit të të drejtave të njeriut, të cilat janë liria, barazia dhe solidariteti. Liritë, siç janë liria e mendimit, ndërgjegjes, besimit, sikurse edhe ajo e opinionit dhe shprehjes, janë të mbrojtura nga të drejtat e njeriut. Ngjashëm, të drejtat e njeriut garantojnë barazi, siç është mbrojtja e barabartë kundër të gjitha formave të diskriminimit për të gëzuar të gjitha të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe barazinë e plotë ndërmjet grave dhe burrave. Solidariteti tregon të drejtat ekonomike dhe sociale, si të drejtën për sigurim social, shpërblim (pagë) të drejtë, një standard të mirë për jetesë, shëndet dhe qasje në arsim, të cilat janë pjesë përbërëse të strukturës së të drejtave të njeriut. Këto të drejta janë të sistemuara në pesë kapituj; të drejtat politike, civile, ekonomike, sociale dhe kulturore dhe janë të definuara juridikisht në dy Pakte paralele, të cilat së bashku me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, krijojnë Ligjin mbi të Drejtat e Njeriut.
“Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në pikëpamje të dinjitetit dhe të të drejtave. Ata … duhet të sillen ndaj njëri- tjetrit në frymën vëllazërore.“
“Të gjitha të drejtat e njeriut për të gjithë” ishte parulla e Konferencës Botërore për të Drejtat e Njeriut në Vjenë, të vitit 1993. Të drejtat e njeriut, janë ato që u japin fuqi individëve dhe bashkësive të kërkojnë transformimin e plotë të shoqërisë në drejtim të realizimit të plotë të të gjitha të drejtave të njeriut. Konfliktet duhet të zgjidhen me mjete paqësore, duke u bazuar në sundimin e ligjit dhe në strukturën e të drejtave të njeriut. Sidoqoftë, të drejtat e njeriut mund të ngatërrohen mes vete; ato kufizohen nga të drejtat dhe liritë e të tjerëve ose nga kërkesat morale, publike, ose të rendit publik dhe mirëqenies së përgjithshme të një shoqërie deomokratike (Neni 29 i UDHR). Të drejtat e të tjerëve, jo vetëm që duhet të tolerohen, por edhe duhet të respektohen. Të drejtat e njeriut nuk mund të përdoren për shkeljen e të drejtave njerëzore të të tjerëve (Neni 30 UDHR); kështu që, edhe pse në disa situata të jashtëzakonshme dhe raste ekstreme, mund të vihen disa kufizime, të gjitha konfliktet duhet të zgjidhen në frymën e të drejtave të njeriut.