Historia e restorantit “Mineta Tavern” që ishte si një seli e komunitetit shqiptar në SHBA – “Mineta Tavern”, ishte një landmark “momument kulture” dhe vendi më historik në zonën Greenwich Village, në Manhatan. Në këtë restorant kanë ardhur nga njerëzit më të shquar të Amerikës, artistë të famshëm, profesorë të shquar edhe gjithë shqiptarët e njohur si: Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, Anthony Athanas, Dom Rrok Mirdita, Isa Hoxha, Agim Karagjozi, Isa Nderu, Seit beg Kryeziu, Gjon Buçaj, At Artur Liolin, Albert Akshija, por edhe mysafirë nga Atdheu si, Ibrahim Rugova, Engjëll Sejdaj, Bujar Bukoshi, Josepf Dio Guardi, Papas Antonio Belusci, Skënder Buçpapaj etj.

Pas vitit 1990 i kemi pritur me bujari të gjitha delegacionet shqiptare, emigrantët e rinj etj, që i kemi ftuar vëllazërisht në restorantin tonë. Delegacionet i kemi nderuar me aq sa kemi mundur, ndërsa emigrantëve u jemi gjendur si vëllezër. Po kështu kemi ndihmuar intelektualët shqiptarë, shkrimtarët dhe gjithë veprimtarët e komunitetit, shoqata të ndryshme, ente kulturore dhe fetare për veprimtari të ndryshme dhe kudo që e thërriste nevoja e kërkesa për përkrahje dhe ndihma, pa përfituar kurrë asgjë. Ne na ka mjaftuar mirënjohja e komunitetit, fakti që ata na kanë çmuar si njerëzit ma bujarë dhe bukëdhënës të komunitetit.

Kemi përkrahur veprimtaritë kulturore por edhe botimin e librave etj. Njëri prej tyre është edhe poeti i njohur Tahir Desku, i cili gjatë luftës së viteve 1998-1999, u kthye në Kosovë dhe dha një kontribut të njohur me UÇK-në. Kemi ndihmuar “VATRËN” dhe kontribuar me përkushtim aty. Sejdia prej mbërritjes në SHBA dhe po kështu edhe unë pa ndërprerë për 50 vjet me radhë, deri më sot kemi qënë mbështetës të VATRËS. E kemi ndihmuar, qysh kur ishte Arshi Pipa kryetar i VATRËS, biles edhe mbledhjet i bënim sipër restorant Minetës. Vatra është shumë e rëndësishme për ne si vëllezër.

Po kështu kemi bashkëpunuar me Agim Karagjozin si kryetar i “VATRËS”, ai ishte njeri i bashkëpunimit, i hapur, inteligjent dhe i respektuar në komunitet. Ne kemi punuar me të për shumë kohë. Pastaj me kryetarin tjetër të “VATRËS” Dr. Gjon Buçën, një njeri i ndershëm, patriot, i komunikueshëm. Me Gjonin, Sergio, vëllai i madh njihej qysh në Prishtinë dhe kjo na bënte shumë të afërt me të.

Ju si vëllezër gjatë Luftës së Kosovës bëtë lobing të madh, si e kujtoni këtë periudhë? – Dihet tashmë ky kontribut. Ne si vëllezër nuk kemi kursyer asgjë. Ne bashkë me shumë shqiptarë të shquar bëmë një lobing të madh në Washington, duke informuar për çështjen shqiptare njerëz të rëndësishëm që mbanin poste kyçe në Washington dhe që kishin rol në marrjen e vendimeve atje. Unë kam qenë në Rambuje në shkurt të vitit 1999. Ishim një grup me Eliot Engell, Harry Bajraktarin etj. Kërkuam takim me delegacionin shqiptar, por na thanë se ata i prisnin vetëm të huajit dhe jo shqiptarët. Kongresmeni Engel tha se unë për ju kam ardhur në Rambuje, ju më jepni votën në Amerikë, më mbështesni, prandaj edhe kam detyrime për t’ju gjendur pranë këto ditë. Me ndërmjetësimin e Dino Hasanajt, na thanë se na prisnin në takim të nesermën, në orën tetë.

Si e përjetove Kosovën e lirë? – Çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë ishte gëzimi më i madh në jetë. Ajo çfarë kishim punuar dhe ëndërruar ne si vëllezër por edhe të gjithë shqiptarët ishte bërë realitet. Menjëherë me një grup prej 15 vetësh, me kongresmenin Engëll dhe një tjetër kongresmen nga Ohaja, mbërritëm në Shqipëri. Në këtë grup kanë qënë edhe Antoni Athanas, Eqrem Bardha, Harry Bajrakari etj. Morëm një autobus dhe u nisëm për në Prishtinë nga Maqedonia.

Kur hymë në Kosovë më shpëtuan lotët, po kthehesha për herë të parë pas 40 vitesh. Falë SHBA dhe aleatëve perëndimorë tashmë Kosova ishte një vend i lirë, por edhe i shkatërruar nga lufta, mijëra të vrarë, të humbur por edhe shumë familje të mbetura në mjerim të plotë. Shumë shtëpi ishin të shkatërruara, të djegura, të rrënuara. Bëmë një vizitë edhe në Bonstill, në bazën ushtarake Amerikane në Ferizaj, aty na kthyen edhe një drekë. U gëzova pasi aty ishte një bazë shumë serioze. Bëmë fotografi dhe u ndamë si miq. Si çdo shqiptar, edhe për delegacionin tonë mirënjohja për SHBA-të ishte shumë e madhe dhe e përjetshme.

Presidenti Rugova si rrallë herë për ndonjë shqiptar tjetër shprehej publikisht për ty se “Sabitin e kam mikun tim më të mirë.” Si e keni njohur Rugovën? – Presidentin Rugova e kam patur mik të madh. Sa herë që gjëndej në New York, ai vinte patjetër tek vëllezërit Bytyçi. Miqësia jonë vetëm sa është forcuar, pavarësisht rrethanave. E kemi takuar në shtëpinë e tij në Prishtinë edhe dy muaj para se të ndahej nga jeta, ndërsa po kalonte një gjendje të rëndë shëndetësore dhe për këtë shkak i kishte ndërprerë thuajse të gjitha takimet, por për hir të respektit që kishte për ne na priti si gjithmonë me dashamirësi dhe bujari. Ishte dobësuar shumë, por nuk e jepte veten. Rugova ishte një njeri me karakter të fortë. Rugova ishte një udhëheqës mirënjohës, një demokrat i madh dhe prandaj shqiptarët e donin aq shumë. Ai nuk harronte kurrë kontributin e çdokujt për çlirimin e Kosovës. Ai kujtohej të na ftonte në të gjitha veprimtaritë që organizonte në Prishtinë pas çlirimit të vendit nga pushtuesit serbë. Rugova pati themeluar traditën e “Festës së Lamës”, në praktikën e “Ditës së Falenderimeve” në SHBA, ku ne merrnim pjesë me shumë gëzim, pasi kjo festë shkonte me traditën shqiptare që organizohej çdo vjeshtë, në çdo familje pasi mblidheshin bereqetet e vjeshtës.

Kur e keni takuar për herë të parë Rugovën? – Ibrahim Rugovën e kam takuar për herë të parë më 1989 në SHBA ku ishte ftuar për të mbajtur një ligjeratë për Pjetër Bogdanin në Fordham University, në New York. Siç dihet Rugova ishte studiuesi më i kompletuar i Bogdanit dhe dallohej nga të tjerët për pavarësinë e gjykimit dhe analizën e stilit perëndimor. Rugova atëherë ishte vetëm kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ishte bërë i njohur me artikujt dhe ligjeratat e tij të guximshme dhe patriotike në mbrojte të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ndërsa federata po shkatërrohej dhe fati i shqiptarëve dukej i paqartë.

Ai qëndroi për një javë në New York, kohë gjatë së cilës e kam shoqëruar me shumë kënaqësi dhe shëtitur në vendet më të njohura të qytetit të madh. Rugova atëherë ishte vetëm kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe biseduam gjatë dhe lirshëm për të gjitha çështjet shqiptare. Ishte një njëri i urtë, inteligjent, shumë i edukuar dhe i vendosur për të mbrojtur çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Njëherë i tregova edhe për vuajtjet e mia dhe të vëllezërve të mi nga emigracioni i gjatë, por edhe për suksesin që kishim arritur në SHBA me shumë punë, mund dhe sakrifica. Rugova pasi më dëgjoi me vëmendje më tha se vetëm vuajtjet tuaja dhe mundimet deri sa keni arritur deri këtu është një fakultet më vete. Rugova disa muaj më vonë do të krijonte Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe do të vinte në SHBA si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës, si President i zgjedhur nga populli i tij dhe si lider me famë ndërkombëtare, por gjithnjë do të vizitonte vëllezërit Bytyçi, me thjeshtësinë dhe ngrohtësinë e dikurshme, duke qënë mirënjohës për ndihmën tonë për çështjen shqiptare dhe lirinë e Kosovës.

Ju e keni shoqëruar vazhdimisht Rugovën në çdo vizitë të tij në SHBA, përfshirë edhe në një takim me Presidentin Klinton? – Kur Rugova do të takohej me Presidentin Klinton, e kemi shoqëruar për në Shtëpinë e Bardhë. Kam qënë bashkë më mikun tim Harry Bajraktari. Rugova ishte shumë i qartë për takimin dhe se çfarë do të kërkonte prej Presidentit Amerikan, por për të patur sa më shumë sukses ne shkuam dhe takuam James Hooper, një ish këshilltar i Presidentit Regan dhe njohës shumë i mirë i situatës në Ballkan dhe sidomos i çështjes shqiptare. James Hooper në atë përiudhë ishte shumë aktiv në mediat amerikane dhe ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.

Për koinçidencë vëllai im Sergio e njihte James Hooper qysh prej vitit 1974. Hooper na priti shumë mirë dhe kur i shpjeguam se për çfarë ishim të interesuar të kishim këshillën e tij, ai u shpreh i gatshëm të na jepte sygjerimet e tij. James Hooper më tha se takimi ishte shumë i rëndësishëm. Ai u shpreh se ka shtete edhe me nga 20 milionë banorë dhe më shumë dhe nuk u jepet rasti të takojnë Presidentin Amerikan.

Na tha gjithashtu se duhet të bisedoni me Presidentin Rugova dhe t’i thoni që të jetë i qetë, konçiz dhe të kërkojë vetëm tre – katër gjëra, jo më shumë. I thamë Rugovës se kështu na kishte porositur një këshilltar i njohur i Presidentit Regan. Pasi na dëgjoi me vëmendje Rugova më tha: “Sabit, unë nuk do baj boks me të, por do të bisedoj për Kosovën.” Rugova i fali një gur të Kosovës Presidentit Klinton, me të cilin pati një miqësi të përherëshme deri sa Rugova ndërroi jetë. Kur dolëm i thashë se do të pimë nga një uiski, pasi e pashë se ishte në stres dhe ashtu bëmë, por kurrë nuk e kam parë të dehur. Rugova e ruante anën njerëzore. Fliste pak por i zinte vend fjala. Edhe me amerikanët i dëgjonte, por tek kërkesa për pavarësi nuk lëshonte pe. Ai thoshte gjithmonë se për ne shqiptarët janë vetëm Zoti dhe Amerika. Rugova ishte i qetë në bisedime, një njeri që e shprehte natyrën e tij prej intelektuali të ditur dhe të urtë, por kërkesat e tij i bënte me këmbëngulje.

Tashmë jeni një familje e madhe me nipa dhe mbesa. A gjeni kohë për t’iu përkushtuar atyre? – Familja ime është zgjeruar, fëmijët janë rritur. Fitimi, Iliri, Mentori dhe vajza Dorentina. Të dy djemtë e mi, Iliri dhe Mentori jetojnë me mua dhe bashkë me djalin e madh janë si unë, punëtor, shumë të aftë dhe të përcaktuar për ndjeshmërinë ndaj komunitetit dhe çështjes shqiptare. Që të tre kanë kryer studimet e larta me rezultate të shkëlqyera. Mentori ka trashëguar zellin tim, ndërsa Iliri merret edhe me venën që vjen nga Italia. Vajza, Doruntina ka mbaruar fakultetin dhe po vazhdon specializimin. Vajza e flet më mirë shqipen dhe vjen në Shqipëri. I pëlqen Tirana.

Shtatorin e kaluar ishim në një dasmë në Tiranë. Kemi qenë edhe në Valbonë, ku vajza u kënaq shumë, u qetësua ma shumë se kudo tjetër në botë, aq sa ka fjetë dhjetë orë pa ndërprerje. Iliri ka dy djem, Mentori ka dy vajza. Nipi i madh është 6 vjeç dhe është i interesuar për kuzhinën shqiptare dhe shqipen dhe për këto e ndihmon shumë bashkëshortja ime, e cila i gatuan shumë gjellë të kuzhinës shqiptare që atij i pëlqejnë shumë, pasi i kërkon vazhdimisht. Nipat dhe mbesat na e kanë zbukuruar jetën tonë. Unë dhe bashkëshortja ime Hatixhja, tashmë kemi edhe angazhime të reja. Nipat dhe mbesa shkojnë në kopsht dhe në klasë të parë. Kopshti ka një ditë të javës ditën e gjyshërve dhe ne shkojmë me kënaqësi të madhe, pasi aty bashkëbisedohet direkt me vogëlushët e kopshtit dhe u përgjigjem pyetjeve të tyre. Është një gjë që duhet ta përshtasin edhe kopshtet në Shqipëri, pasi aty fëmijët flasin për problemet e tyre, komunikimin dhe ndjehen shumë mirë në praninë tonë. Ky bashkëbisedim i ndihmon shumë mësueset e kopshtit që të ndërtojnë punën e tyre me secilin fëmijë dhe për të patur sukses.

Si e komentoni komunitetin shqiptar sot në SHBA? – Amerika është një vend që i ka mirëpritur dhe dashur shqiptarët në të gjitha kohët. Pas vitit 1990 kur edhe u hap Shqipëria, dhe pas Luftës së Kosovës më 1999, komuniteti shqiptar u rrit shumë. Sot në New York jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë, sot ka të rinj profesiontë në punë shumë të mira në administratën Amerikane, por edhe avokatë, mjekë, njerëz të mirë dhe të talentuar kudo, por edhe në biznes. Për shembull vetëm në New York dhe New Jersey, rreth 50 % e restorantëve janë me pronarë shqiptarë. Më 1973 kemi qenë vetëm ne 4 vëllezërit Bytyçi që kemi patur restorante, ndërsa sot ky tregues flet vetë.

Duket sikur lobingu shqiptar në Washington pas Luftës së Kosovës është zbehur pak? – Është zbehur pak, krahasuar me kohën e Luftës së Kosovës kur komuniteti shqiptar qe shumë i bashkuar dhe bëri atë që tashmë e njohim të gjithë botërisht, si lobing pranë Kongresit Amerikan dhe administratës së lartë Amerikane. SHBA-të janë qendra më e madhe vendimmarrëse e botës dhe është fat që shqiptarët priten dhe dëgjohen në Washington, që interesat strategjike shqiptare dhe ato amerikane përputhen. Lobingu është përherë i nevojshëm për të çuar përpara çështjen shqiptare dhe interest shqiptare në rajon, por edhe pse lobingu serb është forcuar. Ne prapë i kemi lidhjet e forta, mbledhim fonde për ta dhe i ruajmë dhe forcojmë kontaktet. Ne shqiptarët jemi me fat që kemi mbështetjen e SHBA, por është detyra jonë që ta ruajmë dhe forcojmë këtë miqësi që ka patur si rezultat, lirinë demokracinë, sipërmarrjen e lirë dhe zhvillimin e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan.

Burimi:https://www.botasot.info/intervista-opinione/924738/rrefimi-per-takimin-e-rugoves-ne-shtepine-e-bardhe-dhe-takimin-me-ambasadorin-hollbrook/ Përshtati për ALVA:Manjola Perja