Gjuha shqipe shfaqet në dy forma kryesore: gegërishtja e cila flitet në Shqipërinë e veriut në veri të lumit Shkumbin dhe toskërishtja e cila flitet në Shqipërinë e jugut në jug të Shkumbinit. Për nënndarjet e mëtejshme të shqipes nuk ekziston ndonjë klasifikim i pranuar botërisht, megjithëse studiues më të njohur në fushën e dialektologjisë, siç janë Jorgji Gjinari dhe Gjovalin Shkurtaj (l. 1943), Agnija Desnickaja (1912-1992), Shaban Demiraj (l. 1920) dhe Bahri Beci (l. 1936), kanë ardhur në përfundime të ngjashme.
Ndonëse për disa forma të shqipes ende nuk është thënë fjala e fundit, në bazë të studimeve të mëparshme, propozoj një klasifikim të thjeshtë por përgjithësisht të saktë të dialekteve të shqipes. Si përfundim, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time shumë personave të cilët më kanë ndihmuar, apo themi të paktën kishin durim me mua në këtë projekt. Ndër ata janë shumë bujq dhe çobanë shqiptarë të cilët u habitën, madje u hutuan kur u ballafaquan me një të huaj i cili u doli përpara dhe donte, pa arsye të kuptueshme, të kapte dhe të inçizonte gjuhën e tyre. Shpresoj se kjo përmbledhje inçizimesh do të jetë në dobi jo vetëm të dialektologëve por edhe të gjithë njerëzve në botë që interesohen për gjuhën shqipe.
DIALEKTI GEG
Flitet në pjesën më të madhe të Shqipërisë në veri të Shkumbinit, si dhe në Kosovë, Malin e Zi, Serbi, në pjesën dërrmuese të zonës shqipfolëse të Republikës së Maqedonisë dhe në fshatin Arbanasi të Zarës (Zadar) në Kroaci.
Nëndialekti verior i gegërishtes
Flitet në shumicën e zonave shqipfolëse në veri të lumit të Matit, përfshirë Ulqin, Krajë, Podgoricë, Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë, Plavë, Malësi e Gjakovës, Lumë, Has, Kosovë dhe Preshevë.
Varianti perëndimor: Flitet në perëndim të vijës ndarëse vertikale e cila përshkon pak a shumë brezin midis Qarkut të Shkodrës dhe Qarkut të Kukësit, duke filluar nga kufiri Mali i Zi / Shqipëri dhe poshtë. Këtu përfshihen Theth dhe Shalë të Dukagjinit dhe zonat në perëndim të tij, siç janë Shkodër, Lezhë, Malësi e Madhe dhe pjesa shqipfolëse e Malit të Zi.
Varianti lindor: Flitet në lindje të vijës ndarëse vertikale e cila përshkon pak a shumë brezin midis Qarkut të Shkodrës dhe Qarkut të Kukësit, duke filluar nga kufiri Mali i Zi / Shqipëri dhe poshtë. Këtu përfshihen Nikaj-Mertur, Pukë, dhe zonat në lindje siç janë Gash, Tropojë, Malësi e Gjakovës, Has, Kukës, Kosovë dhe Preshevë.
Nëndialekti jugor i gegërishtes
Flitet në pjesën veriore të Shqipërisë së mesme, dmth. në zonën në jug të lumit të Matit dhe në veri të Shkumbinit. Këtu përfshihen Lurë, Peshkopi, pjesa dërrmuese e zonës shqipfolëse të Republikës së Maqedonisë (nga Dibra deri Shkup dhe Kumanovë), si dhe Krujë, Tiranë dhe Elbasan.
Varianti qendror: Flitet në ujëmbledhësin e brendshëm të lumit të Matit dhe, në lindje të këtij, deri dhe përtej Drinit të Zi. Këtu përfshihen Mat, pjesa e Mirditës, Lurë, Lumë, Peshkopi dhe Maqedonia perëndimore (bregu i majtë i Drinit të Zi në Strugë, Dibër, Kërçovë, Tetovë, Gostivar, Shkup dhe Kumanovë), si dhe Krujë dhe Fushë Krujë.
Varianti jugor: Flitet në pjesën dërrmuese të bregdetit nga lumenjtë Mat dhe Ishëm deri në Shkumbin. Këtu përfshihen Durrës, Tiranë dhe Kavajë si dhe zonat e brendshme siç janë Malësia e Tiranës, Martanesh, Çermenikë, Elbasan dhe lugina e Shkumbinit.
TË FOLMET KALIMTARE
Fliten në një brez horizontal me një gjerësi prej dhjetë deri njëzet kilometrash në luginën e Shkumbinit, kryesisht në anën e majtë (jugore) të lumit. Këtu përfshihen pjesa veriore e Myzeqesë, Dumre, Shpat, Polis dhe Qukës.
DIALEKTI TOSK
Flitet në pjesën më të madhe të Shqipërisë në jug të Shkumbinit deri në Çamëri, si dhe në ngulimet e diasporës shqiptare në Itali, Greqi, Bullgari dhe Ukrainë.
Nëndialekti verior i toskërishtes
Flitet në pjesën më të madhe të Shqipërisë në jug të Shkumbinit me përjashtim të zonave bregdetare në anën e majtë (jugperëndimore) të Vjosës. Në bregdet, kufiri jugor i këtij nëndialekti ndodhet në jug të qytetit të Vlorës.
Varianti perëndimor:Flitet në Myzeqe, Mallakastër, Berat, Fier, Skrapar, Tepelenë në anën e djathtë (lindore) të Vjosës, Përmet dhe Vlorë, përfshirë zonën në veri dhe në verilindje të qytetit të Vlorës.
Varianti lindor:Flitet në Pogradec, Korçë, Kolonjë dhe Devoll, si dhe në pjesën jugperëndimore të Republikës së Maqedonisë (bregu i djathtë i Drinit tëZi në Strugë, Ohër, Prespë dhe Manastir).
Nëndialekti jugor i toskërishtes
Flitet në zonat bregdetare në jug të qytetit të Vlorës deri në Greqi.
Varianti lab:Flitet në zonën e Labërisë, dmth. Kurvelesh dhe Himarë deri në lumenjtë Shalës dhe Pavlle, përfshirë Delvinë dhe Gjirokastër.
Varianti çam:Flitet në zonën e Çamërisë në jug të lumenjve Shalës dhe Pavlle në Shqipëri dhe tek-tuk në Greqi deri në Prevezë.
Nëndialekti arbërisht i toskërishtes
Flitet tradicionalisht në rreth 300 fshatra të Greqisë së Mesme, sidomos në Atikë, Vioti, Evinë jugore, në Peleponezin verilindor rreth Korintit, në ishujt e Gjirit Saronik, përfshirë Salaminë, në Androsin verior si dhe në disa pjesë të tjera të Peleponezit dhe Ftiotisit. Ky nëndialekt arkaik po shkon drejt zhdukjes megjithëse mund të jenë ende rreth 50,000-250,000 folës të tij, kryesisht të moshuar.
Nëndialekti italoshqiptar (arbëresh) i toskërishtes
Flitet nga rreth 90.000 persona në jug të Italisë. Ky nëndialekt i gjuhës shqipe mund të dëgjohet, shpesh në fshatra të thella malore, në rajonet: Kalabri, Molize, Pulja, Basilikatë, Kampanjë, Abruci dhe Sicili.
Burimi:http://dialects.albanianlanguage.net Rober Elsie