Gjergj Kastrioti, Heroi Kombëtar i Shqipërisë lindi në vitin 1405,  i përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e jëma ishte Vojsava.

U mor si janicer (rob) gjatë përhapjes së perandorisë otomane, së bashku me tre vëllezërit e tij si një garanci besnikërie dhe nënshtrimi të të atit të tij ndaj sulltanit turk. Gjergji, falë zgjuarsisë dhe trimërisë së tij, fitoi favorizimin e sulltanit. U edukua në oborrin e Muhamedit B’, dhe u emërua si Sanxhak Bej (komandat trupash) më i ri në të gjithë ushtrinë otomane. Që nga mosha e tij fëminore, Sulltani e admironte trimërinë e tij por edhe karakteristika të tjera që e bënin të ngjashëm me Aleksandrin e Madh dhe për këtë arsye i dha titullin Skënderbeu (iskender Bej), domethënë Aleksandër Beu.

Pas vdekjes së të Atit të tij, vendlindja e tij ju dha një tjetër komandanti, diçka që e bëri Skënderbeun të zemërohej. Megjithatë mbajti inatin e tij duke pritur shansin më të mirë  për tu kthyer në atdhe. Ky shans erdhi në vitin 1443. Arrestoi sekretarin e sulltanit dhe e detyroi të shkruante  dhe të firmoste një urdhër të sulltanit  kundrejt komandantit turk të Krujës, me të cilin  ai do ti dorëzonte Skënderbeut kalanë  dhe gjithçka përreth, dhe më pas ai do kthehej tek sulltani. Kështu me një trupë të vogël 300 kalorësish shqiptarë besnikë dhe me urdhrin e sulltanit  takoi komandantin i cili ja dorëzoi menjëherë kalanë dhe kështu gjatë natës, luftëtarët shqiptarë vranë të gjithë ushtarët turq që ndodheshin brënda kalasë.

Kryengritja që filloi në Krujë u përhap menjëherë në të gjithë Shqipërinë, ku kudo u përzunë ushtarët turq. Vetëm në qytetet e mëdha turqit rezistuan pak më shumë. Skënderbeu  ftoi të gjithë prijësat  e forcave shqiptare dhe në një kuvend të përgjithshëm ku u zgjodh dhe si komandanti i përgjithsëm i forcavë shqiptare, dhe si rezultat i këtij kuvendi në pak ditë do të mblidheshin në Krujë 12.000 luftëtarë të armatosur dhe kështu do të fillontë ekspedita antiturke.

Fitoret filluan të kurorëzojnë ekspeditat, duke bërë turqit të mos arrijnë as të mos rezistojnë, madje në shumë  qytete turqit u dorëzuan pa luftuar. Në të gjithë Shqipërinë, Skënderbeu u bë i njohur si “Çliruesi” dhe flamuri i tij, Shqiponja Dykrenare  në fondin e kuq inkurajonte luftëtarët shqiptarë.

Korrikun e vitit 1443, Mbreti i Hungarisë kërkon ndihmë nga prijësi shqiptar i cili mblodhi një ushtri që përbëhej nga 15.000 luftëtarë. Vuri forcat e tij në ngushticat e Devrës, sepse besonte në një pushtim të Maqedonisë nga turqit.  Parashikimet e tij dolën të vërteta sepse 40.000 turq nën urdhrat e Ali Pashës u shfaqën përpara ushtrisë së tij. Skënderbeu sulmoi i pari. Turqit u masakruan dhe pasi u tërhoqën, lanë pas 22.000 të vdekur. Gushtin e të njëjtit vit, Skënderbeu, komandant i 30.000 luftëtarëve filloi aleancën me Ladislavin. Despoti i Serbisë i frikësuar nga kjo ushtri e madhe nuk i lejoi të kalonin nga tokat e tij, diçka që bëri Skënderbeun të vonohej në betejën e Varnës ku ushtria kristiane ra dhe bashkë me të edhe  Mbreti Ladislav. Për tu hakmarrë për mosbesnikërinë  e despotit të Serbisë, Skënderbeu mori me luftë Serbinë Jugore  dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Pas kësaj akoma edhe Venecia ju kthye kundër, e frikësuar për fuqinë e tij por Papa dhe mbretërit e tjerë nuk pushuan së bazuari tek ai për luftën kundër turqve.

Në vitin 1445 sulltani turk duke parë se nuk kishte asnjë shpresë kundër tij, i propozoi një paqe dhjetëvjeçare në të cilën ra dakort dhe Skënderbeu, por sulltani sapo firmosi, dërgoi forcat speciale të tij  të përbëra nga 9.000 luftëtarë. Skënderbeu e kishte parashikuar një gjë të tilë dhe kishte ngritur pritë. Ishte një masakër e vërtetë, ku ishin shumë të paktë turqit që arritën të shpëtonin nga luftëtarët  shqiptarë. Të njëjtin fat kishin edhe  trupat shumë më të mëdha që sulltani dërgoi pak më vonë. Kështu sulltani e kuptoi se nuk mund tja dalë dot mbanë dhe kështu urdhëroi Gjeneralët e tij që kishte në Maqedoni, të kufizoheshin duke siguruar pozicionet e tyre aktuale.

Ndërkaq Skënderbeu prishi marëdhëniet me Venecian, e cila kërkoi disa territore Shqiptare,  duke lënë pas një pjesë të vogël të ushtrisë së tij, filloi të sulmonte Venecianët, në një betejë që ushtria shqiptare fitoi. Ndërkaq, nipi i tij Hamzai, e tradhëtoi duke marrë anën e Venecianëve, që i kishin premtuar ta bënin mbretin e Krujës kur të mbaronte lufta.  Atëherë turqit u futën përsëri në Shqipërinë Lindore. Skënderbeu menjëherë la një komandat tjetër  në perëndim dhe me një ushtri  vetëm 6.000 burrash u drejtua nga lindja.  Beteja bëri që turqit të arratiseshin për të shpëtuar jetën e tyre. Shqiptarët lanë pas 10.000 kufoma turke, dhe morën rob komandantin  dhe gjithashtu 12 prijësa të tjerë, të cilët liruan në çmimin e 25.000 dukateve. Pas kësaj beteje, Skënderbeu u kthye përsëri në luftën kundër Venecianëve, të cilët duke parë se nuk mund të rezistonin shumë akoma i kërkuan paqe. Skënderbeu pranoi  dhe Venecianët e emëruan “Qytetar i Demokracisë Veneciane dhe Kryekomandant të Shqipërisë”.

Në vitin 1449 sulltani bëri një tjetër ekspeditë, me një ushtri që numëronte 150.000 ushtarë, por me strategjinë e sulmeve të vazhdueshme të Skënderbeut, akoma dhe kjo superfuqi u tërhoq. Por Sulltan Murati u rikthye një vit më pas me  160.000 burra, të cilët kishin me vete  topa dhe makineri për të prishur muret me qëllim pushtimin e Krujës së shumë dëshiruar. Të gjitha sulmet me gurëhedhset e turqve dështuan dhe i zhgënjyer Murat B’, dërgoi ambasadorë ti kërkonin taksa nënshtrimi. Skënderbeu jo vetëm që refuzoi por, i ndoqi deri tek kampi i turqve ku dhe bëri dëme të mëdha. Të dëshpëruar tashmë, pas 5 muajsh rrethimi turqit u larguan, me Skënderbeun që i sulmonte vazhdimisht gjatë tërheqjes së tyre. Ishte një fitore e madhe që dha gëzim jo vetëm shqiptarëve por edhe të gjithë europianëve që e konsideroi këtë fitore si fitore të botës Kristiane.

Në vitin 1451 sulltan Murati ndërroi jetë dhe luftrat i vazhdoi i biri Muhamedi Pushtuesi. Filloi me Azinë e vogël dhe shumë shpejt arriti në kufinjtë shqipëtarë. Skënderbeu me luftëtarët e tij  përballuan të gjitha sulmet e vazhdueshme. Por turqit me dinakëri, blenë komandantin e Dibrës dhe ai la një pjesë të madhe të ushtrisë  të kalojë nga territori i tij derisa  arritën afër  ushtrisë shqiptare. Skënderbeu kërkoi duel por tradhtari nuk pranoi. Megjithatë lufta mbaroi shpejt me turqit që kishin pësuar humbje të mëdha. Me fitore të tilla të rëndësishme, Skënderbeu  i mbushi mëndjen prijësve gjitonë që ti dërgojnë  mekanikë dhe luftëtarë.

Paratë turke nuk vonuan të blejnë dhe nipin e Skënderbeut, Hamzanë, i cili shkoi në Stamboll  dhe i kërkoi sulltanit një ushtri 50 000 burrash për të luftuar kundër atdheut të tij. Sulltani ja dha ushtrinë por ama  nën urdhrat e Isa Beut. Ushtria shqiptare që u mblodh për të përballur trupat turke ishte vetëm 11.000 luftëtarë dhe Skënderbeu vendosi  të shmangte  luftën e hapur dhe të provokonte armikun në pjesën e brendshme të kufinjve, ku dhe do ti rrethonin në vazhdim.  Ndërsa filloi një betejë të hapur, Skënderbeu dha urdhër ushtrisë që të tërhiqej, të ndjekur nga hordhitë turke të cilat ranë në grackën e shqiptarëve. Ndërsa ushtria turke festonte emërimin e Hamzait  si komandant të përgjithshëm të Shqipërisë, Skënderbeu me luftëtarët e tij, bëri një sulm   duke i zënë në befasi  dhe thuhet se atë ditë vdiqën 25.000 turq. Hamzai u kap i gjallë ndërsa Isa Beu arriti të shpëtonte falë shpejtësisë së kalit të tij. Skënderbeu u kthye sërish fitimtar në Krujë. Duke parë dobësinë e tij, sulltani kërkoi paqe, por Skënderbeu tha se do të pranonte vetëm nëse ai do të lironte pa luftë dy qytete.

Kështu që lufta u vazhdua edhe verën e ardhshme. Turqit me një ushtri 14.000 ushtarësh arritën në kufinjtë e Shqipërisë por nuk filluan luftën, duke u munduar të merrnin një marrëveshje paqeje, diçka që Skënderbeu nuk do të pranonte kurrë derisa edhe këmba e fundit turke të largohej nga territori shqiptar. U krijua një paqe jozyrtare.  Hamzai u dërgua në Napoli ku mbahej i siguruar. Pas vdekjes së mbretit të Napolit, Hamzai do të kthehej për të organizuar një tradhëti të re kundër atdheut të tij. Dërgoi familjen e tij në Stamboll ku dhe e helmuan dhe vdiq.

Fitoret e njëpasnjëshme të Skënderbeut sollën admirimin e liderave europianë, të cilët përveç se i dhanë një ndihmë të vogël financiare nuk vajtën kurrë ta ndihmonin. Madje i kërkonin atij të vente dhe ti ndihmonte në luftën kundër turqve.

Muhamed Pushtuesi, i cili u inkurajua nga fitoret e ushtrisë së tij në tokën greke, filloi të dërgonte forca të njëpasnjëshme kundër Shqipërisë. Forca 20.000, 30.000 dhe  50.000 ushtarësh, të cilat u mundën nga luftëtarët shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Kështu, pa asnjë shpresë të mbetur sulltani i ofroi Skënderbeut  kushte paqeje përsëri, nga të cilët Skënderbeu ra dakort vetëm me njërin nga ato. Në vitin 1461 Skënderbeu dhe sulltani nënshkruan një traktat paqeje, të cilin turqit do ta thyenin edhe një herë tjetër. Skënderbeu do të vazhdonte triumfin e tij ndaj turqve deri në vitin 1466, derisa sulltani nuk rezistoi më dhe vendosi të vinte ai vetë në krye të një ushtri 200.000 ushtarësh për të rrethuar Krujën. Skënderbeu ndoqi strategjikën e kaluar, doli jashtë mureve dhe bezdiste vazhdimisht ushtrinë turke me sulme të njëpasnjëshme, derisa sulltani vendosi të tërhiqej  duke lënë pas 80.000 ushtarë, me urdhrin për të vazhduar rrethimin deri në fund. Komandanti i turqve mori një plagë vdekjeprurëse, diçka që bëri ushtarët të braktisnin rethimin.

Pas gjithë këtyre luftrave, kaq shumë fitoresh dhe triumfeve u gjend një armik që e mundi, nuk ishte gjeneral por një temperaturë e cila në moshën 65 vjecare do ti merrte jetën. Kështu Skënderbeu  vdiq në vitin 1468, pasi më parë kishte emëruar trashëgimtar djalin e tij Gjonin dhe vendin nën mbrojtjen e Venecias, të cilën konsideronte si të vetmen të aftë për ta mbrojtur derisa të rritej  i biri. Skënderbeu u varros ne Lezhë, në tempullin e Shën Ndoit. Kur Muhamedi pushtoi Shkodrën, urdhëroi të hapej varri i tij, jo për ta shkatërruar por për të shfaqur kockat e tij, në mënyrë që ti admironin njerëzit. Shumë turq e konsideronin si nder të madh të merrnin një copë nga eshtrat e Skënderbeut.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.  Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues  në shekullin e 15 dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm.

Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit. Arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë përhapjen e osmanëve  në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Europës Kristiane.

Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysëmperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Burimi:https://dituri.wordpress.com/Përshtati për ALVA – R. H.