Quhet Astrit Leka, gjatë luftës pseudonimi i tij ka qenë “Alariku”, është mbi 90 vjeç, i përket brezit të paraluftës, të luftës, të komunizmit dhe postkomunizmit. ka hyrë në lëvizjen nacional çlirimtare shumë i ri, pasi braktisi studimet e mesme në Itali. Ndonëse me prejardhje nga një familje e pasur e Borshit të Sarandës, ideali i lirisë dhe i të ardhmes të begatë të vendit e popullit e shtyu edhe Astritin, sikurse mijëra të tjerë, në luftën çlirimtare. Ka qenë njëri prej përfaqësuesve komunistë të grupit të Shkodrës dhe njëri prej drejtuesve të njësiteve guerile në Tiranë, Pejë, Mitrovicë, Shkup, etj. Ka qenë shok shkolle me Qemal Stafën në Firence dhe shok klase me Ramiz Alinë, në Shqipëri, ndërkohë që me Qibrie Ciun dhe disa të tjerë ka qenë në burg. Ka mbaruar disa fakultete me nota të shkëlqyera, megjithëse gjatë periudhës së komunizmit rezulton si punëtor për shkak të  masave komuniste ndaj tij. 
4 prill 1939, në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë nga ushtria e Musolinit, në Liceun francez të  Korçës, një profesor lexon tregimin “Ora e fundit e frengjishtes“ e Alfons Dode, pastaj ai shkruan në drrasën e zezë:  “Të vdesish për atdhe është  fati më i mirë.“ Në klasë një djalë14 vjeçar i përgjigjet flakë për flakë me vargjet e  një poeti kombëtar: “Kush ban dekën për atdhe s’thonë ka dekë por thonë ka le” reciton Astrit Leka, me natyrë  impulsive vargjet e At Gjergj Fishtës. I nipi i Nebi Sefës, një nënshkruesi të  aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe nip i Ibrahim  Lekës, i cili siguroi ushtarakisht mbrojtjen e delegatëve të Vlorës. Ky djalë shumë i ri  e kishte patriotizmin në gjak.
Nuk e pranuan vullnetar për të luftuar kundër ushtrisë së Musolinit. Por në moshën 16 vjeç ai braktis shkollën në vitin 1941,  për të filluar luftën për çlirimin kombëtar kundër pushtuesit fashist e nazist. “Kam luftuar në brigadat partizane,  por edhe  si drejtues i dalluar njësitesh guerrile, duke marrë  pjesë në më se 44 aksione lufte” tregon ai që në  kohën luftës quhej “Alarik”.
Në bazë të dokumenteve, Astriti figuron në Qarkorët e parë të Rinisë Komuniste. Ai ka qenë edhe në grupin koordinator të rinisë për bashkërendimin e veprimeve luftarake kundër armikut të përbashkët, fashistave italianë, të dy formacioneve kryesore politike të kohës së luftës, Ballit Kombëtar dhe Fronti Nacional Çlirimtar. Në këtë komitet të rëndësishëm, bënin pjesë, nga pala nacional – çlirimtare Nako Spiru, Niko Opari, Astrit Leka, Hatixhe Deliu Çitaku, Jovan Antoni, kurse nga pala e Ballit, Nexhat Peshkëpia, Halim Begeja, Xhemal Alimehmeti, etj.
Në pranverë 1943, K.Q. i Rinisë Komuniste ngarkoi me mision në rrethe: Ramiz Alinë në Berat, Astrit Lekën në Elbasan, Manush Alimanin në Shkodër dhe Siri Kodrën në Dumre; më vonë Prokop Murrën në Peshkopi dhe Muamer Spahiun në Tiranë. Nga të rinjtë bashkënxënës të Astritit, që ishin lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare, ranë 11 dëshmorë (Manush Alimani, Siri Kodra, Vildan Luarasi, Bahri Shaqiri, Thoma Kuqali, Bedri Karapici, Gjergj Frashëri etj.).
Në qarkun e Elbasanit Astrit Leka mori pjesë në luftimet kundër italianëve si përgjegjës i rinisë së batalionit “Çermenika” dhe më pas u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm për shoqërimin e dy misioneve britanike, me porosi të Enver Hoxhës, duke zevëndësuar Koço Tashkon.
Por ajo që e ka shquar Astrit Lekën më shumë, ka qenë pjesëmarrja aktive me shumë sukses në njësitet guerile. Duke filluar me aksionin mbarëkombëtar të 24 korrikut 1942 për prerjen e telave të telefonit. Ky qe një aksion i koordinuar, madje në rang Evrope, me porosi të Kominternit, që donte të testonte deri ku shkonte direktiva e tij. Me një guxim të pashembullt, ai ka arritur që të realizohen aksione të tilla me përmasa shumë të gjera, sikurse ka qenë sigurimi i ushqimeve dhe i veshmbathjeve për brigadat partizane. Dhjetëra kamionë me ushqime kanë ardhur legalisht nga qytetet e Kosovës pasi ishin siguruar dokumentet përkatëse nga Ministria e Ekonomisë nën presionin e Astritit; nga Banka e Durrësit që shërbente edhe si magazinë e madhe sheqeri, leshi dhe artikujsh të tjerë, nga furra e nozullimit në Tiranë.
Secili aksion më vete do të përbënte një material të mjaftueshëm për një ose disa filma ose vepra artistike të tjera. (Siç ishte p.sh. drama e Ndrekë Lucës “Një firmë me revole”, ku Astriti i merr, me revolver në krye, ministrit të ekonomisë një autorizim në të bardhë me firmë për të bërë të mundur qarkullimin lirisht në tërë Kosovën, ku emri Astrit ndryshohet në Petrit. Kjo dramë fitoi çmimin e konkursit letrar të 40 vjetorit të PPSh, më 1981. (Ndërkohë Astriti punonte me kazëm me dënim pa të drejtë)

Astriti sikurse shumica e ish partizanëve, ëndërronte një shoqëri të lirë demokratike, një atdhe të bashkuar dhe të përparuar. Meritat e tij të mëdha njiheshin nga udhëheqja më e lartë e Partisë, pikërisht ky fakt i fundit, bëri që ai të shpëtonte nga pushkatimi, pas arrestimit me 1945 në Korçë, (Nako Spiru, presidenti i Rinisë Shqiptare u bë garant për të). 

Megjithatë, kjo ndikoi që ai të mos gjente një punë të qendrueshme në zyrat e pushtetit që, atëkohë. Qysh kur përfundoi gjimnazin pas Lufte, me çmimin e Ministrisë së Arsimit për maturantët më të shquar që ndërprenë shkollën për të vijuar luftën e për të marrë maturën pas saj, nuk i dhanë bursë për shkollë të lartë.
Por vullneti i Astritit qe i madh. Ai studio vetë dhe mandej me korrespondencë në tri degë të arsimit të lartë, duke fituar diploma për Histori- Gjeografi dhe Gjuhë –Letërsi. Nga 600 studentë atëhere, u diplomuan vetëm tre, (Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani, Astrit Leka, ky me dy diploma). 
Për një periudhë, Astriti  punoi për Historinë e Shqipërisë nën drejtimin e Aleks Budës, duke u emëruar bashkëpunëtor shkencor me vendim qeverie i Institutit të Shkencave më 1954 (bashkë me Luan Omarin, Arben Putën, Bujar Hoxhën, Kristo Frashërin, Zija Shkodrën etj). Aty e ngarkuan, para Kongresit I të Partisë, për një studim për lëvizjen fshatare të Haxhi Qamilit. Lëvizjen e Haxhi Qamilit Astriti pas një studimi objektiv, e vlerësoi, sikurse ajo qe në të vërtetë, si antishqiptare, ndërsa figurën e Hasan Prishtinës, më vonë, (1954) të përdhosur nga filojugosllavët, si atdhetare të pashembullt.
Sigurisht, në Institut atë nuk mund ta linin gjatë, vijuan peripecitë e jetës.
Një fushë e rëndësishme e veprimtarisë së tij u bë ajo e gjuhëve të huaja, latine dhe sllave, të cilat nisi t’i japë mësim privatisht dhe të hartojë edhe gramatika të tyre për shqiptarët. Në këto gjuhë nuk mungoi edhe Esperanto!
Më vonë Astriti mori pjesë në hartimin e fjalorëve terminologjikë, ku dha ndihmesë për botanikën, sado që nuk ia përmëndnin emrin si autor.
Astriti ndërmori një projekt të madh:”hartimin e fjalorit enciklopedk shqiptar” duke afruar rreth vetes rreth 70 bashkëpunëtorë, por edhe këtu puna e tij u minua.
Një atlas gjeografik i vendit, gjithashtu, doli nga dora e Astritit dhe u përdor në shkollat e vendit.
Pasi nisi punën si mësues në shkollën ekonomike e më pas në gjimnazet e Tiranës, si merceolog dhe si mësues i frëngjishtes, ngriti kabinete model dhe organizoi seminare metodike në shkallë rrethi dhe vendi.

Në vitin 1967, kur duke imituar “Revolucionin Kulturor Kinez” edhe në Shqipëri nisi një fushatë e egër kundër intelektualëve, Astritin e pushojnë nga puna si mësues duke u cilësuar si “armik” dhe e dërgojnë të punojë me kazëm. Mund të kish përfunduar më keq, sikurse sërish të mos ishte i njohur nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Nisi kështu një periudhë tjetër e vështirë për të që vazhdoi, pas disa vitesh, me një punë private si mësimdhënës dhe përkthyes i disa gjuhëve.

Maji i vitit 1990 e gjen Astritin me familjen sërish në Perëndim, në Gjermani, SHBA, Zvicër ku ai nis jetën e emigrantit politik. Falë aftësive të tij intelektuale, arrin të integrohet në shoqërinë e atyshme duke fituar respektin e autoriteteve shkencore dhe politike vendase.

Dënimi me punë të detyruar pastaj mërgimi i panënshtruari  konsiderohet në opozitë me regjimin komunist të profesorit të tij të dikurshëm, por dhe shok lufte, Enver Hoxha. Pas çliriminit nuk vazhdova  rrugën e komunizmit. Isha profesor i shumë gjuhëve të huaja, dhe i mbidiplomuar (me tri diploma universitare). Më  konsideronin të borgjezuar dhe me kërkuan me detyrim të bëja autokritikë (1967 imitimi i revolucionit kulturor  kinez  në Shqipëri, Sh.P.), shpjegon Astrit Leka. Ai refuzoi autokritikën, prandaj e shpallën “Armik i Popullit”. Pas këtij  cilësimi mund të dënoheje edhe me vdekje.

Shokët e tij të luftës  ia shdërruan dënimin me punë të detyruar. “Për  të punuar tokën me bel si një bujk primitiv, dhe pa makinë.” Një vuajtje, e cila lexohet ne sytë e tij që deri atëhere  nuk mund të përshkoheshin. Në moshën 65 vjeçare, kur regjimi komunist  pati një farë  zbutje, para ngjarjeve të Ambasadave.

Astrit  Leka strehohet në Gjenevë, pasi  pati kaluar në Sh.B.A,, Kanada e nëpër Evropë;

  • Në vitet 90 atë e shohim në të gjitha luftimet (për lirinë e  popujve dhe të drejtve të njeriut.

Ai i mbron ato në kolokiume, forume duke përshkuar tërë botën. Ka takuar  me  personalitete politike dhe me të nderuar me Çmimin Nobel.

Ai themelon Shoqatën SOLIDEST- Shoqatë Ndërkombëtare  Solidariteti per Zhvillimin e Vendeve të Lindjes, që ndihmon ish-vendet komuniste (sigurisht më tepër shqiptarët)

Atë e zgjedhin Këshilltar të përgjithshëm të Federatë Botëore të Veteranëve të Luftës, me 37 milionë anëtarë

Mbështet luftën kundra minave antinjeri.

Veprimtaria dhe projektet e “SOLIDEST”‘

Prof. Doc. Astrit Leka Kryetar i SOLIDEST-GJENEVË
Ish-Bashkëpuntor i Institutit të Shkencave (1947-1954), por me Vendim të Qeverisë nr.168, dt. 12.03.1952
Ish- Këshilltar i Pëgjithshëm i FMAC-Paris, Federata Botërore e Veteranëve të luftës, me 30 milionë anëtarë.
Zv. Kryetar i CEAC-Paris, Konfederata Europiane e Veteranëve dhe Viktimave të luftës
Gjenevë, 24 prill 2009.

Astrit Leka ka themeluar një shoqatë jo fitimprurëse “Solidest”, në ndihmë të vendeve të Lindjes me mbështetjen e OJQ të rëndësishjme zvicerane dhe ndërkombëtare dhe ndërmerr një fushatë për sensibilizimin e opinionit zviceran e më gjerë për vlerat e kulturës kombëtare të shqiptarëve, ndër të tjera për ngritjen e monumenteve të heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, në Gjenevë e gjetkë.

Vitet e fundit, Prof. Dr. Astrit Leka si kryetar i SOLIDEST ka bashkëpunuar me OBVL (Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës antifashiste nacionalçlirimtare), me FMAC-Paris (Federata Botërore e Veteranëve dhe Viktimave të të gjitha konflikteve) si dhe me  CEAC-Paris (Konfederata Europiane e Veteranëve dhe Viktimave të luftës). Kjo e fundit pas trajtimit të kësaj çështje në  Asambletë e saj të mbajtura në Londër, Paris dhe Talin të Estonisë.

Diskutimet u zhvilluan në Paris nga 26 – 27 tetor 2006 në mbledhjen e parë ndërkombëtare të delegatëve të 23 shteteve më të rëndësishme të botës për “Kujtesën e ndarë“. Ky koncept i ri, “Kujtesa e ndarë” kërkon nga ata që shkruajnë historinë e një kombi, që të njohin edhe historinë e armikut para se të nisin shkrimin e historisë kombëtare. Dhe kjo shtrohet me qëllim që shkrimi i historisë të mos u  lerë brezave urrejtjen kronike.

Ai ndikoi fuqishëm në opinionin politik euroatlantik për njohjen e UÇK si, jo terroriste por çlirimtare, dhe gjatë Luftës në Kosovë e ngre zërin për mos braktisjen e territoreve shqiptare nga refugjatët nga Kosova, për vendosjen e tyre në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Pas luftës, arrin që organizatat e UÇK e Kosovës, e Maqedonisë dhe e veteranëve shqiptarë të Kroacisë, të njihen nga organizata botërore dhe evropiane e veteranëve të Luftës.

CEAC në Asamblenë e mbajtur në 16 Prill 2008, me propozimin e SOLDIEST adoptoi një rezolutë për të mbështetur projekte e shoqatës të kësaj natyre në bashkitë përkatëse të botës. Po në këtë rezolutë Asambleja e CEAC-ut u rekomandon organizatave europiane të veteranëve të ndjekin shembullin e shqiptarëve.

Përfundimisht në Asamblenë e saj të mbajtur më 21 Prill 2009 në Paris, me propozimin të nderuarit Astrit Leka adoptoi një rezolutë për të mbështetur projektet e tyre të kësaj natyre në  bashkitë përkatëse të atyre qyteteve të mëdha ose kryeqyteteve të botës, ku kanë paraqitur deri më sot projekte për  ngritje përmendoresh për një njohje më të mirë të botës shqiptare.

VETËFLIJIMI PËR MBROJTJEN E ATDHEUT, TIPAR MORAL I SHQIPTARËVE NDËR SHEKUJ (PËRMENDORE MBARËKOMBËTARE QË DO TË NGRIHET NË BORSH TË SARANDËS)

Njëkohësisht ka ndihmuar në realizimin e projektit të Konferencës së Gjenevës, mbështetur nga ministrja e jashtme e Mishelin Kalmire, për paqtimin e Izraelit me palestinezët, për mosprodhimin dhe heqjen nga përdorimi minave antinjeri etj. Ndër projektet e viteve të fundit, janë edhe ai për “Memorialin e Vetëflijimit të shqiptarëve në shekuj për mbrojtjen e trojeve atdhetare”, që do ngrihet në Borsh si dhe të memorialit të Pirros së Epirit shqiptar në Ascoli Satriano, Itali.

Projekti për ngritjen e memorialit në përkujtim të vetëflijimit të shqiptarëve në Borsh ka historinë e vet. Përfaqësuesit e shoqatës janë konsultuar me shumë shqiptarë e të huaj, që e kuptojnë rëndësinë e porjektit, të cilët i kanë mbështetur. Gjithashtu atyre iu u desh të siguronin në Shqipëri mbështjen e pushtetit lokal të Lukovës, si dhe atë të Vlorës që të mund të përparonte projekti, për t’u pranuar edhe nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Sigurisht projekti gjeti edhe mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të  saj, personaliteteve me vlerë të Maqedonisë, Malit të Zi si dhe të mjediseve universitare të botës së interesuar.

Shtypi Europian për Astritin          


SHTYPI EVROPIAN datë 6 qershor, Strasburg: Gazeta autoritative  franceze “DNA-Dernières nouvelles“ (Strasburgut) për fillimin e Javës shqiptare me titullin Astrit Leka “Hero shqiptar” “Astrit leka, héros Albanais” i ka përkushtuar gati një faqe gazete mbi aktivitetin e veprimtarit të shquar në Gjenevë, autor i vënies së bustit të Skenderbeut në Gjenevë z.  Astrit  Leka, një luftëtar kundër nazizmit  dhe komunizmit, mbrojtës i palodhur i paqes. 

Java e Shqipërisë në Universitetin e Strasburgut shkruan me titullin: “Astrit Leka hero shqiptar” “Astrit Leka, hérois Albanais” Shqipëria  do të marri kryesinë e Këshillit të Evropës,  sot në mesditë. Një ngjarje kjo që është vlerësuar nga fakulteti i Shkencave Shoqërore të Universitetit të Strasburgut me një javë ekspozitash dhe Konferencash për këtë vend, ka shkruar në fillim të gazetës e përditshmja francese DNA.

Astrit  Leka luftëtar kundër nazizmit  dhe komunizmit, mbrojtës i palodhur i paqes, është i ftuari i Universitetit. Ai ka kontribuar në mëse 60 vjet lufte kundër pushtuesit nazist, ushtrisë së Musolinit dhe regjimit komunist shqiptar. Astrit Leka, ky intelektual shqiptar, është strehuar në Zvicër në vitet 90  dhe është shtetas zviceran. Ky luftëtar nuk  ka bërë  pjesë kurrë në ndonjë parti politike, por ka ndihmuar gjithmonë ata që punojnë për të mirën e popujve. 

Kjo figurë e madhe e luftës së shqiptarëve për  liri, edhe pse me një histori deri diku të panjohur deri me rastin e ardhjes së tij  për të ndjekur marrjen e kryesisë së  Këshillit  të  Evropës, për të treguar luftërat e tij për liri  për vendin e tij dhe për të drejtat e njeriut, nëpërmjet një konference që do të mbajë,  dhe dy ekspozitave që  u paraqitën për Shqipërinë dhe  Shqiptarët.

  • Një jetë shumë aktive për një person gati 90 vjeçar, i cili vazhdon të  luftojë sidomos për “ngritjen e prestigjit të Shqiptarëve ne botë”. Astrit Leka nuk e fsheh krenarinë e vet që vendi  i tij ka aderuar në Këshillin e Evropës në vitin 1995 dhe sot është në krye të këtij Këshilli që nga muaji maj deri në nëntor 2012. Ai pret tashmë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo thotë ai do të ishte një zbatim i drejtësisë  ndaj popullit tim dhe Shqipërisë sonë që është i vetmi vend në Evropë, në territorin e të cilit janë zhvilluar të  gjitha konfliktet e shekullit të XX të Evropës, me përjashtim të Luftës Turko-Greke dhe Luftës civile në Spanjë, – dokumenton ai. Zjarri në sytë e tij nuk do të shuhet pa e parë Shqipërinë të bëjë denjësisht pjesë në Evropë, përfundon shkrimin gazetar franceze DNA për veprimtarin e njohur shqiptar në Gjenevë Prof. Dr. Astrit Leka.
  • Vlerësime domethënëse lidhur me këtë është edhe ky fakt:

    Rektori i universitetit të Friburgut  prof. Meir i shkruan Astruitit se “Njohuritë tuaja, aktivitetet tuaja si dhe personaliteti juaj bëjnë që Universiteti ynë do të jetë i nderuar t’ju ketë  si  personel të tij”.

    Ndërsa Prof. H. Usprung, sekretar shteti i Zvicrës që drejtonte kërkimet shkencore të këtij vendi, i njohur në takime ndërkombëtare  kërkoi që të vija emrin e tij si referencë në letrat që do t’i dërgoja autoriteteve zvicerane.”

 

Intelektualët Leka

“Profesor Astrit Leka dhe e shoqja Emineja intelektuale e shquar me disa diploma fakulteti, kanë bërë shumë që figurat tona kombëtare të gjejnë truall edhe jashtë atdheut, ndërsa që tash edhe Tirana të stoliset me bustin e antropologut zviceran, Eugen Pittard, një mbrojtës shumëvjeçar i shtetit shqiptar”. Rexhep Rifati 

Profesor Astrit Leka, një nga personalitetet më të shquara shqiptare në Zvicër, ndonëse në moshë të shtyrë, asnjëherë nuk pushoi së vepruari për çështjen shqiptare.
Ajo çka bie më së shumti në sy, kur viziton banesën e tyre, janë librat e shumta në gjuhë të ndryshme, bashkë me qindra dosje e dokumente që kanë zënë thuajse gjysmën e dhomave. Në to pas tjerash, përshkruhet edhe rrugëtimi jetësor i këtyre dy intelektualëve të spikatur që tash e 60 e sa vite, pos dashurisë e kurorës i ka bashkuar edhe shkenca dhe kauza atdhetare.
Si Astriti ashtu edhe Emineja kanë biografi të pasura, por edhe të dhembshme e krenare. Profesori prej dy dekadash jeton në Zvicër, është kryetar i shoqatës “Solides” për zhvillimin e vendeve të lindjes, kryetar nderi i bashkimit të Intelektualëve shqiptarë në Zvicër dhe zvkryetar i Konfederatës Evropiane të Veteranëve të Luftës.

Qysh në vitin 1939 del vullnetar kundër pushtimit fashist, pasi në vitin ‘41-n braktis shkollën e mesme në Firence dhe kthehet në atdhe për të mbështetur luftën. Pas çlirimit ka punuar si bashkëpunëtor i Institutit të Shkencave (1947-1954), ndërsa ka kryer studimet e larta në:

  1. Fakultetet Gjuhë-Letërsi,
  2. Histori-Gjeografi
  3. Fakultetin Ekonomik

dhe është i pajisur me tri diploma. Është njohës i mirë i 5-6 gjuhëve të huaja. Të veçantë prej vitesh e bënë edhe puna në mërgatë, në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen shqiptare, veçmas lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe afirmimit të figurave kombëtare.
Mision dhe shqetësim i tij i mëtejshëm është ngritja e busteve të figurave shqiptare në botë, siç janë Skënderbeu, Nënë Tereza e tjerë.

Prof. Dr. Astrit Leka është iniciator i ngritjes së bustit të Skënderbeut në Gjenevë, ai ka kontribuar për ngritjen e bustit të tij në Itali, Paris, Londër, Argjentinë, Manila, Australi, Buenos- Aires dhe iniciativa e tij po vazhdon në shumë vende të tjera të botës, në bashkëpunim me komunitetet shqiptare atje,- përkujton profesor Astriti.
Dhe jo vetëm sa i përket figurave shqiptare, por edhe të popujve të tjerë. Tregon edhe projektin për ngritjen e bustit të antropologut të njohur zviceran Eugen Pittard (1867-1962),. i cili pos që kishte vizituar disa herë Shqipërinë e kishte mbështet atë edhe në selinë e kombeve. Ndaj edhe nga qeveria shqiptare qe shpall konsull nderi i Shqipërisë. Pritet që busti i këtij shkencëtari zviceran e miku të shqiptarëve të inaugurohet në Tiranë.
Edhe Emineja, si edhe Astriti, ka një kujtesë të shkëlqyeshme. Ajo ndoqi shembullin e bashkëshortit, rrugën e mosnënshtrimit. Tregon se në kohën e saj ishte ndër gratë e rralla shqiptare me dy fakultete deri në vitin 1958: Biologji-Kimi dhe Mjekësi Veterinare. Në fakt ishte një nga dy gratë shqiptare mjeke veterinare të para të diplomuara në Shqipëri, por që siç tregon u ndodh para një alternative shumë të vështirë, kur burrin e saj e shpallën si “Armik të popullit”. Në këto rrethana detyrohet të sakrifikojë punën si kërkuese shkencore në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare dhe ti nënshtrohet punës së rëndë në terren në një stallë. Madje edhe vet i shoqi, vjehrri dhe gjithë familja Leka, kërkuan nga ajo ta ndante Astritin, pasi organet e dhunës komuniste në Shqipëri vepronin pa kurrfarë mëshire. Ajo për asnjë çmim nuk pranoi të largohet nga Astriti, me të cilin edhe tash në këtë moshë gëzon një pleqëri të bardhë, siç thuhet në popull.
Emineja tregon edhe një mirënjohje interesante, kur Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, me vendimin nr. 34 të datës 2 dhjetor 2010, plot 44 vjet pasi e kishin çuar të punonte te stallat e derrave, i akordoi diplomën: “Mirënjohje e Fakultetit” me motivacion: “Për kontributin e shquar në ndihmë të formimit të brezave të studentëve veterinerë dhe punës së palodhur kërkimore-shkencore në funksion të zhvillimit të bujqësisë”.

Për profesorin është shkruar libri “Astrit Leka, vite të stuhishme” nga z. Kopi Kycyku dhe nga z. Adem Demaçi.

Porosia e përhershme e Astritit për shqiptarët ka qenë dhe është atdhedashuria, si çelës për të arritur objektivat tona kombëtare.

Dashamirësit dhe të interesuarit mund të komunikojnë për të kontribuar për ndërtimin e përmendores me Prof. Dr. Astrit Leka në adresën

astrit.leka@bluewin.ch.

Burimi:http://www.preshevajone.com/  https://prointegra.ch/ 

Përshtati për ALVA M. Perja

Artikulli paraprakProf. Dr. Astrit Leka: “Për shqiptarët ka qenë dhe është atdhedashuria, çelësi për të arritur objektivat tona kombëtare”
Artikulli tjetërIlir Shaqiri “Princesha e Dukagjinit”