Heroi ynë Kombëtar GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU, (6 Maj 1405 – 17 Janar 1468) pa diskutim figura më e madhe e Kombit tonë, fama dhe lavdia e të cilit kanë kapërcyer shekujt, jehona që pati qëndresa e tij e lavdishme, fama që gëzoi emri i tij në mbarë botën, famë që gjeti pasqyrim gjerësisht në gjithë kulturën botërore.

Kjo gjë dëshmohet nga fakti se janë mbi 1.500 vepra të ndryshme, të realizuara për Skënderbeun, anembanë botës si, libra, vepra muzikore, skulptura apo piktura. Të gjitha këto vepra për Gjergj Kastriotin, figurën me të cilën ne shqiptarët me të drejtë duhet të krenohemi!
Për Skënderbeun janë shkruar libra në të gjithë skajet e botës. Që nga Evropa, Amerika dhe Azia e largët! Në Evropë janë sa e sa autorë që e kanë trajtuar figurën e tij, duke filluar nga vepra monumentale që shkroi bashkëkohësi dhe bashkëkombasi i Skënderbeut, Marin Barleti. Shumë nga veprat për Heroin tonë janë shkruar në kohën kur osmanët ishin në dyert e Vjenës, gjatë rrethimeve që ju bënë këtij qyteti nga otomanët dhe nëpër Europë pati një ri-vlerësim të figurës së Skënderbeut si simbol i qëndresës anti-osmane. Figura e tij u risoll në kujtesë për të frymëzuar qëndresën europiane përballë osmanëve. Nuk është rastësi që pikërisht në këtë kohë, në shekujt 16-të dhe 17-të, libri i Marin Barletit mbi Gjergj Kastriotin do përkthehej në disa gjuhë të huaja:

  • në gjuhën gjermane nga Johann Pincianus (1533)
  • në italisht nga Pietro Rocca (1554, 1560)
  • në portugalisht nga Francisco D’Andrade (1567)
  • në Polonisht nga Ciprian Bazylik (1569)
  • në frëngjisht nga Jaques de Lavardin (“Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, 1576)
  • në spanjisht nga Juan Ochoa de la Salde (1582).

Ndërsa në anglisht ky libër do perkthehej nga Zachary Jones Gentleman, i cili u bazua në perkthimin frëngjisht të Lavardinit, libri u botua në fund të shekullit të 16-të me titullin “Histori e Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbeu, Mbret i Albinie; që përmban aktet e tij të famshme, bëmat e armeve të tij fisnike dhe fitoret e paharrueshme kundër Turqve për Besimin e Krishtit.”, (“Historie of George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albinie; containing his Famous Actes, his Noble Deedes of Armes and Memorable Victories against the Turkes for the Faith of Christ.”).

Nga të parët autorë që kane shkruar për Skënderbeun, është Raffaelo Maffei i cili në vitin 1506 ka botuar në Romë “Commentariorum” e tij, në të cilin publikohet një biografi e shkurtër për Skënderbeun.

Në 1562 John Shute përkthen në anglisht traktin “Dy komente mjaft të rëndësishme, një origjinal i Turqve dhe Perandorinë së shtëpisë së Ottomanëve, dhe të tjetri i luftërave të Turqve kundër Gjergj Skënderbeut” ,(“Two very notable commentaries: The one of the original of the Turcks and the empire of the house of Ottomanno, and the other of the warre of the Turcke against George Scanderbeg”), shkruar nga Andrea Cambini dhe Paolo Giovio në fillim të shekullit të 16-të.
Shkrimtari i famshëm, Michel de Montaigne, i njohur sidomos për esetë e tij, shkroi një ese mbi Skënderbeut në fund të shekullit të 16-të.

Skënderbeu është një nga personazhet e veprës “Pentamerone”, personazh me emrin “Scannarebecco” vepër e shkruar nga shkrimtari Giambattista Basile, botuar dy herë pas vdekjes së autorit, në vitin 1634 dhe 1636.
Filozofi francez, Voltaire, ka shprehur një konsideratë shumë të lartë për Heroin tonë Kombetar, duke thënë se: “Sikur Konstandinopoja të kishte pasur gjeneralë po aq të zotë sa Skënderbeu, nuk do kishte rënë.”
Ludvig Holberg, një shkrimtar dhe filozof Danez ka shkruar se “Skënderbeu është një nga gjeneralët më të mëdhenj në histori.”
Një tjetër autor, nga të parët që kanë shkruar për Heroin tonë Kombëtar, është spanjolli Luis Vélez de Guevara, me veprën tri-vëllimëshe: “Jeniçeri i Shqiperise, (“El jenízaro de Albania”), “Princi Skenderbe”, (“El principe Escanderbey”) dhe “Princi Skllav”,(“El principe esclavo”), shkruar mes viteve 1608 deri me 1629.

Për të vazhduar më tej me italianin Giammaria Biemmi që në vitin 1742 shkroi : “Historia e Gjergj Kastriotit Skënder-Beut”,(“Istoria di Giorgio Castrioto Scanderbeg-Begh”).

Janë disa vepra të shkruara nga autorët angleze si, William Havard me: “Skënderbeu, Një Tragjedi”,(“Scanderbeg, A Tragedy shkruar në vitin 1733, autori George Lillo me : “Heroi Krisitian”,(“The Christian Hero”, shkruar në vitin 1735 apo autori tjetër Thomas Whincop me: “Skënderbeu, ose Dashuria dhe Liria”, (“Scanderbeg, Or, Love and Liberty (1747).

Historiani i madh anglez i shekullit të 18-të, Edward Gibbon, kur flet për Skënderbeun, shkruan me vlerësim të lartë dhe më tonë panegjirike.

Pa folur këtu mbi portretizimin poetik që i ka bërë Bajroni figurës së Skënderbeut te vepra “Udhëtimet e Çajld Haroldit”, (1812-1819), vargje që Bajroni plot admirim i thur për Skënderbeun dhe kombin e tij luftëtar.
Poeti francez i shekullit te 16-të, Pierre de Ronsard, ka shkruar një poemë për Skënderbeun, ndërsa nga autori tjetër francez Paul Ulrich Dubuisson kemi Tragjedinë “Skënderbeu”, (“Tragedy-Scanderbeg”), shkruar në vitin 1786. Paul Pisani, frati françeskan francez që ishte historian, në vitin 1891 ka shkruar “Legjenda e Skënderbeut”, (“La Legende de Skënderbeg”).

Për Skënderbeun kanë shkruar një numër i konsiderueshëm poetësh dhe shkrimtarësh Kroatë, siç janë: Ivan Gundulic në veprën e tij më të rëndësishme “Osman” tē shkruar në fillim të shekullit të 17-të, autori Pavao Ritter Vitezović që në vitin 1682 shkruan “Skenderbeu i Ri” (“Novus Skenderbeg”). Ndër autoret kroatë, nje interes të posaçëm për figurën e Gjergj Kastriotit ka treguar Andrija Kačić Miošić, që ka shkruar veprën “Skenderbeg”, të botuar në vitin 1756, pikërisht poemat e këtij autori u bënë baza e tragjedisë “Skënderbeu”, shkruar nga autori tjetër kroat, Ivan Kukuljević Sakcinski, në shekullin e 19-të.
Poeti dhe kompozitori ukrahinas Sydir Vorobkevych ka shkruar nje ese të titulluar “Shpata e Skënderbeut”,(“Sablya Skanderbeg”), botuar ne vitin 1861.
Në Amerikë është me famë poema “Scanderbeg” shkruar nga autori amerikan, Henry Wadsworth Longfellow, (1807–1882).
Fama e Gjergj Kastriotit pati mbërritur deri në Azi ku kemi një vepër të poetit kombëtar të Filipineve, Francisco Balagtas,(Baltazar), të titulluar (“Historia e Florantes dhe Lauras në Mbreterinë e Shqiperisë”, (“The History of Florante and Laura in the Kingdom of Albania”. Poeti Kombëtar i Filipineve e ka shkruar këtë vepër si një evokim, duke dashur të zgjojë ndjenjën kombëtare të filipinasve për tu ngritur në luftë për pavarësi dhe për këtë qëllim në vepër u sjell figurën e Skënderbeut si model luftetari per liri.

Për Skënderbeun, në vitin 1718, ka kompozuar një opera, mjeshtri i madh italian, Antonio Vivaldi, të titulluar: “Scanderbeg”, libretin e kësaj opere e ka shkruar autori Antonio Salvi.

Një tjetër opera e titulluar “Scanderberg” është kompozuar nga kompozitori francez i shekullit të 18-të, François Franoeur, opera që për herë të parë ishte vënë në skenë në vitin 1735. Në vitin 1855, Camille Paganel, shkroi “Historia e Skenderbeut”, (“Histoire de Scanderbeg”).

Në Romë ende sot e kësaj dite mban emrin e Skënderbeut pallati ku ndejti Heroi ynë Kombëtar gjatë vizitave në Vatikan,(1466-1467), quhet “Pallati Skënderbeu”, (“Palazzo Skënderbeg”), dhe gjindet në Piacën Skënderbeu,(“Piazza Skënderbeg”), midis Fontanës së Trevit dhe Pallatin Quirinal.

Në Romë, në Piacën Shqiperia, gjindet një statujë e ngritur në nderim të Gjergj Kastriotit, realizuar nga mjeshtri fiorentin, skulptori Romano Romanelli.

Në artin pamor, janë disa vepra që janë frymëzuar nga figura e Gjergj Kastriotit, si “Portreti i Skënderbeut” që gjindet në Galerinë e famshme Uffizi, në Firence, vepër e shekullit të 16-të. Janë disa punime të realizuara nga gjermani Jost Amman në shekullin e 15-të.
Një nga punimet më të arrira të piktorit Paja Jovanoviç, titullohet “Poema e Skënderbeut”. Një portret i Skënderbeut është realizuar nga piktori Eleftherios Kazanis ne vitin 1910. Po ashtu janë disa gravura të Skënderbeut të gjetura nëpër libra si, “Skënderbeu” nga Dominicus Custos, botim i shekullit të 16-të apo libri i Kosta Mandroviçit botuar në vitin 1885 në Vjenë.
Janë edhe plot vepra të tjera, të të gjithe zhanreve, për listën e plotë të të cilave do na duhej një liber shumëfaqesh, vetëm për bibliografinë.
Burimi: http://illyriapress.com ILIR SECI / Përshtati për ALVA – V. D.

 
 
Artikulli paraprakTony J. Selimi – The see through coach
Artikulli tjetërNeoCharger pajisja teknologjike që bën të mundur karikim të shpejtë e të sigurtë