Nga ai moment kur ti përkushtohesh me dashuri pas dijes, po nga ai moment je “anëtarë” i filozofisë. Ti bëhesh Filozof. Vetë Filozofia si shkencë nënkupton dashurinë e sinqertë ndaj dijes dhe asaj që duhet t`i shërbejë individit dhe shoqërisë, që të njohë më mirë botën dhe vetëveten. Përqëndrimi në atë se çka bartë në vete dhe me vete, është një punë serioze dhe kërkon kureshtje të vazhdueshme. Në veçanti, njohja e vetëvetes deri në thellësitë më të mundshme është një sfidë me mistere të shumta dhe njëkohësisht një rrugëtim drejt asaj fuqie të deponuar në brendinë e secilit. Në përgjithësi kjo nuk është edhe aq lehtë siç mund të duket në fillim. Në rrugëtimin drejt vetëvetes, ndihma dhe përkrahja e jashtme, si dhe përcjellja e vëmendshme e këtij zhvillimi nga dikush i cili ka arritur në nivele tjera, është shumë dobiprurëse dhe konstruktive. Pikërisht ky është edhe fokusi im, që të ofrojë kualitetet dhe arritjet e përvojës së deritanishme në këtë horizont që të ndihmojë në mënyrën më efikase të vetëdijësimit për vlerat e brendshme dhe kultivimin e një individi, i cili pastaj nuk heziton fare të jap më të mirën nga vetja për veten, për familjen, për shoqërinë dhe njerëzimin në përgjithësi.


Nuk ka fare dyshim se në një Botë, si kjo tani, e cila me çdo kusht dhe vazhdimisht vepron të të bëjë si dikush tjetër, është një nga sfidat më të mëdhaja për të qenë vetvetja! Megjithate, nga ana tjetër, mundësia që të jesh vetvetja është një nga çelësat kryesorë e dyerve drejt një Bote me më tepër Dashuri, Dhembshuri, Paqe, Bollëk, Sinqeritet dhe Respekt. Njeriu që fillon të jetë vetëvetja, ai fillon të mësojë nga vetja për veten dhe nga jeta për jetën. Ky lloj i të mësuarit kultivon një eksperiencë e prodhimit të diturisë së dorës parë. Kjo është dituri e cila lind nga përvoja, në veçanti nga përvoja e suksesshme. Në këtë gjendje të vetëdijësimit njeriu e bën veten shkollë.

Në këtë aspekt Meditimi luan një nga rolet më të rëndësishme. Të medituarit për atë se pse je këtu, cili është qëllimi i ardhjes tënde këtu, cili është roli dhe pozita jote në shoqëri, janë të domosdoshëm. Ky lloj i të medituarit krijon pyetje dhe përgjigje të reja. Nga ky çast krijohen fusha të reja të energjive pozitive dhe të pashtershme. Liria e vërtetë fillon atëherë kur ti ke guxim të jesh vetëvetja. Të gjitha llojet tjera të lirisë janë iluzione. Të jesh i lirë do të thotë të kuptosh se jeta nuk është dëshirë, por udhëtim. Jeta është hulumtim. Ajo nuk është detyrim. Jeta është kënaqësi. Ta kuptosh këtë do të thotë që të kuptosh se detyrimi dhe kënaqësi nuk shkojnë bashkë: ku ka detyrim nuk ka kënaqësi dhe ku ka kënaqësi detyrimi zhduket vetëvetiu.

Burimi:www.vetvetja.com – Sheki Useini / Përgatiti për ALVA – V.D.