Thirjes së profesorit të nderuar Sazan Guri për të mbështetur nismën “Ndaj Kafshatën” iu bashkua gjithashtu për herë të parë organizata ALVA – Albanian Values – Vlerat Shqiptare me dëshirën e mirë për të qenë më pranë bashkëkombasve, dhe familjeve në nevojë në festat e fundvitit duke dhënë kontributin sado modest në këtë nismë tepër të çmuar, vlera e të cilës rritet vit pas viti.
Për më tej profesor Sazani ju sqaronte në çdo qytet apo fshat familjarëve dhe kryefamiljarëve “ne jemi pranë jush në këtë prag fundviti për të ndarë me ju gëzimin dhe idenë se ju nuk jeni vetëm dhe as të harruar, sepse shqiptari s’e harron shqiptarin.”
Populli asnjëherë nuk harron të mirën që ti i bën, kur kjo ndihmë është e sinqertë vlera rritet edhe më shumë. Kontributi i vyer i kësaj nisme ndër vite iu ka shërbyer shumë krahinave të ndryshme në Shqipëri, kryesisht fokus kanë qenë familjet në nevojë në zonat periferike në Tiranë, Skrapar, Fushë-Krujë, Kukës, Has etj. ku janë ndihmuar me qindra familje në nevojë.
Thirja e profesor Sazan Guri:
Të nderuar miq, dashamirës, kolegë, profesorë, doktorë, studentë etj.
Ndërkohë që ju jeni duke festuar me familjet tuaja, ka familje të cilat nuk e kanë këtë mundësi. Thjesht që të tjerët të ndihen të përfillur, një grup vullnetarësh ka bërë traditë, që çdo fillim viti të ndihmojë një shkollë dhe çdo fundviti të ndaj një kafshatë që për të tjerët është dhuratë e madhe.
Prandaj ju ftojmë që të ndihmoni me veshmbathje, ushqime dhe sende të tjera, që ju ndoshta nuk i përdorni shumë por që për këto familje mund të kenë një domethënie të madhe. Ju ftoj të jepni ndihmesën tuaj.
Përveçse mund të ndihmoni me çfarë të keni mundësi, jeni të lutur të na ndihmoni dhe me emra familjesh në vështirësi, të cilat ndodhen në zonat e lartëpërmendura. Dhuro diçka nga vetja jote për t’i dhënë jetë e shpresë një familje që ka nevojë për ty.
Pas thirjes së tij shumë miq u përgjigjën ashtu siç edhe vetë prof. Guri shprehet:
“Duke mbledhur ndihma, ku një fugon normal i mikut tim Turja Co nuk na doli dhe thirrëm një tjetër prej Ardenos Co, që nuk na la në baltë. Por, ajo që më magjepsi ishte sesi u gjet pa një pa dy furgoni i dytë.
Ndonjëherë edhe pak veta mund të bëjnë punëra jo të vogla. Siç duket nuk paska rëndësi numri por qëllimi, kauza. Tre veta, me pak ndihmë sigurisht, nga punëtoret e palodhur të Ardenos, të rrokësh 5.000 kg mall dhe të gatitesh nga ora 16:00 – 21:00 mbi 500 pako për 250 familje, vetëm një shpirt solidariteti dhe miqësori mund t’i bëjë. Dhe në fund të mos lodhesh. S’ka më bukuri se kjo ndjenjë, ndaj e tregojmë se mbase një ditë bëheni vetë gati për hapa të tillë.
Ajo që më çudit, o të dashur miq, është se në këto ditë mbledhje e shpërndarje ndihmash, si nuk na ndodhi një prapësi, një kthim prapa, një mos ecje, një kundërshti, një zënkë, një moskuptim. Perlë, shko tek Agna Grup, sa të duash profesor merr dhe ik, shko te Miell Diamond, hap gojën prof, shko tek Ardeno për fugon, të jep fugon e punëtorë, shko te x për karburant, llogarite dhe merr sa të duash, shko te Stela, si urdhëron miku im, vetëm jepi, shko te Miell Tirana, po patjetër profesor, një mesazh Marlotekstil Co për komplet çarçafi, të vijnë me fugon nga Berati. Vetëm kjo sa vlen. A nuk mund ta quajmë këtë një solidaritet midis njerëzve, pavarësisht vështirësive që po kalojnë.
Profesori në faqen e tij në facebook shkruan:
Në Blinisht të Pukës, banorët rreth 15 familje nuk besonin se do të shkonte Sazan Guri në këto bjeshka të nalta, por që nuk e kishim problem. Shprehja e parë e mirëpritjes prej një loke, meqenëse i vajta – a je o burrë bjeshke. Kisha dëgjuar – a je o burrë? Po pse i thashë me burrë bjeshke, është më nalt ky vlerësim, dhe bashkëpuntorët e mi më pyesnin – a u lodhe o profesor? futja kot?
Në Pukë qytet, ku banorët vinin palë-palë, pa u ndjerë, pa llafe, por dinjitozë, të papajtuar me fatin ekonomik dhe me shprehjet e zotit në gojë, merrnin ato 20-25 kile mall dhe treteshin shpejt në ajrin e ftohtë të mëngjesit.
Rrapë, Pukë, me njerëz të mirë e të dlirë, dhe mqs e thoshin aq bukur fjalën faleminderës të shoqëruar me fjalën e shenjtë Zot në mes të dukej sikur ta jepte vetë Ai. Ndoshta këtu do jetë sekreti i mbarësisë!!! Duke qenë se këto foto kanë dalë, edhe mund të themi diçka për to, jo se çoç bëmë, por më tepër se ç’pamë dhe se ç’prekëm.
Gjurmë të forta na la historia në fshatin Kryezi të Pukës, ku jeton familja Vocrri e përbërë prej 4 personash. Ylberi që është kryefamiljar, bashkëshortja e tij dhe 2 vajza, Xhesika 13 vjeç dhe Xhoana 9 vjeç që janë të paralizuara, nuk flasin, nuk reagojnë. Ato qëndrojnë vetëm shtrirë. Xhesika në njërën anë të këndit dhe Xhoana në anën tjetër të këndit. Rast i cili na shkundi nga realiteti dhe ritmi i jetës. Me këtë rast falenderojmë të gjithë ata që kanë bërë deri tani për këtë familje, veçanërisht kishën e asaj zone dhe disa misionarë italianë dhe gjermanë, apo shqiptarë me zemër të madhe.
Profesor Guri shprehet sërisht: Një grup nga ne qytetarët e përpjekur Aulon Kalaja, Manjola Perja, etj., me motivin e lënë nga këngëtari i madh Frederik Ndoci realizuam për të tetin vit rradhazi ritin “Ndajmë Kafshatën”. Deshëm dhe mundëm të ofronim ca sekonda solidaritet për njerëzit, jo pak, por për 200 persona me pamundësi ekonomike në zonën e Pukës (Luf, Pukë, Rrapëz, Fushë Arrëz, Kryezi, Blinisht e Gjegjan), dhe për 100 persona në zonat Elbasan, Tiranë e Fushë Krujë.E mbyllëm 2018 me përpjekje për të tjerët.
Ndoshta kemi bërë nga hiç në diç, Ndoshta ishte pak?! Ndaj ndjehem i pikëlluar se mund të bënim më shumë. I bindur që kisha të drejtë, por shpesh kjo nuk mjafton. Duhet edhe fuqia që bëhet me pjesëmarrjen e qytetarëve. Mali i Tomorrit, i Korabit, i Jezercës nuk rrinë vetëm, por me male të tjerë. Nëse doni zhvillim bashkë, nëse doni gjumë, veç e veç, se vetëm gjumi është individual. I urojmë përzemërsisht çdo familje shqiptare qoftë një vit sa më i begatë!
FALENDEROJMË GJITHASHTU TË GJITHË SIPËRMARRËSIT PRIVAT DHE BASHKËKOMBASIT TANË QË MBËSHTETËN NISMËN “NDAJ KAFSHATËN” PËR FESTAT E FUNDVITIT 2018.
Burimi:Sazan Guri, Aulon Kalaja – Përshtati për ALVA Manjola Perja