Zhytja – kjo ndjenjë drithëruese e përshkon tej për tej në çdo çast të jetës, është pasioni i madh shpirtëror i tij. Rekreacioni, i cili lidhë bashkimin e gëzimit dhe njëkohësisht hidhërimin, por duke përjetuar edhe mrekullitë që mban bota nënujore, po aq e përtejbotshme.
Ismajl Kasumi, njeriu i “veshur” me petkun e humanizmit, është një personalitet shumë i veçantë, i cili që nga fëmijëria shquhet me talentin për zhytje në ujë, por edhe për fatin e njerëzve me fat nopran. Një fat ky, sa i madh, por herë-herë edhe fatal. Ajo që ndodh nën ujë duhet të jetë mister, të cilën vetëm zhytësit e kuptojnë. Koha në ujë ka kuptim tjetër, por për zhytësit ajo është e paorë.
Viti 1970 ka qenë viti i kthesës së tij të madhe në jetë. Viti që e kishte nisur rrugës për t’u bërë njeriu i parë i rrallë në Kosovë – zhytës. Ai që do të shpëtonte jetë të panumërta njerëzisht përgjatë viteve. Por edhe ai që nxori nga liqenet, kanalet dhe puset viktima të dallgëve të vdekjes.
Ismaili, në këtë intervistë, ndan me ne pasionin dhe dëshirën për të eksploruar bukuritë nënujore, gjithnjë i udhëhequr nga shpirti i aventures dhe misionin e tij jetësor të shpëtimtarit humanitar.
Ismail, dimë se zhytja në ujë është pasioni juaj i hershëm. Na tregoni pak për kontaktin e parë me të, si dhe kur e keni mësuar notin? – Meqenëse unë jam nga fshati Grabanicë, komuna e Klinës, e kam frekuentuar shpesh Bistricën (Lumbardhin) që e kisha 15 metra larg shtëpisë sime. Notin e mësova në kraharorët e dy vëllezërve të mi, të ndjerë, Hasanit dhe Arifit. Kam qenë i shkathët që i vogël. Në vitin 1952, për shkak të akuzave në aksionin e armëve, vendosin të vijnë në Prishtinë, ndërsa dy axhallarët u shpërngulën në Turqi. Unë fillova shkollimin në shkollën “Vuk Karaxhiç” (tash Elena Gjika), pastaj shkollën e mesme ekonomike dhe më 1969 dhe u regjistrova në Fakultetin ekonomik. Notin gjithnjë e kam pasur pasion, kështu që prej shtëpisë dilja këmbë nga fshati Mat (ish-Matiqan, Lugmir (Zlatar) në liqenin e Badovcit. Ne ishim një grup shokësh, laheshim, freskoheshim, ndërsa fati e deshi që një ditë, papritmas dy të moshuar, ulur skaj liqenit na ftojnë të notonim. Ne, filluam notin, pastaj ata kërkuan se kush prej nesh, po hyn dhe po qëndronte më gjatë në ujë. Më kujtohet mirë, kam hyrë në liqen, kam kapur një rrënjë poshtë nën ujë dhe kam qëndruar shumë gjatë. Kur kemi dalë, ata njerëz janë prezantuar. Njëri prej tyre tha se është Prof. Bardhyl Zajmi, drejtor i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa tjetri, Mehmet Maliqi, sekretar i Mbrojtjes Popullore. Ata, më thonë se donin të formonin një ekip të zhytjes, i cili do të merrej me peshkim dhe skijim në ujë. Prej atij momenti, unë u kyça dhe në vitin 1970, më dërgojnë në qendrën sportive në Badi, afër Korçullës. Një profesor nga Zagrebi mbante ushtrimet me neve. Hapat e parë të zhytjes i morëm nga Prof. Marian Llanc, dhe shumë herë them, Kosova i ka shumë borxh këtij njeriu.
Me një qëndrim 21 ditësh, u aftësuam një grup prej pesë vetave. Me t’u kthyer nga Badie, në shëtitore, Korzo, papritmas rreth orës 22 vjen një veturë policore, i drejtohet grupit që shëtitshim dhe pyesin se cili nga ne ishte Ismaili. Unë, i habitur lajmërohem, ndërkaq ata kërkojnë që të shkoja të ndihmoja në një rast tragjik, në fshatin Dolak, komuna e Vushtrrisë. Një “Fiat 1300” me tre fëmijë dhe një të rritur, kishte rënë në lumin Sitnica. Pa u hamendur, shkoj i marr pajisjet dhe mbërrij diku në ora 12 të mesnatës. Hyj në ujë deh pas pak çastesh, për xham të veturës përqafoj njeriun pa jetë. Deri në atë kohë, kurrë nuk kisha parë ose prekë kufomë me sy. Dal prej aty i tmerruar, ndërsa Prof. B. Zajmi, më drejtohet “Ismail, krejt ky popull i ka sytë në ty. Këta janë të vdekur, nuk ka teori të zgjohen, por po presim që të nxirren nga uji”. Hyj sërish dhe i nxjerri ata të tre dhe vjehrrën. Prej aty, kthehem në shtëpi natën, i marr veshjet e zhytjes dhe i lë për t’u terur. Kur ngrihet nëna në mëngjes, më drejtohet me fjalët “Ismail, po të lut nana, pashë gjirin që ta kam dhënë, mos shko nëpër ujë, sepse si fëmijë të kemi nxjerrë të mbytur nga Bistrica”. Unë, mundohesha ta qoj atë porosi të nënës në vend, mirëpo, pas një kohë, paraqitet një rast tjetër kur gazetari kërçovar i Radio Televizionit të Prishtinës, Remzi Xhambazi, duke u freskuar në Badovc, mbytet. Ekipet nga Beogradi, Novi Sadi dhe Dubrovniku, e kërkojnë dhjetë ditë, por nuk arrijnë ta gjejnë. Kolegu im i ndjerë, Bajram Rudha, qëllon në skaj të Liqenit dhe iu thotë se pse nuk po shkoni ta merrni një djalë në shkollën e lartë pedagogjike dhe që e njeh këtë liqen në gishta. Vijnë në zyrë të shkollës, vëllezërit e tij, Azizi, Bajrami, Shehiu dhe më tregojnë rastin. Unë, u them se i kam dhënë fjalë të mëdha nënës. I ftoj te shtëpia, ndërkaq unë duhej të shkoja më parë, ndërsa atyre u thashë që të vinin ta merrnin betimin nga nëna. Në një çast, teksa nëna qëndronte në oborr, ata i rrëfejnë se vëllai i tyre ishte mbytur në liqe, nuk mund ta gjejnë dhe kërkonin ndihmën time. Në ato momente, më thërret nëna, unë dal, bëhem kinse nuk po i njoh. Ma qet dorën në kraharor, më përkëdhel dhe më thotë: ‘Ismail, e paskan një rast tragjik dhe kërkojnë ndihmën tënde. Shko, hallall të qoftë gjiri që ta kam dhënë dhe amanet po ta la, mos u merr para”. Dhe, për 45 vite, jam nxjerrë 547 viktimave nga liqenet, lumenjtë dhe puset që i ka hedhë okupatori, kurrë nuk kam lejuar që dikush të ma jep një metalik.
Po më pas, kur e morët seriozisht këtë punën e notit? – Së pari noti ka nevojë për një kualifikim të gjithanshëm, por asnjë qytet nuk kishte pishinë të veten. Megjithatë, unë kisha dhe eksperiencën dhe guximin. Më kujtohet kur e kemi nxjerrë Remzi Xhambazin nga liqeni i Badovcit, në vitin 1972, kam thënë se, tash e tutje, Serbia nuk ka me vend tek ne. Sepse, jemi bërë zot të vetvetes. Kështu, me ndihmesën e Prof. B. Zajmit, fillova trajnimet në qendrën sportive rekreative në Pulë (Kroaci), ku e mora titullin instruktor i zhytjes dhe pastaj fillova të punoj me grupe të reja në Prishtinë. Dua të përmend këtu anëtarët Mem Gashi, Selatin Muçolli, Osman Mejzinolli, Basri Muçolli, Qerim Hoxha, pastaj edhe anëtarë të komuniteteve tjera. Sot, ekipin e zhytjes “Prishtina”, e udhëheq djali im Besarti, një ndër ata është edhe vajza ime Triera, që është femra e parë shqiptare, që ka shijuar një thellësi deri në 40 metra. Por edhe shumë të tjerët, në aktivitet nënujore vazhdojnë traditën timen.
Cili ka qenë motivi juaj kryesor që të filloni të merreni me zhytjen? – Motivi im kryesor ka qenë se nuk mund të përballesha me familjet në nevojë, me ato dhimbje aq të mëdha për anëtarin e humbur. Kam pasur rast kur familjarët më kanë thënë, vetëm ta nxjerrja nga ajo thellësi viktimën dhe do të ndjeheshim sikur të ishte i gjallë.
Sa thellë jeni zhytur dhe cila është ndjenja që keni përjetuar? – Në mes Korçullës dhe Dubrovnikut, në Detin Adriatik, kam hyrë në një thellësi 120 metra. Ishte një kënaqësi e papërshkruar. Po ta kisha atëherë një kamerë nënujore, kjo do të ishte kënaqësia më e madhe e imja.
Bota nënujore është misterioze, cila është gjëja më e bukur që keni parë në të? – Ne jemi mësuar në një natyrë të përditshme që syri i njeriu e sheh dhe e përjeton, por befasia më e madhe imja është që kam hasë në një natyrë të papërshkruar me lloj-lloj gjallesash nënujore dhe shumë herë më dukej se jam duke u ngjitur Bjeshkëve të Rugovës, lart. Pastaj, kur zbrisja poshtë, më dukej se jam në Rrafshin e Kosovës dhe po shihja livadhe të bukura. Kështuqë, shumë raste kam harruar se ku gjendem në ato thellësi dhe bukuri që kanë detet.
Po momentet më të vështirë që keni kaluar?
Ka pasur mjaft, sidomos rastet tragjike kur ne kërkonim trupin deri në 20 ditë. Pastaj, pas përfundimit të luftës në Kosovë, u ballafaqova me dyzet viktima që i hodhi okupatori serb. Në fshatin Mleqan, nxora trupin e pajetë të Sherif Kryeziut, vazhdova në Kuçicë, komuna e Skenderajt; pastaj në Çubrel (Skenderaj), nxora vëlla e motër, e shumë e shumë raste të tjera.
Sa trupa keni nxjerrë deri më tashti dhe sa jetë keni shpëtuar? – Trupa të nxjerrë pa jetë, janë 547, kurse njerëz që kam shpëtuar nga fatkeqësitë, janë të panumërt dhe në çdo datëlindje timen, thuajse tërë kohën nuk ndalen telefonatat e urimit, nga Amerika, Australia, shtetet e Evropës, por edhe vendi.
Deri në sa ditë ka ndodhë të mos ndërpritni kërkim-gjetjen? – Një imazh më kujtohet si tani. I ndjeri, Nezir Buleshkaj, pas largimit prej punës në Dubravë, merr rrugën për mërgim. Me t’u kthyer më vonë në një vizitë familjare, makina e tij, bashkë me të bien në Ibër të Leposaviqit. Aksioni ynë ka zgjatë 20 ditë derisa e kemi gjetur. Jam shumë mirënjohës për familjen Buleshkaj, sidomos Qazimit, i cili më fton për përvjetorin e humbjes së vëllait të tij dhe më falënderon.
Rrjedha e lumenjve di t’i fsheh viktimat? – Nuk ka lum në Kosovë, ku nuk kam intervenuar. Duke u nisur nga Bistrica, Drini i Bardhë, Sitnica, Lepenci, Llapi, Morava, Nerodimja, dhe gjithë lumenjtë tjerë. Lumenjtë dinë të fshehin viktimat, por edhe t’i zhveshin dhe bartin ndër rrënjë, mirëpo, mua Zoti më ka ndihmuar, pasi që këtë punë e bëj në aspektin humanitar e jo për përfitime personale. Kemi pasur raste kur pas 4-5 km e kemi gjetur viktimën. Me mburrje e them, deri më sot, nuk ka ndodh që të mos e gjejmë viktimën.
Sa është i vështirë takimi nën ujë me të mbyturin? – Unë jam një njeri që ndoshta, të qindtat e sekondës ma kanë bashkuar gëzimin dhe hidhërimin. Gëzim i madh është kur e gjen viktimën. Ndonjëherë është moment edhe më i rëndë kur ballafaqohem me dhembjen e familjes së tij. Ndaj kësaj askush nuk mund të qëndrojë indiferent.
Për çka mendoni derisa jeni duke mbajtur frymën? – Unë, gjithnjë mbaj një rezervë ajri që ma mundëson që sërish të ngritëm në atë sipërfaqe prej të cilës jam zhytë. Është një ndjenjë, po ashtu se a do të arrij të dalë apo jo? Unë, do ta përshkruaj edhe një rast. Në vitin 2002, bashkëshortja ime me vajzën, qëndronin në Ulqin për pushime dhe gjatë vikendit, shkova t’i vizitoj. Ndërkohë, fundoset një kosovar dhe prindi i tij, lyp ndihmën nga ulqinakët. Ata e kushtëzojnë me një shumë parash. Në mbrëmje, unë dal në plazh të vogël, rastësisht më takon Nazmi Sahiti, i cili me plot dhimbje, më tregon që ka humbur djalin 24 vjeçar dhe se ulqinakët po kërkonin 4.000 Euro për të nxjerrë trupin e tij. U them që të mos u jep asnjë metelik dhe i premtoj që në ora 5 të mëngjesit, do të jem aty. Të nesërmen, hy me lepejza dhe me syze, në një thellësi 11 metra, e shoh trupin e tij të shtrirë, të pajetë. Dal jashtë, mbushem ajër, zhytem sërish, e kapi trupin e tij dhe dal në sipërfaqe. Kur e qes, në plato, në atë moment, plot njerëz më shikonin me vëmendje. Teksa tre ulqinak qëndroni të ulur aty, njëri prej tyre më drejtohet me fjalët: “A pak po të doket Kosova, sa ke ardhë edhe në Ulqin”. Ata kishin qenë zhytësit, të cilët e kishin kushtëzuar, ndërsa unë u drejtohem “E paqi faqen e zezë, që po doni të pasuroheni në fatkeqësi të tjetërkujt”. Ky ka qenë një rast specifik, megjithëse kam pasur edhe shumë raste tjera të ngjashme.
Sa gjatë mund të mbani frymën në qetësi? – Deri në tre minuta kur kam qenë në top-formë.
Çka nevojitet nga pajisjet për t’u zhytur në ujëra? – Pajisjet e domosdoshme janë rrobat e zhytjes, çorapet, dorëzat, peshorja, plumbi në brez për fundosje, aparati i zhytjes dhe lepejzat. Por, në kushtet tona, preferohet edhe bateria nënujore.
A ju ka përfshirë ndonjëherë monotonia apo ndonjë ndjenjë e keqe kur jeni zhytur në thellësi? –Jo, gjithnjë kam qenë shumë i lumtur, sepse i ndihmoj popullit tim. Dhurata dhe shpërblimi më i madh ka qenë në ato momente kur kam dalë në sipërfaqe vet i dyti. Këtu, nuk mund të lë pa përmendur fjalët miradije që m’i kanë thënë familjarët: Zoti të ruajt, Zoti të bekoftë, Zoti të dhashtë të gjitha në jetë për këtë ndihmëse që ti bën. Por, janë të shumtë edha ata që më kanë pyetur: ‘Ismail, a të merr gjumi, a mund të flesh. Je marrë me shumë kufoma dhe a të përfytyrohen ndonjëherë.’ Përgjigjja ime është që po t’ju kisha marrë para, ndoshta do të më ishin përfytyruar, por flejë i qetë me fjalët miradije të familjarëve të tyre.
A mendon që zhytja është sport ekstrem? – Zhytja është sport ekstrem, sepse ata që merren me sporte tjera, kanë mundësi pushimi, kurse në zhytje, të ulesh dhe të pushosh në fund të liqenit, nuk ka teori.
Çka është e nevojshme që dikush të fillojë të merret me zhytjen dhe a mund të bëhet çdokush zhytës? – Së pari, preferohet kontrolli mjekësor. Një zhytës duhet të jetë në gjendje shumë të mirë prej veshëve, kapacitetit të mushkërive dhe preferohet të mos ketë dhëmbë të prishur, sepse kur respiratori të fundet në gojë, ai shtrëngohet. Pastaj oksigjeni të cilin e merr, ka një dozë më të rëndë dhe mundet të ndikojë në shëndet.
A është zhytja sport i meshkujve? – Zhytja është sport në përgjithësi, po unë preferoj që meshkujt të merren me rastet tragjike të fundosjes, ndërsa femrat, ta shijojnë natyrën nënujore që ka domethënie shumë të madhe.
Nga të gjitha aventurat tuaja, cilën e konsideroni më të rëndësishme, më të rrezikshme dhe më argëtuese? – Më e rëndësishmja është kur njeriu pa hamendje hyn në ujë, i papërgatitur. Po e përmendi së paku një detaj më të rëndësishëm dhe më të rrezikshëm. Më 2004, në Çabër, në Lumin Ibër, Mitrovicë, komuniteti serb ka ndjekur tre fëmijë dhe ata kanë tentuar ta trupojnë lumin. Fatkeqësisht janë fundosë. Unë kam shkuar t’i nxjerri viktimat dhe, diku në kilometrin e katërt, pasi e lëshojnë qëllimisht ujin prej Ujmanit në Gazivodë, shpejtësia e madhe, ma heqë aparatin e zhytjes prej shpinës, ballafaquar me valë nja 100 metra derisa kam arritur të dal në breg, i alivanosur krejtësisht. Ky ka qenë një prej rasteve më të rrezikshme në jetën time.
Ndërsa aventurë më argëtuese e vlerësoj një moment kur skijoja në liqenin e Batllavës. Në atë kohë, autobusët për Leskovc shkonin kah Orllani, Batllava. Ndalet një autobus plot udhëtar për të më shikuar duke i grahë skitë. Një i moshuar me kapelë ta bardhë, kur kam dalë prej ujit, i merr skitë në dorë, i shikon dhe thotë: ‘Kam pasë thanë se do të dalë diçka për me fluturue. Dolën aeroplanat, por që hyp njeri në dy pallzina dhe shkon mbi ujë, po bie në shahadet”. Fjalët dhe përqafimi i tij, ishte një kënaqësi e papërshkruar për mua.
Duke gjurmuar thellësitë, njeriu fiton mjaft dhe shërben edhe për të matur veten. Sa të jep qetësi shpirtërore e paqe në shpirt, një aktivitet i tillë? – Është një kënaqësi e posaçme kur njeri ia arrin ta shijojë atë thellësi, të shoqërohet me gjithë gjallesat nënujore, duke u nisur nga peshkaqeni, delfinët, peshqit e llojllojshëm, gaforret, iriqët i detit, breshkat, etj. Kurse prej të gjitha këtyre gjallesave, rrezikun më të madh në jetë e kam pasur në vitin 1978, duke qenë i sulmuar nga peshkaqeni. Fati ishte me mua, sepse kam qenë në një thellësi të konsiderueshme dhe menjëherë jam fut në një shpellë nënujore dhe ai ka vazhduar rrugën e vet.
Veprimtarinë e zhytjes e keni kurorëzuar me themelimin e klubit të parë të zhytjes në Kosovë që edhe sot është funksional “Klubi i Zhytjes Prishtina’. Sa zhytës ka sot Kosova? – Prishtina ka 20 zhytës, Gjakova -10 dhe një numër të konsiderueshëm Forca e Sigurisë së Kosovës. Unë, ftoj që çdo qytet që ka lum dhe liqen, të ketë ekipin e zhytjes. Projektet e mia i kanë të gjithë, por nuk kam marrë përgjigje kurrë.
Ju nuk keni pasion vetëm ujin, por edhe skijimin, apo jo? – Pasioni për skijimin, është po aq i dashur sa dhe për ujin. Jam një skiator i mirë. Shumë e shumë gjenerata kanë kaluar përmes mësimeve të mia. Kam qenë pothuajse në të gjitha malet këtu, nga Qendra sportive e Brezovicës, Boga e Bjeshkëve të Nemuna, Shala e Bajgores dhe shumë e shumë qendra tjera.
Porosia juaj për të rinjtë, të cilët do të donin të provonin veten në zhytje dhe në sporte të tjera dhe në sfida jetësore? – Këshilloj të rinjtë që të mos hamenden, të merren jo vetëm me zhytje, por edhe me krejt sportet tjera.
Burimi: https://telegrafi.com Intervistoi Gazmend Kajtazi