Më 2 dhjetor 1944 u lind Dr. Ibrahim Rugova në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, Kosovë, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, apo siç njihej në ato anë, në familjen e Sadri Elezit. Familja është e njohur për tradita kombëtare dhe për qëndresë të pareshtur kundër pushtuesve. Familja i takon fisit Kelmendi, nënfisi Lajçi, e vendosur në fshatin Malaj të Rugovës, ku edhe sot i ka pronat e saj.

3 tetor 1961 boton vjershën e parë me titull “Erdhi vjeshta” në gazetën “Rilindja” (për fëmijë). 

28 nëntor 1961 boton edhe vjershën e dytë me tri strofa, me titull “Uroj – atdheut”. Në dy vargjet e para këndon: “Uroj – atdheut tim/Dy pranvera n’mot”. Në dy vargjet e fundit: “Uroj – atdheut/Përherë liri”!

1962 Në numrin 1 të muajit shkurt të revistës letrare “Jeta e re” boton poezinë me titull “Nanës”, me të cilën e fillon bashkëpunimin me këtë reviste të vetme letrare në Kosovë. Si nxënës shembullor, çdo vit zgjidhet kryetar i klubeve letrare të shkollës.

1967 Mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë

1967 U diplomua në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës

1969 Ibrahim Rugova shkruan intensivisht në revistën për kulturë art e letërsi të Prishtinës “Fjala”, ku hap një rubrikë të përhershme të titulluar “Zenitet letrare” që nga numri 3 i muajit mars të po këtij viti. Shkruan për Jeseninin, Shelin, Bodlerin e Preverin, por edhe për Migjenin e Nolin.Kah fundi i atij viti, Rugova bashkë me disa miq të tij studentë merr ta drejtojë gazetën e studentëve “Bota a re”, të cilën do ta bëjë një nga gazetat më të lexuara të kohës dhe që mban vulën e modernitetit të ideve, por edhe të kritikave shoqërore.

1970 Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismajli që janë shtyllat kryesore të gazetës “Bota a re”,  komentojnë veprat më aktuale filozofike e letrare të kohës ose përkthejnë punime apo fragmente të veprave të tyre. Nga filozofët e asaj kohe në faqet e gazetës “Bota a re” mund të ndeshen emrat si Leshek Kolakovski, Betrand Rasel, Rozhe Garodi, Lysien Goldman, Karl Jaspers, Erih From etj.  Por nuk mungojnë as punimet kritike origjinale. “Atëherë mund të botoja artikuj mjaft të angazhuar, tejet modernistë”, thotë Rugova për atë periudhë. Po në këtë vit, po ky grup krahas gazetës, nxjerr edhe revistën “Dituria”, ku përfshihen kryesisht punime të studentëve të fushave të ndryshme dhe në këtë kuadër botojnë edhe disa vepra letrare.

1971 Përkohësisht fillon të punojë në revistën “Fjala”. Diplomon në Fakultetin Filozofik. Boton veprën e parë letrare “Prekje lirike”, një përmbledhje të shkrimeve të “Zeniteve letrare”, në të cilën, “manifestoi qartë mëvetësinë dhe pavarësinë e vështrimit dhe të gjykimit, autonominë personale në fushën e kritikës dhe të interpretimit letrar”, por edhe “revoltën kundër shkrimeve kuaziobjektive që shkruheshin për letërsinë, duke zbritur më shpesh në një sociologjizëm vulgarizues”. Këtë vepër ia kushton tre më të dashurve të vet:

1972 Pasi kthehet nga ushtria punësohet si bashkëpunëtor shkencor në sektorin e letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Po ashtu regjistrohet në studimet pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës. Gjatë këtyre viteve në të përkohshmen e atëhershme boton vazhdimisht punime të ndryshme kritike dhe teoriko-letrare. Përcjell me vëmendje zhvillimet në letërsinë bashkëkohore shqipe.

1975 Në mars të këtij viti martohet me Fanë Vuthajn, me të cilën kishte rënë në dashuri katër vjet më parë.

1976-1977 Boton “Bibliografinë e kritikës letrare shqiptare 1944 -1974” (së bashku me Isak Shemën). Qëndroi gjatë një viti akademik në Paris, në “Ecole Pratique des Hautes Etudes”, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

1978 Boton veprën e dytë – Kah teoria. Është interesant se dy tekstet e para në fillim të këtij libri Letërsia si differentia specifica dhe Një korrektiv estetiko-teorik, i shkruan në vitin 1973, atëherë bashkëpunëtor i ri në Institutin Albanologjik. Janë këto pjesët kryesore të veprës, në të cilat “shtron problemin e krijimit të një rrafshi sa më autentik të trajtimit të letërsisë si krijimtari shpirtërore intelektuale”.

Në pranverë të këtij viti Rugova kthehet nga Parisi plot jetë dhe fillon projektin e vet të madh – monografinë për Pjetër Bogdanin. “Isha i mahnitur me Bogdanin”, pohon Rugova. Ndërkaq duke folur për metodën që përdor, thotë se “isha i inspiruar drejtpërdrejt nga strukturalizmi, prandaj hutoi shumë shqiptarë”.

1979 Botohet Kritika letrare (nga De Rada deri te Migjeni, së bashku me Sabri Hamitin).

1980 Rektorati i Universitetit të Prishtinës do t’i bëjë të mundur qëndrimin njëmujor kërkimor (mars-prill) në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Atje do të mbledhë lëndën për tezën e doktoranturës “Kahe dhe premisa…”, të cilën do ta mbrojë më 1984.

Në qershor i lind djali i vogël, të cilin do ta pagëzojë me emrin e babait të tij, Ukë, traditë kjo shqiptare që nipi të trashëgojë emrin e gjyshit.

Po këtë vit, Ibrahim Rugova boton veprën tjetër të radhës – “Strategjia e kuptimit”. Vepra ndahet në tri pjesë: ese, kritikë dhe teori e poezisë shqipe. Në këtë vepër përfaqësohen pikëpamjet e Rugovës për kritikën, ndërsa këta tre kapituj shenjojnë pikat kryesore të interesimit të tij si kritik prej më se dhjetë vjetësh.

Shkruan një parathënie inspirative me titull “Arti i dhembjes universale” të kompletit të veprave të Ismail Kadaresë, në botim të “Rilindjes” në Prishtinë.

1981 Në mars dhe në prill shpërthyen demonstrata të mëdha të studentëve dhe të rinisë pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, në të cilat kërkohej që Kosova të bëhej republikë në kuadër të federatës jugosllave.  Në Kosovë u vendos gjendja e jashtëzakonshme. Pastaj filloi procesi i diferencimit ideopolitik në të gjitha institucionet. Pati përjashtime nga puna. Për një fjalë goje dënoheshe me burg.

Ibrahim Rugova punon intensivisht për ta kryer projektin për Bogdanin që e kishte nisur që nga viti 1980. Tash i kishte mbetur t’i jepte dorën e fundit tekstit të shkruar. “Ishte gjendje e jashtëzakonshme, kishte ushtarë gjithandej, makina të policisë, autoblinda që shëtisnin nëpër rrugët e Prishtinës, e unë isha mbyllur dhe shkrova këtë (librin)”.

1982 Del nga shtypi vepra aq e pritur, “Vepra e Bogdanit 1675-1685” për të cilën Rugova kishte dhënë aq shumë mund e përkushtim, por do të ndjejë edhe kënaqësi të posaçme që kryen një punë të madhe. Vepra pritet mirë nga kritika dhe lexuesit.

Duke sqaruar në parathënien e librit se çfarë e shtyri të shkruajë këtë vepër thotë se është “habitur dhe befasuar” ku ka gjetur se si Bogdani, “pos çështjeve të tjera filozofike -teologjike e filozofike-shkencore, fliste edhe për metaforat, për tropologjinë dhe për figurat e ndryshme të retorikës, si dhe për disa aspekte të poetikës”. “Mirëfilli u entuziazmova dhe iu ktheva punës që këtë intuicion dhe entuziazëm ta kthej në argument dhe në vlerësim, shkurt në njohje të veprës”.

Në të vërtetë Rugova, i entuziazmuar me veprën e Bogdanit “Çeta e profetëve”, ndërpret përkohësisht punën në tezën e disertacionit, që e kishte marrë më 1979, dhe e shkruan monografinë për Bogdanin.

Për këtë vepër R. Musliu shkruan: “Bogdani i monografisë në fjalë, thënë shkurt, është Bogdani i Ibrahim Rugovës. Kjo monografi antologjike më në fund hap periudhën e studimeve bogdaniane, por aq edhe të letërsisë së vjetër shqipe”,.

Ismail Kadare shkruan më 1990 se si s’është e rasti që Rugova para se të niste udhën e lirisë u zhyt në botën bogdaniane. “Vjersha kozmogonike e Bogdanit, ajo që e mahniste Poradecin, është quajtur prej një prej studiuesve të tij, mikut tim Ibrahim Rugova, tani kryetar i Partisë (Lidhjes, v.j.) Demokratike të Kosovës ‘Krijimi i rruzullimit’”.

Monografia për Bogdanin do të ribotohet edhe njëherë në Prishtinë më 1990 dhe në të njëjtin vit edhe në Tiranë.

1984 Mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinësë me titull “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare, 1504-1983”.

1986 Boton në Prishtinë veprën Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (600 faqe), në të cilën kishte punuar disa vite dhe kishte derdhur aq shumë mund. Kjo vepër do të ribotohet dhjetë vjet më vonë edhe në Tiranë (më 1996).

Studiuesi i letërsisë shqiptare dhe pa dyshim njohësi më i mirë i opusit letrar të Ibrahim Rugovës, Sabri Hamiti, për këtë vepër shkruan se “me ndërtimin, strukturimin, kërkimin, argumentimin, referencat gati shteruese, kapërcen qëllimet fillestare të një monografie dhe merr përmasat e një enciklopedie për kritikën shqiptare si disiplinë të mendimit dhe të kritikës letrare shqipe”.

Pasi e vlerëson si veprën më të madhe e më të ndërliqshme kritike të I. Rugovës, dhe si një enciklopedi të kritikës. S. Hamiti thotë se ajo është edhe “një nga veprat më të mëdha të kritikës shqiptare, duke e bërë vetvetiu autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë”.

“Kam pritur nga shkrimtarët që në frymë të vokacionit të tyre, të flasin për Kosovën si humanistë. Këtu vërehet një dyfytyrësi e madhe: në njërën anë për vete kërkohet demokraci, e për të tjerët një represion dhe negacion total. Mendoj se për Kosovën duhet kërkuar më shumë demokraci, humanizëm e mirëkuptim e më pak represion, se do të jetë më mirë”.

1987 Boton librin “Refuzimi estetik” dhe kjo është vepra e tij e fundit letrare. Libri e ka marrë titullin nga eseja që është në ballë të librit. Në parathënien e librit Rugova sqaron se vështrimi përqendrohet në refuzimin estetik, si kategori e teorisë së funksionit të artit në një kuptim më të çliruar e jo si funksion i drejtpërdrejtë. Por ai thekson se kjo kategori ka edhe konotacione të tjera, se si “para situatave të caktuara që sjell rrjedha e kohës, nuk bën t’i mbyllësh sytë, po të forcosh vetë dijen letrare… të insistosh në krijimin e hapësirave të krijimit…”. “…sepse në qenien njerëzore është të refuzojë dhe të aprovojë, po të refuzojmë kur duhet, cilësi e vërtetë njerëzore dhe intelektuale”.

Por si e shpjegon vetë Rugova refuzimin në këtë ese? “Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm”.

“Kalimi nga një refuzim në tjetrin është krejt i natyrshëm dhe për këtë vepra e plotë e Rugovës është model i koherencës së njeriut të ideve dhe të njeriut të veprimit, i ideologut dhe politikanit, i njeriut të rrethanave dhe njeriut largpamës të së ardhmes”.

Emërohet kryeredaktor i revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” që e boton Instituti Albanologjik në Prishtinë.

1988 Ibrahim Rugova zgjidhet kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
23 dhjetor 1989 Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

1989 Rugova në vjeshtë për herë të parë shkon në Nju-Jork, ku merr pjesë dhe flet në një tubim kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të tij të dashur Pjetër Bogdani.

Ibrahim Rugova vihet në krye të partisë së parë alternative, të themeluar më 23 dhjetor – Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën do ta drejtojë për 16 vjet.

1990 

Në fund të muajit gusht në Kosovë vjen një delegacion i senatorëve dhe kongresistëve amerikanë në krye me senatorin Bob Dol. Policia me masa represive e me gaz lotsjellës nuk lejon tubimin e shqiptarëve për t’i përshëndetur mysafirët, madje mezi lejon ardhjen e tyre nga aeroporti deri në hotelin Grand.

Më 7 shtator deputetët miratojnë në Kaçanik edhe Kushtetutën e pavarësisë.

Nga fundi i shtatorit Rugova viziton SHBA-të. Ndërsa ndodhej në Nju-Jork, në Prishtinë, më 29 shtator, i lind vajza Teuta, të cilën e pagëzon nga atje.

7 shtator deputetët miratojnë në Kaçanik edhe Kushtetutën e pavarësisë.

Nga fundi i shtatorit Rugova viziton SHBA-të. Ndërsa ndodhej në Nju-Jork, në Prishtinë, më 29 shtator, i lind vajza Teuta, të cilën e pagëzon nga atje.

1996 Në pranverë zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës (ASHAK).

Mars 1998 Rizgjidhet Kryetar i Republikës së Kosovës. 

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

1995 Presidenti Rugova më 22 nëntor 1995 nderohet me Çmimin për Paqe dhe Liri i Fondacionit danez PL – FONDEN. Në njoftimin e këtij fondacioni thuhet: “Arsyeja pse çmimi ju jepet sivjet Ju është puna Juaj brilante për paqe dhe liri në Kosovë, si dhe lufta Juaj kundër diskriminimit etnik në rajon”.

1996 U shpall Doktor Nderi “Honoris Causa” i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.

Në janar, me iniciativë të Komitetit Danez për Kosovën, Komitetit të Nobelit në Oslo iu dërgua kandidatura e Presidentit Rugova për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 1996. Në kërkesën për ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe, jepen shënime biografike, shkencore e politike të Presidentit Rugova dhe përfshihen momentet më të rëndësishme politike të viteve të fundit në Kosovë.

1998 I dorëzohet çmimi “Saharov” i Parlamentit Evropian më 16 dhjetor. “Pavarësia e Kosovës do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Së pari do të qetësonte Shqipërinë, Maqedoninë madje edhe Serbinë. Pra do të ishte një faktor stabilizues në rajon. Po punojmë në një marrëveshje kalimtare për Kosovën, e cila do të qetësonte gjendjen, do të linte derën e hapur për të ardhmen e saj”, tha ai në ceremoninë e marrjes së çmimit. Nërkaq dy ditë më vonë në Pragë e merr çmimin “Homo homini”.

1999 Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).

2000 Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.

2004 Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, “Çmimin e Evropës për vitin 2004”. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:

Mbreti i Spanjës Huan Karlos,  Helmut Kol, Ronald Regan, Oto fon Habsburg dhe Emil Konstantinesku.

16 shkurt 2004 Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).

2 shkurt 2004 Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, është shpallur “Senator Nderi i Evropës” nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.

9 shtator 2004 Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi “Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës.

20 nëntor 2005 Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese. 

21 janar 2006  pushon së rrahuri zemra e Presidentit të Parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Burimi: https://telegrafi.com/kush-ishte-dr-ibrahim-rugova/ http://ibrahimrugova.al/index.php/biografia/ ALVA – Manjola Perja