Ndonëse institucionet bibliotekare të shqiptarëve në shtetin e tyre janë relativisht të reja, tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Dëshmi të shumta vërtetojnë se gjatë Mesjetës në oborret e princërve shqiptarë, si dhe të bujarëve, kontëve, arhonëve etj., funksiononin kancelari në të tria gjuhët diturore të kontinentit: latinisht, greqisht, sllavonisht e, pranë tyre, edhe bibliotekat përkatëse. Pozicioni gjeo-historik i shqiptarëve në zonën e kalimit nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas u mundësonte atyre kontaktet librore si me Kostantinopojën, ashtu dhe me zhvillimet e “përtejdetit”. Cezura osmane qe një ndërprerje e dhunshme e këtyre zhvillimeve. Megjithëkëtë, edhe nga gati pesë shekuj sundimi osman, shqiptarët nuk e humbën traditën bibliotekare. Në kushtet e reja, ajo u përcoll kryesisht nëpërmjet bibliotekave të familjeve të mëdha, të pashallarëve e bejlerëve, por edhe atyre të institucioneve fetare: abacive benediktine, kuvendeve françeskane e jezuite, manastireve ortodokse, medreseve, teqeve të bek­ta­shinjve etj.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luf­tës së parë botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Ar­simit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për rior­ga­ni­zimin e bibliotekës si institucion kombëtar.

Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur ins­titucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea.

Mbarimi i Luftës së dytë botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kul­tu­rës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky de­kret i dha mundësi BKSh të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të ven­dit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip. Dekreti është ndry­shuar e plotësuar disa herë. Botuesit detyrohen t’i dërgojnë BKSh nga 5 kopje të çdo botimi të tyre. Nga institucion në var­tësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore, me kufizime të skajshme në sigurimin e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të literaturës, ajo kaloi në heqjen e barrierave kufizuese të kësaj natyre, duke shkuar drejt lirisë së plotë të informacionit për përdoruesit.

BKSh është aktualisht insitucioni kryesor bibliotekar i vendit dhe qendër e rëndësishme studimore-kërkimore shkencore. Ajo ka për detyrë të grumbullojë dhe të ruajë të gjithë trashëgiminë kulturore të shkruar të popullit shqiptar. Ka karakter shken­cor dhe njëkohësisht masiv. Ajo është:

  • qendër e depozitimit dhe e ruajtjes së botimeve shqip;
  • qendra kryesore bibliografike e vendit;
  • qendër e studimeve në fushën e bibliotekonomisë dhe bibliografisë;
  • qendër e përgatitjes dhe kualifikimit të vijueshëm profesional të personelit bib­­liotekar të vendit;
  • qendër e ruajtjes së botimeve me karakter albano-balkanologjik;
  • agjenci e ISBN-së për botimet shqip. 
Foto: Një nga ndërtesat e para që ka shërbyer si godinë e BKSH-së

Koleksionet

BKSh numëron në fondet e veta rreth 1.207.958 materiale bibliotekare,- deri më 05 janar 2017,- (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera).

Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës europiane. 

Bibliografi

BKSh boton periodikisht, që nga viti 1959, Bibliografinë kombëtare të librit që botohet në Republikën e Shqipërisë dhe, që nga viti 1961, atë të artikujve të pe­rio­di­kut shqip. Fillimi relativisht vonë i veprimtarisë së organizuar bib­lio­grafike, ka diktuar nevojën e përgatitjes së bibliografive retrospektive si për librin ashtu dhe për artikujt e periodikut. Një pjesë e këtyre bibliografive janë botuar dhe disa të tjera janë në proces. Punohet për bibliografinë retrospektive të librit shqip të viteve 1555–1958, që përfshin botimet nga libri i parë në gjuhën shqipe deri në fillimin e botimit të Bibliografisë kom­bëtare të librit shqip.

Botim i rëndësishëm bibliografik është ai i librit shqip të botuar jashtë Shqipërisë, i cila ka filluar të realizohet nga viti 1981 dhe vijon periodikisht. Prej vitit 1969, BKSh merr pjesë në botimin bibliografik të UNESCO-s Index Translationum, në të cilin paraqiten edhe përkthimet që botohen në Shqipëri.

Me specifikë të veçantë është seria Albanica (shqip-anglisht), që njeh studiuesit me fondin albanologjik. Vëllimi i parë i saj përfshin libra të botuar në shekujt XV-XVIII, ndërsa i dyti botime të viteve 1800-1849. Janë në procesin e për­ga­tit­jes vëllimet në vijim.

Paraqet vlerë edhe seria bibliografike Autorë të huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët I dhe II, ku paraqiten veprat e autorëve italianë (I) dhe francezë (II), që trajtojnë problemet e historisë, gjeografisë, etnografisë, kulturës shqiptare që prej shek. XIV e deri në ditët e sotme.

Bibliografia Kombëtare e Librit që botohet në Republikën e Shqipërisë

Kjo bibliografi regjistron sipas skemës së KDU të gjitha materialet e botuara në formë libri që sigurohen nëpërmjet ligjit të ekzemplarit të detyruar. Botimi është tremujor. Është i pajisur me treguesit e autorëve, të përkthyesve, të personave për të cilët është shkruar, treguesin gjeografik, të shtëpive botuese, lëndor (sistematik) dhe atë të titujve të librave. Përshkrimi bibliografik dhe treguesit ruajnë të njëjtën mënyrë përshkrimi si edhe katalogu përmbledhës në bazën e të dhënave të institucionit.

Bibliografia Kombëtare e Republikës së Shqipërisë – artikujt e periodikut shqiptar

Kjo bibliografija përdor një skemë të klasifikimit bibliografik me 28 kapituj dhe rreth 150 rubrika. Përshkruan artikujt kryesorë të shtypit, me përparësi historinë, gjeografinë, letërsinë, kulturën dhe artet vendase, studimet albanologjike etj., që për nga tematika dhe trajtimi ruajnë karakter të qëndrueshëm, analitik e studimor. Kjo bibliografi është e pajisur me treguesit e autorëve, të personave për të cilët është shkruar, treguesin gjeografik, të titujve të librave të analizuar dhe prej vitit 2006 edhe me treguesin lëndor (ky i fundit shërbehet vetëm nëpërmjet rrjetit kompiuterik).

Burimi:www.bksh.al/pershkrimi.html / Përshtati për ALVA: V. D.