Murat Toptani, si mjeshtër me talent dhe prirje që kishte në çdo gjë, e punoi bustin e Skënderbeut në bronz, gjatë qëndrimit në Kalabri, me sa dihet i pari skulptor shqiptar, që i kushtoi një bust heroit kombëtar, ndërsa më vonë në vitin 1917, ai e gdhendi dhe një bust tjetër po për Skënderbeun, e cila  ruhet në  Galerinë e Arteve në Tiranë. 

Murat Toptani 1896

Murat Toptani ka qenë i vetmi artist tiranas, bashkëkohës me krijuesit më të hershëm shkodranë e korçarë, që përbënin dy vatrat më të rëndësishme dhe më të hershme të artit shqiptar në fund të  shekullit 19-të. Ndërkohë ai ishte i pari dhe i vetmi skulptor i njohur në ato vite për gjithë artin shqiptar. Vepra e tij e fundit, busti i Skënderbeut, e vetmja që ruhet nga gjithë krijimtaria disavjeçare, sot është e para skulpturë me të cilën fillon arti i Rilindjes në Galerinë Kombëtare.

Historia e bustit dhe aksidentimi i tij, treguar nga studiuesi Prof. Dr. Ferid Hudhri

Në dhjetor të vitit 1917, Murat Toptani u kthye përfundimisht në Tiranë. Po atë vit filloi edhe krijimin e një busti tjetër për Skënderbeun që e realizoi në baltë të pjekur. Qysh pas mbarimit në baltë të pjekur (më 1917), në ekspozimin e parë (1931), në ekspozime të tjera e deri në vendosjen përfundimtare në Galeri ky bust ka një histori të veçantë që veç hulumtimeve të studiuesit Prof. Ferid Hudhri, plotësohet edhe me kujtimet e Skulptorit të Popullit Odhise Paskalit, të shkruara posaçërisht për plotësimin e monografisë së Murat Toptanit.

“Ndër ato ditë mësova se busti i Skënderbeut i Murat Toptanit, që unë e njihja nga një kartolinë e botuar, ishte pronë e familjes së Said Toptanit, djalit të madh të skulptorit dhe se ajo punë ishte në argjilë të thatë. Takova Saidin dhe i fola për rëndësinë e ekspozitës, duke theksuar se prania e bustit të Skënderbeut të Murat Toptanit do të ishte një ngjarje e shënuar për kulturën tonë. Saidi pranoi të ma dorëzojë veprën.”.

Murat Toptani duke punuar me bustin e Skënderbeut

Kështu kujton prof. Hudhri. Ndërsa për publikun shqiptar, busti i Toptanit bashkë me një portret të N. Martinit u vendosën në krye të sallës, të pajisur me nga një shirit të zi, për të nderuar kujtimin e të dy artistëve të vdekur. Në atë ekspozim të parë, busti pësoi edhe dëmtimin e parë. Salla e ekspozitës ishte vazhdimisht e mbushur plot dhe njerëzit mezi lëviznin përpara punimeve. Ditën e tretë, nga pakujdesia e disa vizitorëve, busti i vogël i Skënderbeut u lëkund e ra për tokë, anash bazamentit.

Sapo e mësova këtë – kujton Paskali,- vrapova me hidhërim të madh, nxora shaminë dhe i mblodha të gjitha pjesët e thyera, që nuk ishin pak, por dhjetëra copëra të vogla. Lajmërova së pari djalin e Muratit, që ma kish dorëzuar në besim dhe e sigurova se do ta restauroja bustin dhe do ta derdhja në bronz që mos të prishej më kurrë.”

 

Odhise Paskali ringjall veprën e dëmtuar

Po atë vit, Paskali shkoi në Torino dhe një nga kujdesjet e tij të para, ka qenë restaurimi i bustit të vogël të Skënderbeut, krijuar nga Toptani. Punoi mbi modelin e vogël duke përdorur thjerrëz zmadhuese mbi kartolinën, që ishte botuar sipas origjinali të Toptanit dhe copave të argjilit, që kish marrë me vete. Derdhi në bronz dy ekzemplarë dhe i shënoi me numrat romakë I dhe II. Në dhjetor të po atij viti, Paskali u kthye në Tiranë, me të dy bustet e vogla të Skënderbeut prej bronzi. Historiku i këtij busti, sipas Paskalit, vazhdon si më poshtë: “Ekzemplarin nr. I ia dorëzova Bibliotekës dhe Muzeumit Kombëtar për selinë e institucionit (ish ndërtesa e Monumenteve të Kulturës) dhe ai u vendos në një vitrinë ku ishin objektet arkeologjike. Ekzemplarin II ia dhurova djalit të skulptorit ta ruante në familje në vend të origjinalit prej balte të thatë që u thye. Pasi u vendos në “Ekspozitën e parë Kombëtare” (Tiranë, 1931)  Skënderbeu i Toptanit është paraqitur edhe në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit dhe të Teknikës, të hapur në Paris, në tetor të vitit 1937. Busti u ekspozua në vendin qendror të pavijonit shqiptar, siç duket edhe për rëndësinë e figurës që përfaqësonte. Shumë vite më vonë, – kujton prof. Hidri, – më 1958, kur isha drejtor i Galerisë së Arteve, më takoi të vete një ditë në Muzeun Etnografik, për të kërkuar një dorëshkrim mbi mjekësinë popullore kur, rastësisht, më zuri syri, brenda në një raft, bustin e vogël prej bronzi të Skënderbeut, të mbyllur atje pa qëllim.

Skulptura e restauruar nga Odhise Paskali

Drejtori i muzeut pati shkathtësinë të ma japë bustin aty për aty, pa asnjë formalitet, gjë që shtoi gëzimin tim dhe unë e vendosa në galerinë tonë, i qetësuar më së fundi se angazhimi im shumëvjeçar u plotësua. Më 1967, me rastin e vitit jubilar të 500-vjetorit të Skënderbeut, muzeu i Krujës siguroi një bust të vogël prej bronzi të Skënderbeut. Ishte ekzemplari II i bustit të Murad Toptanit, që unë i kisha dhënë më 1931 familjes së djalit të skulptorit.

Kur Toptani krijonte Skënderbeun nën frymën e Rilindjes Italiane

Në korrik të vitit 1898, Toptani u vendos në Brindisi, midis arbëreshëve dhe shqiptarëve që luftonin për çështjen kombëtare. Pasioni për artin dhe sidomos dëshira për të nxjerrë një vepër dinjitoze për figurën e Skënderbeut, që ishte shndërruar në simbol të bashkimit të shqiptarëve, e nxitën Muratin që punën e lënë përgjysmë në Tiranë ta përfundonte në Itali. Mblodhi baltë dhe filloi nga puna. Veç përvojës së deritanishme, nga udhëtimi në Itali, ai ishte pasuruar edhe nga përvoja e mjeshtërve italianë, statujat e të cilëve i vëzhgoi në muzetë dhe sheshet e qyteteve. Ky ndikim ndjehet edhe në veprën e re të Toptanit. Sapo e përfundoi bustin e Skënderbeut, i dërgoi një letër Visar Dodanit në Bukuresht dhe i shpjegon gjatë për krijimin e tij, për mundësinë e riprodhimit në disa kopje, për ti shpërndarë midis shqiptarëve dhe hollësira të tjera. “Këtë bust e kam ba pas një tabloje të Marqer Aulettës e Dora dIstrias e Konfortit. Ishin tri si njëra edhe tjetra. Tabloja e kish pothuaj plak, unë e bëra më të ri, e mvesha me hekur, sikur shikon armikun me sy të egërsuar”. Letra e mësipërme, përveç të tjerave, na jep edhe njoftimin se, në atë kohë, edhe tre autorë të tjerë kishin realizuar figurën e Skënderbeut në art, nga të cilët njohim më mirë Dora d’Istrian. Për Konfortin (Girando Conforti), V. Dodani në librin e tij shkruan se është një arbëresh i Italisë, një njeri me kulturë të gjerë, që punoi për çështjen kombëtare. Banonte në koloninë e shqiptarëve në Napoli.

Për skulpturën e Toptanit botoi njoftim të veçantë edhe gazeta “La nuova Albania” e datës 6 mars 1899 nën titullin “Il busto di Scanderbeg”. Njoftimi i kësaj gazete është i rëndësishëm jo vetëm se është një dokument tjetër që dëshmon për datën e krijimit të bustit, por edhe për faktin se, nga kërkimet e deritanishme, ky është i pari shkrim në gazetat e shekullit 18-të që komenton një vepër arti të realizuar nga artistë shqiptarë. 

Skulptura e Skënderbeut punuar nga Murat Toptani

Pasi tregohet se Toptani e ka skalitur në mermer figurën e Skënderbeut, në gazetë bëhen edhe komente rreth realizimit të veprës dhe vlerave të saj. “Është një Skënderbej po jo prej atyre që kemi parë nëpër telajot, ku paraqitet mjaft i moshuar. Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, këtu na jepet në kulmin e moshës së pjekur, me përkrenare në kokë dhe me vështrim të ëmbël e krenar në të njëjtën kohë. Dhe ne, duke marrë parasysh sakrifica jo të vogla, e pasi kemi kaluar mjaft prej tyre, mund tju ofrojmë kopje në terakotë, shumë të ngjashme me origjinalin, e me një vlerë aspak të kushtueshme. Do të bëhen edhe kopje të bustit në madhësi natyrale… Për këtë jemi të sigurt se asnjë shqiptar, asnjë bashki e vendbanimeve shqiptare në Itali, nuk do të donte ta linte ti kalojë ky rast për të mundur tu tregojë të gjithëve që e admirojnë fytyrën e tij që me të drejtë pesëqind historianë dhe biografë e shënojnë ndër prijësit më të shkëlqyer të ushtrive, e që ishte mburojë e vetme kundër pushtimeve të gjysmëhënës, së cilës i rezistoi heroikisht për shumë vjet, pa pësuar asnjë humbje… prandaj dëshirojmë ta shohim të ngritur lart figurën e heroit tonë, mbi kolona e baza graniti, mbi altare…”.

Burimi:http://www.arkivalajmeve.com Denisa Kona / Përshtati për ALVA: M. P.

Artikulli paraprakGazeta shqiptaro – amerikane “Illyria”
Artikulli tjetër“Valltari fluturues” – Rexhep Çeliku “Mjeshtër i Madh”