Në një kohë që lumturia është bërë objekt poezish, morali, tribunash, televizionesh, librash, poezish Agim Haxhija, President i Klubit Çiklistik “Gjakova-137”, atë ditë të diele gushti kishte marrë një nsimë të bukur. Me nxënësit më të mirë të shkollës u bë një garë çiklistike me moton “Të bëjmë fëmijët të lumtur”. Mund ta jetoje lumturinë edhe duke parë brezin e artë të çiklizmit gjakovar që nis nga Njazi Berisha, Rafet Gashi, Gëzimi Dulazeka nga zonja e nderuar Gona Lokaj që është ndër të parat femra që ka përdorur biçiletën në Gjakovë dhe që atë ditë kishte ardhur posaçërisht nga Kroacia e largët ku jeton tash 10 vjet. Është bukur që ta jetosh lumturinë e fëmijëve në një biçikletë që pak nga pak bëhet pjesa e ditës tënde, e emocionit tënd.

Dhe lumturia kërkon pa dyshim dhe miq ose si të thuash njerëz nga afër e nga larg që janë bërë pjesa shpirtërore e lumturisë. E mora që në mëngjes herët rrugën nga Tirana në Gjakovë. Nuk e kisha për herë të parë takimin me këtë qytet mikpritës dhe mirëdashës, po emocioni i një feste lumturie më kishte kapluar dhe mua. Po kaq shumë sa dhe ata që po prisnin që të nisnin garën e festës. Për fatin tim të mirë shofer Ramiu me furgonin e tij që nxitonte drejt Pejës, na dërgoi në orar pa nisur gara e 26 fëmijeve atje në sheshin e shkollës “Fehmi Agani”.


Drejtoresha Majlinda Doli ishte tejet e lumtur edhe pse nuk hipi në biçikletë. Krah saj ishin mësuesët e saj të gjithë shoqe që kishin ardhur në ditën e pushimit që të bënin sa më mirë aktitvitetin që do ta quaja “Dita e Lumturisë”.

E në prapaskenë ishin ata, të urtët, të mirët nënat, gjyshet, të afërm që tërë jetën kanë dhënë e kanë marrë kaq shumë dashuri dhe lumturi për fëmijët e tyre. Përherë plot kanë qenë klasat oborri i shkollës “Fehmi Agani”, po lumturia e tyre sikur kishte një aromë të veçantë. Është ritmi i jetës mbi dy rrota biçiklete që të dërgonte deri në kufinjtë e shenjtërisë që të bën të ngrihesh shpejt.

E patë Gjin Bejdonin, atë djalë që ishte ndër më të vegjëlit. Po bashkë me biçikletën e tij të larë, të pastruar të vajisur kishte uniformën më të rregullt, të hekurosur, të larë. Kishte kaskën, për të cilën Mjeshtri italian që ishte dhe bashkëorganizatori i festës Françesko Gallo, mik i shumë viteve për çiklistët e Gjakovës do na thoshte se ishte një nga këshillat dhe detyrat që duhet të zbatojë secili person që hipën në dy rrota biçiklete ani se sa vite ka në shpinë.
E pra në stol për Gjinin kishte ardhur nëna dhe gjyshja. Padyshim të dy brezat të lumtur. Që para shumë ditësh ishte bërë njoftimi për këtë festë të vërtetë jo vetëm të Çiklizmit kur ai po futet edhe në moshat më të reja, por edhe një ditë kur fëmijët të preknin lumturinë përmes lojës, garës emocionit, bashkëpunimit, njohjes, edukimit të brezave. Ishte e para herë që ky aktivitet bëhej që pas mbarimit të luftës dhe natyrisht ishte për t’u përgëzuar.

Agim Haxhinë nuk e mbante vendi nga lumturia, nga emocioni, nga padurimi dhe përgjegjësia që çdo gjë të dilte bukur, saktë. Njoftimi i dhënë ishte ky: “Në datë 20 gusht 2017, Klubi çiklizmit “Gjakova 137” në bashkëpunim me stafin e shkollës fillore “Fehmi Agani” do të organizojë aktivitet sportiv në çiklizëm me nxënësit e kësaj shkolle. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë nxënësit e moshave 7-12 vjeç dhe do të kenë mundësi të argëtohen duke treguar shkathësit e tyre në ngasje të biçikletës me pengesa. Aktiviteti do të udhëhiqet nga miku i klubit “Gjakova 137” zotëri Francesco Galo nga Italia, i cili njëherit është profesionist në zbulimin e talenteve të rinj në sportin e çiklizmit në klubin e tij, i cili vepron në Itali. Aktiviteti do të organizohet të dielën në fushën sportive të shkollës “Fehmi Agani”.

Aktiviteti filloi në ora 10:00. E nuk kisha nevojë që të merrja në fund të asaj dite recetën e lumturisë. Atë recetë për të cilën kërkojnë të na e japin sa e sa njerëz, ekrane, gazeta, libra, mikrofonë, tribuna që duan të na e thonë në mënyrën e tyre, por që nuk e arrijnë ta bëjnë kaq bukur. Ajo ishte ulur këmbëkryq atje në atë shesh ku të gjithë merrnin pjesën e tyre të lumturisë dhe që nuk harronin dhe arkitektët e asaj dite ishin drejtorja Majlinda Doli, Agim Haxhija, një djalë i mençur, punëtor dhe Francesko Gallon nga Italia.

Me drejtoreshën Majlinda ishte menduar që nga 13 klasa që kishte shkolla të zgjidheshin nga 2 fëmijë çiklistë edhe pse kërkesat ishin më të mëdha. Secili kishte dhe biçikletën e tij. Në 13 klasa nga 2 nxënës u bënë gjithsejt 26. Mes garuesve dalluam dhe Getoar Haxhinë që është djali i Agimit. Ka disa ditë që ai ka festuar mes një lumturie të re që ia dhanë urimet e mjaft miqve në 6-vjetorin e lindjes.
Fituesit u zgjodhën me kohën më të mirë 3 vajza e 3 djem. Më të mirat e vajzave ishin Melisa Zhubi, Klea Vula dhe Amiola Hoti. Nga djemtë u dalluan me vende nderi Olti Gola, Ermin Zymberi dhe Zani Shyti. Të gjithë u shpërblyen me nga dy dhurata. Një dhuratë morën të gjithë fëmijët pjesëmarrës.

 

Një takim miqsh në mjedisin e drejtorisë së shkollës ku drejtoreshë Majlinda nuk e fshihte emocionin na bëri edhe më shumë ëndërrimtarë për atë që duhet të bënim për këtë lloj sporti.

Falenderime që të bënin që të prekje një lumturi tjetër nga ajo që kishim lënë në atë shesh shkolle ku çdo gjë i përkiste një gare shumë serioze, korrekte dhe me plot emocion, edhe pse ishin në garë fëmijë me një moshë nën 12 vjeç. U hodh ideja që të gjithë nxënësit pjesëmarrës të shkruanin përshtypjet e tyre që mund të botoheshin një ditë në një libër për “Çiklizmin e Gjakovës”.
U hodh ideja që të gjithë shkollat e Kosovës të kishin në orët e edukimit fizik dhe Orën e Çiklizmit në një kohë kur biçikleta është bërë dhe duhet të bëhet edhe më shumë pjesë e jetës së përditshmen. E patë lumturinë në sytë e nënës së mikut italian Francesko. E dini se si na tha kur pimë një kafe në Hanin e Çarshisë. “Kur jam në Itali nuk e shoqëroj djalin në aktivitetet që ai bën, por kur vij në Gjakovë, dua ta ndjek sepse më duket se prej vitesh këtu jam si në shtëpinë time.” – na tha ajo.

Ja një urim qytetar për këtë aktivitet nga Besnik Dujaka: “Urim për punën e bërë. Vazhdoni ju tani edhe nëpër shkolla të tjera. Shpresoj se do ia vlejë për afirmimin e këtij sporti.”

E nuk mund të kuptohet e gjithë kjo rrugë e bukur që në këtë shkollë ka stacionin e saj të radhës pa Xenin ose Shkëlzen Rexhën që i ndjek në të gjithë shtigjet deri në Shqipëri në vendet më të vështira të gjithë brezat e çiklistëve. Është një nga fotografët më të mirë të Kosovës. I papërtuar për të gjetur më të bukurën e të bukurës. Në çdo moment aparati i tij bënte kronikën artistike të së ardhmes.

Nuk mund të mbyllej kjo “Ditë Lumturie” pa atë tryezë miqësore diku në “Hanin e Haraçisë” më të vjetër të Gjakovës. Në Çarshinë luvriane të saj. Punën e përkthyesit të italishtes e bënte Gëzim Dulozeka. E për këtë e falenderuam të gjithë. Njazi Berisha. Rafeti, Xeni, Agimi, drejtoreshë Majlinda dhe natyrisht miku i Gjakovës, Francesko Gallo më të jëmën e tij që dukej e përtërirë paksa nga mosha që kishte. Është nga provinca e Salernos Itali dhe atje drejton klubin çiklisitik. Ka vite që bashkë me Agim Haxhinë ka nisur një bashkëpunim dhe ndihmë për rizgjimin e çikizmit të të gjithë moshave qoftë dhe të vajzave të fëmijëve në Gjakovë.


Kësaj radhe ai ishte dhe drejtuesi teknik i këtij aktiviteti me mjaft mbresa për fëmijët e për të gjithë. Kishte ardhur me nënën e tij. Po shkon në kufirin e të dyzetave, po është mjaft i mbajtur energjik. Madje thotë se kur ecën mbi biçikletë, i duket se edhe toka këndon për të.
Ka një mendim origjinal për sportin e çiklizmit: “Sporti është lojë, edhe kur nuk fitohet. Vlera më e madhe e tij është që njeriu të ketë shpirtin e garës, të jetojë me të të gëzohet me të.”

Duke zhvilluar çiklizmin edhe rrugët pak nga pak do të rregullohen pra, është edhe një arsye e shtimit të kulturës së një qyteti, të një kombi. Katër këshilla duhet të ketë çiklisti para se të hipë në biçikletë, të vërë kaskën, të përqëndrohet, të jetë i sigurtë se mjeti i tij është pa difekte dhe të ketë drita për natën. Edukimi për të nis që nga mosha 5 vjeç. Në Salerno kam një djalë shqiptar mjaft të talentuar që quhet Kladio Habibi që do të jetë një talent i ardhshëm. Mirënjohja njerëzore për këtë mjeshtër të shquar është fare pak. Nuk do të ishte aspak e tepërt nëse një ditë Françesko Gallon, apo dhe Agim Haxhiajn t’i shihnim në sallën e këshillit komunal të Gjakovës për të marrë një titull nderi për tërë këtë kontribut që ata japin për këtë qytet. Sidoqoftë ata punojnë, ndihmojnë shumë për të dhe kjo është një lumturi e përbashkët e të gjithëve sidomos kur është fjala për fëmijët e shkollave.


…Nuk na doli koha që të përjetonin lumturinë e profesore Migena Arllati për dasmën e vëllait të saj në Elbasan dhe të fejesës së vajzës. Ah, nuk takuam dot edhe mikun tim Ardian Shehun që me mikpritjen dhe me dashamirësinë e tij me mençurinë ta bën më të lumtur çdo takim. Dikur në një ndërtesë disakatëshe donim që të takonim dhe bacë Sylejman Lokaj mësuesin e artistëve të artit të ngjyrës dhe të skenës, por ai ishte në Shkup.

U larguam nga Gjakova ndalëm pak në atë vend që na kujtoi të mirën, trëndafilishten Gjylgjizare Xharavininën, Zarushen e mirë që jetonte lumturinë duke ndihmuar e gëzuar të tjerët, por që vetë do ta këpuste jetën nga një aksident e pikërisht kur po ecte mbi biçikletën e bukur. 


Kodi i qytetarisë gjakovare e ka përjetësuar simboliksht me atë biçikletën dhe me garën e përvitshme që bëjnë brezat e çiklizmit me emrin e saj. Në atë vend një biçikletë me ngjyrë të bardhë si ishte vetë shpirti i saj, si është vetë lumturia, rri në rojë të kujtimit të saj. E pra e gjithë Gjakova përshëndeste ata që donin jo në një ditë por në të gjithë ditët e vitit e të jetës të mbillnin në zemrat e fëmijëve sa më shumë lumturi në.. rrotat e një biçiklete.

Burimi: Namik Selmani reportazh nga Gjakova/Përshtati për ALVA:M. P.