Handani kujton se ka qënë shumë e vogël për të fiksuar moshën se kur ka luajtur për herë të parë tenis. Me një raketë të sajuar vetë dhe me një top, ajo mban mend se luante papushim vetëm në oborrin e shtëpisë së vjetër, një vilë tipike borgjeze e viteve ‘30, në zonën pas televizionit shqiptar, në kryeqytet. Handan Hoxha ka qenë vetëm 15 vjeçe kur i ati, një burrë i shkolluar, me 4 gjuhë të huaja, nëpunës në bankën tregtare, njeri shumë modern për kohën, e regjistron pa të keq në fushën e parë të tenisit që u hap në vitin 1942. Megjithëse kohë lufte kujton Handani, Sali Nallbani, një i ri tiranas i martuar me një italiane, kthehet nga Italia dhe ndërton vetë një fushë tenisi në zonën e Shallvareve. Të gjithë ata që shkonin për të luajtur tenis ishin një grup djemsh të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Midis tyre ishte edhe Handani, tenistja e parë shqiptare, aktualisht 85 vjeçe. Ajo pranon të ndajë me ne historinë e jetës së saj.

Rrëfimi 
Handani e ka të vështirë të sjellë në mendje sesi ishte fiksuar pas tenisit dhe sesi kishte dëgjuar për herë të parë rreth këtij sporti. Por tregon se ajo ishte e magjepsur pas sporteve në tërësi, sepse luante edhe volejboll edhe sporte të tjera. Ndoshta, kujton ajo më vështirësi, ka dëgjuar rreth tenisit në radio, në stacionet italiane. “Unë luaja gjithë ditën në oborrin e shtëpisë dhe në rrugicën e lagjes. E dëgjonim shumë radion, e mbanim gjithë kohës te stacionet italiane dhe unë s’e di sesi më është fiksuar tenisi. Por mbaj mend që luaja gjatë gjithë ditës dhe i thoja babait, që kam shumë qejf të mësoj të luaj tenis.
Në vitin 1942, kthehet në Tiranë Sali Nallbani. Me iniciativën e tij dhe me forcat e veta ai hap një fushë tenisi. Mbaj mend që babai na erdhi një ditë nga puna dhe më thotë: Handan do të çoj të luash tenis. Unë gati sa s’fluturova nga gëzimi. Babai ishte njeri shumë modern dhe s’pyeti njeri po më dërgoi. Sali Nallbani u gëzua aq shumë që ekipit të tij iu shtua një vajzë, femër saqë nuk më mori asnjëherë para dhe unë luaja të paktën dy orë në ditë pa paguar asgjë!! “Të gjithë ata që merreshin me tenis në atë kohë ishin djem dhe burra, që kishin ardhur nga jashtë shtetit. Ishin të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Ishin, si të thuash, pjesë e elitës së shoqërisë shqiptare!”, – tregon Handan Hoxha, emri i së cilës në arabisht do të thotë njeri i qeshur dhe optimist. Dhe me të vërtetë, Handani e reflekton më së miri këtë natyrë në karakterin e saj; rrezaton e gjitha me at buzëqeshjen e saj, veçanërisht ky rrëfim që e ka kthyer shumë vite pas, e ka mbushur të terën plot nostalgji.

E motra e saj, Suzi, na tregon se emrat ua ka vendosur gjyshi i tyre, Asaf Hoxha, një jurist i diplomuar në Turqi, një prej themeluesve të shkollës së parë shqipe në qytetin e Gjirokastrës, qytet i origjinës së tre motrave Hoxha. Suzan Hoxha është edhe hartuesja e librit të parë të solfezhit në Shqipëri. Ajo tregon se e motra e saj, Handan theu një tabu në Tiranën e viteve ‘40. Ishte e para femër që mori mësime tenisi dhe arriti madje të dalë edhe kampione në kampionatin e parë të zhvilluar në ato vite. “Pas Handanit u regjistruan edhe vajza të tjera, si Safete Beshiri, Lule Bishqemi e Vjollca Greblleshi. Kjo bëri që ndeshjet e tenisit të ndiqeshin jo vetëm nga meshkujt, por edhe nga femrat, pasi kështu u thyen shumë akuj…”, – tregon motra më e vogël, Suzi. Nerimani, motra tjetër e familjes Hoxha e diplomuar për rusisht, plotëson duke treguar se kampion për meshkujt në tenis në at kohë doli Isuf Vrioni. Ajo tregon se pas vitit 1944, kohë në të cilën Shqipëria u çlirua dhe u vendos regjimi komunist, tenis luante edhe Ministri i Arsimit i kohës, Sejfulla Malëshova. “Mbaj mend që Sali Nallbani, kur luante me Malëshovën i hidhte topa të lehtë dhe e linte që ky të fitonte. Por kur Malëshova luante me motrën tonë, kjo e fundit e rrihte gjithmonë dhe tregon se sa pak dinte ai nga tenisi”, – tregon Nerimani. 

Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babain në Janinë në shkollën “Zosimea”. Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ish-diktatori e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej, babai u zhvendos në Korçë ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.

Ne mësonim gjuhë të huaja me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej më Sali Nallbanin. Vetëm atë ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj nëpër gara ndërkombëtare. Por, përveç kësaj, luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë sajoi një fushë të vogël ping-pongu që e vumë në oborrin e shtëpisë.

Tenisi ende edhe sot konsiderohet si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Kuptoni që njerëzit përreth babait ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu.  Asgjë s’i pengon në këto kohëra, por fakti që nuk e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe një herë basketboll apo volejboll, tenis jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të “pabërë”. Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait se ç’ishin gjithë këto lukse që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte “modernisimo” (nga italishtja, shumë modern) nxiton të shtojë Handani, meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej.

Tre motrat e pandara, një jetë në shoqëri të njëra-tjetrës. 30 vite e 6 muaj i përjetuan në internim. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje. Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte ndërtuar.

Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, sidoqoftë, rikthehen edhe një herë në ato vite që tashmë u shfaqen mjegullt, sepse datojnë që në kohën e Zogut, kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve u përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nermini ndërhyn t’ia përsërisë edhe një herë. Ndërsa Handani rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.

Burimi: “Koha Jonë” nga Eljona Ballhysa & “Panorama” viti 2013 / ALVA – V. D.