Mjeshtri Rexhep Çeliku ka lindur më 19 korrik 1954 në Tiranë, i cili që nga viti 1976 ka qenë solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Rexhep Çeliku, biri i një çiraku gjirokastrit në nxjerrjen dhe gdhedjen e gurit, e më vonë si restaurator i kishave dhe xhamive në Tiranën e paraçlirimit, vazhdoi traditën shqiptare në gdhendjen e valles popullore në tempullin e kulturës – Ansamblin e Shtetit si “Kërcimtar fluturues”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj.

Një punëtor shembullor në uzinë, falë aktivizimit të tij në grupet amatore dhe fizikut të përshtatshëm të një kërcimtari me perspektivë, evidentohet nga mjeshtri Panajot Kanaçi si talenti që do të zëvendësonte valltarin shqiponjë  Besim Zekthi. Pas konkursit, emërohet solist në Ansambël dhe rruga artistike e tij do të jetë gjithmonë në rritje.

Me një punë të vazhdueshme, të lodhshme, me një përkushtim dhe vullnet shembullor për artin, mbështetur mbi vlerat e trashëgimisë artistike në fushën e vallzimit, Rexhep Çeliku përvetëson thellë nektarin e shpirtit shqiptar dhe prezantohet me vlerat e një kërcimtari që do të pushtonte skenën. Panajot Kanaçi i besoi rolin e solistit në vallet e luajtura nga Besim Zekthi me partneret e mirënjohura Lili Këlliçi, Lefta Mullisi, Veronika Mone, etj.

Në vititn 1975 iu besua detyra e solistit në “Vallen e Prespës”. Në vazhdimësi do të interpetojë me “Artisten e Merituar” Lili Cingu, duet i mirëpritur nga spektatori si “Dy shqiponja që fluturojnë duke kërcyer”.  Spektatorët duartokisnin dhe ndjenin kënaqësi artistike dhe estetike, veçanërisht në  interpretimet e tij tek:

  • “Vallja e shqipeve”
  • “Luftëtarët e lirisë”
  • “Valle me motive të Dibrës”
  • “Valle me motive të Çamërisë”
  • “Valle me motive korçare””Valle me motive të Tropojës”
  • ”Djemtë e fshatit”
  • “Valle gorarçe”
  • “Valle me motive të Kukësit”
  • “Dueti i shqipeve”
  • “Dashuri e zjarrtë cigane”
  • “Maratonomaku”
  • “Bilbilenjtë”
  • “Dasmë tiranase” etj. etj.
  • Gjatë turneve dhe konkurimeve jashtë shtetit, nga media dhe personalitete të ndryshme, është cilësuar si valltar me cilësi të larta atistike. Në 17 qershor 2001, Rexhep Çeliku shkëlqeu në maratonën koreografike, “Kërcimtari fluturues”,me koreografi të Agron Aliaj dhe partnere Brikena Jaupaj, e cila zëvëndësoi denjësisht  Lili Cingun.

Në krijimtarinë e vet artistike Çeliku mishëron  një galeri figurash dhe karakteresh nga vallet e trevave të ndryshme të Shqipërisë etnike. Lëvizjet burrërore, karakteri i kërcimit fluturak,  finesa dhe plastika e zhdërvjellët, plot figura koreografike që sjellin emocione dhe kënaqësi estetike,  kanë qenë disa nga motivet që e bënë të dashur figurën e tij tek mbarë shqiptarët, brenda e jashtë kufijve shtetërorë. Arritja e pjekurisë artistike e ndihmoi Çelikun të merrte pjesë në baletet “Bijtë e peshkatarit”, “Shota dhe Azem Galica”.

Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në 500 shfaqe në skena të ndryshme në tre kontinente, ka marrë pjesë në 30 festivale ndërkombëtare, ka interpretuar në 3000 shfaqe artistike;

Vlerësime dhe Çmime

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “Për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka vlerësuar me dekoratën “Nderi i Kombit” valltarin dhe “Ambasadorin e kulturës shqiptare” Rexhep Çeliku me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Është vlerësuar me dhjetë Çmime të para “Si interpetuesi më i mirë”.

Përveç punës si solist i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Rexhep Çeliku ka kontribuar edhe si koreograf në trupat amatore me:

  • Grupin e studentëve universitarë,
  • Grupin e Kombinatit të Tekstileve Tiranë,
  • Grupin e Kombinatit “Josif Pashko”,
  • Grupin e nxënësve të shkollave të mesme.,
  • Ansamblin e Strugës,
  • Ansamblin “Shote Galica”, Prishtinë dhe Drenas.

Gjithmon i palodhur dhe vazhdimisht modest në komunikimin me punëtorët dhe nxënësit e shkollave me të cilët punonte. Ka punuar si pedagog në Akademinë e Dancit Shqiptar dhe prej shumë vjetësh ka drejtuar trupën e Ansamblit Shtetëror si koreograf i saj. Dhjetra dashamirës të tij, të cilët e adhuronin në shëtitje, nëpër lokale, bisedonin ngrohtësisht dhe i shprehnin atij mirënjohje pa kufi. Shumë nëna, që shoqëronin fëmijët, i drejtoheshin për një fotografi. Mjeshtri ishte shpirtërisht i lidhur me popullin e tij.

Monografia “Valltari fluturues” e autorit Dedin Suli për “Mjeshtrin e valleve Popullore” Rexhep Çeliku

Kjo monografi i dedikohet mjeshtrit të valleve popullore Rexhep Çeliku, i cili numëron mbi 45 vjet krijimtari artistike në skenë. Duhen shumë libra që të shkruash për jetën e një artisti si Rexhep Çeliku, sepse ka edhe detaje jashtë jetës artistike që përsëri lidhen me artin. Pra janë shumë gjëra që në libër edhe nuk janë shkruar por kjo ju mbetet autorëve të tjerë të shkruajnë për krijimtarinë e tij të vyer me vlera kombëtare. Mjeshtri Rexhep Çeliku u shua nga jeta në 12 janar 2018.

Burimi: www.wikipedia.org / www.gazetadita.al Fitim Çaushi / www.presidenti.al / www.shqiperia.com/ Përshtati për ALVA: R. H & Manjola Perja