Në kuadër të ekspozitës “PranverArt 16”, e zhvilluar tek Galeria e Artit Tiranë, gjatë javës së fundit të muajit prill 2026, skulptorja e mirënjohur Armida Laçej paraqet veprën e saj në terrakotë me titull “Pesha e udhës”. Një krijim që fton në reflektim mbi rrugëtimin njerëzor.
Terrakota, me ngjyrën e saj të dheut dhe teknikën e lashtë të punimit të baltës së pjekur, rikthen vëmendjen te origjina e njeriut, diçka që shpesh harrohet. Në këtë vepër, materiali nuk është thjesht formë artistike, por bëhet mjet që përcjell mesazhin e thellë mbi ekzistencën njerëzore.

Përmes figurave njerëzore të stilizuara, të vendosura në lëvizje, pa tipare të dallueshme të fytyrës, artistja krijon imazhin simbolik të udhëtimit që çdo individ përjeton. Një hapësirë ku çdo shikues mund të projektojë përvojën e vet.
“Pesha e udhës” nuk është vetëm një titull, por reflektim. Figurat, ndonëse pjesë e një grupi në lëvizje, që ecin së bashku, përcjellin ndjesinë e një përvoje të brendshme personale, duke nënvizuar se çdo njeri mbart barrën e vet, por njëkohësisht është pjesë e një rrugëtimi të përbashkët. Sa të guximshëm jemi ne për ta përballuar këtë barrë, shpesh përcakton edhe kuptimin e udhëtimit tonë.
Përmes kësaj vepre, artistja Armida Laçej sjell një komunikim të heshtur artistik, ku forma dhe materiali zëvendësojnë fjalën. Mesazhi mbetet i hapur për interpretim, duke i lënë shikuesit hapësirë për reflektim mbi jetën, zgjedhjet dhe marrëdhënien me të tjerët.
Vepra “Pesha e udhës” i shtoi një dimension të thellë misionit të ekspozitës “PranverArt 16” dhe na rikujton se rrugët që ndjekim nuk janë thjesht fat por ato janë zgjedhje, rezultat i vendimeve tona. Dhe dinjiteti me të cilin i përshkojmë këto rrugë është ai që na dallon, pavarësisht nëse ecim vetëm apo mes të tjerëve.





