Shoqata SOLIDEST, Shoqatë Ndërkombëtare Solidariteti për Zhvillimin e Vendeve të Lindjes e themeluar në Gjenevë nga kryetar Prof. Dr. Astrit Leka dhe personalitete të shquara të ONG-ve zvicerane dhe ndërkombëtare, dhe e rekomanduar në botë, në korrik 1992, nga revistat informuese të NGLS.
Shërbimi i Lidhjes jo qeveritare pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ka menduar e mendon:
• Se monumentet përkujtimore shkruajnë në sheshin publik, historinë e kombeve;
• Se një komb ka historinë e vet dhe të drejtën për të paraqitur botërisht identitetin e vet;
• Se në këtë rast kemi të bëjmë me një vizion evolutiv të fatit të njerëzimit, nëpërmjet vendit që i ruhet njerëzve, ose ngjarjeve të mëdha në kujtesën kolektive, që rimodelohet vazhdimisht, nëpërmjet artit publik monumental;
• Se kjo pasuri e pafund e skalitur, që përbën zbukurimin kolektiv të qendrave tona të banuara synon t’i afrojë kombet dhe t’i lidhë midis tyre.
Në kuadrin e veprimtarisë së saj për një njohje më të mirë midis popujve, shoqata SOLIDEST, që nuk është një fondacion, por vetëm një Shoqatë Ndërkombëtare pa veprimtari fitimprurëse dhe pa burime financiare të asnjë natyre, të hapët a të fshehtë ka bërë disa projekte me degët e saj nëpër botë. Eshtë fjala për ngritje përmendoresh të personaliteteve të shquara shqiptare që kanë dhënë ndihmesën e tyre për zhvillimin e njerëzimit si Skënderbeu, Nënë Tereza, Karl Gega e shumë të tjerë që bota shqiptare i dha si Perëndimit dhe Lindjes. Kjo veprimtari është shtrirë nga Gjeneva në Paris, Londër, Berlin, Vienë, Trieste, Barcelonë, Prishtinë, Shkup, New York, Buenos Aires, Santiago e Kilit, Johannesburg, Manila, Melburn etj.
Vitet e fundit, SOLIDEST ka bashkëpunuar me OBVL (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës antifashiste nacionalçlirimtare), me FMAC-Paris (Federata Botërore e Veteranëve dhe Viktimave të të gjitha konflikteve) si dhe me CEAC-Paris (Konfederata Europiane e Veteranëve dhe Viktimave të luftës). Kjo e fundit pas trajtimit të kësaj çështje në Asambletë e saj të mbajtura në Londër, Paris dhe Talin të Estonisë.
CEAC në Asamblenë e mbajtur në 16 Prill 2008, me propozimin tonë, adoptoi një rezolutë për të mbështetur projektet tona të kësaj natyre në bashkitë përkatëse te botës. Po në këtë rezolutë Asambleja e CEAC-ut u rekomandon organizatave europiane të veteranëve të ndjekin shembullin e shqiptarëve.
Përfundimisht në Asamblenë e saj të mbajtur më 21 Prill 2009 në Paris, me propozimin të nderuarit Astrit Leka adoptoi një rezolutë për të mbështetur projektet e tyre të kësaj natyre në bashkitë përkatëse të atyre qyteteve të mëdha ose kryeqyteteve të botës, ku kanë paraqitur deri më sot projekte për ngritje përmendoresh për një njohje më të mirë të botës shqiptare.
VETËFLIJIMI PËR MBROJTJEN E ATDHEUT, TIPAR MORAL I SHQIPTARËVE NDËR SHEKUJ (PËRMENDORE MBARËKOMBËTARE QË DO TË NGRIHET NË BORSH TË SARANDËS)
Fakte historike:
“Më 1571, në kështjellën e Sopotit (Borsh) luftëtarët shqiptarë, për të mos rënë të gjallë në dorë të pushtuesit të huaj, u hodhën në erë duke u vënë zjarrin municioneve.“ (Contarini, f.30, Venedik 1572).
“Më 1826, në luftimet e pavarësisë greke në Misolongj, çamët suliotë të Marko Boçarit, në shembullin e Sopotarëvet, për të mos rënë të gjallë në dorë të pushtuesit të huaj zgjodhën vdekjen duke u hedhur në erë dhe jo dorëzimin.”
“Më 1861, Oso Kuka me shokë u hodh në erë duke i vënë flakën municioneve për të mos rënë të gjallë në dorë të pushtuesit të huaj, (At Gjergj Fishta, “Lahuta e malësisë”).
“Më 1861 Garibaldi bëri zbarkimin në Sicili të 1000 vullnetarëve, prej të cilëve shumë arbëreshë, për Bashkimin e Italisë në një shtet të vetëm duke rrëzuar mbretin Burbon. Në një luftim një arbëresh i shpëtoi jetën Garibaldit duke i vënë gjoksin e tij plumbit burbon. Fjalët e Garibaldit në të mire të shqiptarëve, mbetën në historinë e Italisë”.
(Këtë informacion Prof. Leka e mësoi nga profesori i tij arbëresh me mbiemër Cucci (Kuçi), në Firence të Italisë në korrik të vitit 1941.
Falënderoj për konfirmim të kësaj të vërtete historike Profesorin arbëresh Mandala të Universitetit të Palermos dhe Profesorin arbëresh Altimare të Universitetit të Kozencës, kur në Manastir Shkup e Tetovë na bashkuan manifestimet e 100 vjetorit të Alfabetit të Gjuhës shqipe, që u zhvilluan për here të pare me dinjitet në Maqedoni.
“Në prill të vitit 1881, Mic Sokoli, pasi kish luftuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Plavë, Guci, në Hot, Grudë, Tuz, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Shkup, në betejën e Slivovës kundër forcave osmane u vetëflijua, duke kryer një akt trimërie të rrallë. Ai i vuri gjoksin topit të armikut dhe ra heroikisht në fushën e betejës.”
“Në vjeshtë 1912, gjatë luftës së Parë ballkanike vajza 18 vjeçare shqiptare e Maqedonisë me emrin Sulltane, duke mos duruar masakrat e komitëve vendas dhe çetnikëve serbo-sllavë ndaj populllsisë shqiptare, sidomos asaj të fshatit të vet Qafë e Gostivari, një vajzë që nuk therte dot një pulë, merr gjithë atë forcë, duke u bërë një shqiponjë. Ajo e armatosur me një gërshërë dhensh hakmerret duke lënë të vrarë në vend tre prej kriminelave masakrues, njeri prej të cilëve ishte një kapedan, nipi i Mikail Brodit, kryekomandantit të masakrave të asaj kohe kundër shqiptarëve. Kështu u vetëflijua Sulltania e Mazllëmit, vajza shqiptare që nderoi kombin shqiptar. M’u lumtë atyre që ngritën përmendoren e kësaj heroine në Maqedoni” – shprehet prof. Leka.
“Më 1998, Adem Jashari dhe familja e tij në Prekaz pranuan vdekjen me nder për të mos rënë të gjallë në dorë të pushtuesit të huaj. Ky hero duke qenë i epokës sonë, pra i njohur nga të gjithë, do të nderohet në memorialin e Borshit, pa pasur nevojë për komente të tjera.”
Shkurtimisht historiku i projektit të miratuar përfundimisht
Projekti për ngritjen e memorialit në përkujtim të vetëflijimit të shqiptarëve në Borsh ka historinë e vet. Përfaqësuesit e shoqatës janë konsultuar me shumë shqiptarë e të huaj, që e kuptojnë rëndësinë e porjektit, të cilët i kanë mbështetur. Gjithashtu atyre iu u desh të siguronin në Shqipëri mbështjen e pushtetit lokal të Lukovës, si dhe atë të Vlorës që të mund të përparonte projekti, për t’u pranuar edhe nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Sigurisht projekti gjeti edhe mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të saj, personaliteteve me vlerë të Maqedonisë, Malit të Zi si dhe të mjediseve universitare të botës së interesuar.
Rezultat i kësaj veprimtarie është edhe bashkëpunimi i SOLIDEST me Rektorin e Universitetit të Gjenevës duke prurë në Borsh një ekspeditë shkencore të Universitetit të Gjenevës më 2005 e duke e lidhur atë edhe me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Projekti u zyrtarizua në takimin në UNESCO-Paris midis SOLIDEST dhe Presidentit Moisiu, Ministrit të Kulturës Rinisë e Sporteve dhe ambasadorëve të Shqipërisë në Francë e në UNESCO (Letra e Ministrit të Kulturës e …. Dt.26.01.2005).
Një nxitje në dobi të realizimit të projektit ishin edhe diskutimet e zhvilluara në Paris nga 26 deri ne 27 tetor 2006 në mbledhjen e parë ndërkombëtare të delegatëve të 23 shteteve më të rëndësishme të botës për “Kujtesën e ndarë“.
Ky koncept i ri, “Kujtesa e ndarë” kërkon nga ata që shkruajnë historinë e një kombi, që të njohin edhe historinë e armikut para se të nisin shkrimin e historisë kombëtare. Dhe kjo shtrohet me qëllim që shkrimi i historisë të mos u lerë brezave urrejtjen kronike.
Gjatë zhvillimit të punimeve të takimit të Mbledhjes së Kujtesës së ndarë nga shumë folës u tha se 7 vjetët e fundit rinia e botës po i drejtohet patriotizmit. Këto deklarata të bëra në atë mbledhje të nivelit më të lartë ndërkombëtar i përforcuan bindjen prof. Leka se duhej të realizonte sa më shpejt projektin. Sepse një njohje nga të gjithë brezat e vlerave të trashëguara ndër shekuj si edhe mbështetja në patriotizëm do të lehtësonin shumë udhën e kombit shqiptar për të dalë nga gjendja e vështirë, në të cilën ndodhet sot. Këtë e kërkon ngritja e prestigjit tonë kombëtar që ka rënë në pikën më të ulët të historisë së tij. Ky është një shërbim që Prof. Dr. Astrit Leka i bën kombit.
Projekti i memorialit të Borshit parasheh vendosjen në të, të 7 pllakave prej bronxi, ku krahas asaj të trimave që përshkruan vetëflijimin e luftëtarëve të Sopotit (Borshit e gjithë asaj krahine), të kenë vendin e nderit edhe shqiptarët trima arvanitë, sidomos çamët suliotë të Misolongit, që luftuan për Pavarësinë e Greqisë, vend ballkanik, Oso Kuka me shokë përfaqësuesi i Shkodrës dhe shqiptarëve të Malit të Zi, i pavdekësuar nga At Gjergj Fishta i Madh, arbëreshi që i shpëtoi jetën Garibaldit, Mic Sokoli, vajza shqiptare nga Maqedonia dhe Adem Jashari me familje nga Kosova.
Në këto momente kur pranimi i projektit të tyre është bërë një e vërtetë, pasi gjeti miratimin zyrtar të Borshit, atë më të rëndësishëm të Komunës së Lukovës, autoriteteve të Sarandës Vlorës dhe vetë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, pse jo dhe mbështetjen e Ministrit të Kulturës së Kosovës, pasi arritën në etapën e fundit të realizimit të projektit.
Prof. Leka e ndjen të nevojshme të falenderojë të gjithë të huajt dhe shqiptarët e të gjitha trevave, që e kanë ndihmuar moralisht duke i dhënë zemër, si edhe gjithë ata që do ta mbështesin këtej e tutje ndërtimin e përmendores, organizimin e kolokiumit shkencor si edhe inaugurimin e saj. Një veprimtari patriotike kjo me vlerë mbarëkombëtare. Sidomosme vlera aktuale, në krahinën e Bregut të Detit, në këtë etapë të zhvillimit të historisë sonë kombëtare.
Prof. Dr. Astrit Leka – Kryetar i SOLIDEST- GJENEVË
Ish-Bashkëpunëtor i Institutit të Shkencave (1947-1954), por me Vendim të Qeverisë nr.168, dt. 12.03.1952
Ish- Këshilltar i Pëgjithshëm i FMAC-Paris, Federata Botërore e Veteranëve të luftës, me 30 milionë anëtarë
Zv. Kryetar i CEAC-Paris, Konfederata Europiane e Veteranëve dhe Viktimave të luftës
Në librin “Historia delle cose successe dal principio della guerra mossa da Selim ottomano a “Venetiani“. Në librin e Giovanni Pietro Contarini-t, botuar në vitin 1572 në Venedik, disa muaj pas vetëflijimit të mbrojtësve shqiptarë të Sopotit, shkruhet:
“Aliu (Pasha i ardhur me flotën nga Stambolli, sh. i përkth.), zbarkoi në Sopot 1500 spahi dhe jeniçerë, të gjithë të pajisur me armë zjarri të kohës për të pushtuar Sopotin. Këta, me të shtëna armësh, bënë që të tërhiqen mbrojtësit nga muret e kështjellës dhe u ngjitën mbi mure. Mbrojtësit e vendit, duke e parë veten të sprapsura armiku, u vunë zjarrin municioneve, dhe rrënimi qe aq i madh sa që u dogjën edhe 500 turq…“ (Faqe 30).
Në “PJESË NGA HISTORIOGRAFIA – TURQIT RIPUSHTOJNË SOPOTIN, Gratiani II“ gjejmë: “Ushtarët Italianë të cilët ishin në garnizon kaq shumë u tmerruan nga fama e afrimi i flotës sa që krejt për turp e braktisën kështjellën…, ia dhanë vrapit, me një turp po aq të madh sa… Shtoj se aty u flijuan vetëm Epirotët“, pra vetëm shqiptarët.
“Historia e Shqipërisë” botimi i Akademisë së Shkencave të Shqipëris. Faqe 563).”Por edhe kjo fitore nuk zgjati shumë. “Forcat e sanxhakbejlerëve të Vlorës dhe Delvinës, të përkrahura nga trupa të shumta jeniçere, e shtypën kryengritjen dhe vendosën përsëri pushtetin e tyre.“
Dashamirësit mund të komunikojnë për të kontribuar për ndërtimin e përmendores me Prof. Dr. Astrit Leka në adresën astrit.leka@bluewin.ch.
Burimi: http://www.zemrashqiptare.net/ https://albemigrant2011.wordpress.com/ Përshtati për ALVA M. P.