Ambasada e Japonisë në Shqipëri organizoi më 22 qershor 2018 një ceremoni të veçantë në nderim të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Japoni, profesorit Bujar Dida, të cilit iu dorëzua “Urdhri i artë i Diellit që po Lind dhe Ylli i Argjendtë”.
Ishin të pranishëm zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, ish-Presidenti Rexhep Meidani si dhe të ftuar e personalitete të tjera, Ambasadori Ito i dorëzoi z. Dida simbolet e nderit: certifikatën e dhe dekoratën perandorake.
Në fjalën e tij Ambasadori Ito uroi ish-ambasadorin Dida për dekorimin dhe e falënderoi atë për kontributin e dhënë gjatë 18 viteve të fundit, për krijimin e urës së parë të miqësisë dhe mirëkuptimit midis Japonisë dhe Shqipërisë.
Ish-ambasadori Dida përmendi si një prej arritjeve të tij më të mëdha, krijimin e një kurrikule të gjuhës japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës, nga e cila kanë përfituar rreth 100 studentë deri më sot, ndërsa shumë të tjerë që do të vijojnë ta ndjekin këtë lëndë gjatë viteve në vijim, do të përfitojnë gjithashtu.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë Zëvendësministri Etjen Xhafaj foli për rëndësinë që ka pasur kontributi i z. Dida në avancimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Japonisë. 
Dida është i pari shtetas shqiptar i cili nderohet me një dekoratë perandorake japoneze. Bujar Dida ka qenë i pari Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe i pari Ambasador i Shqipërisë në Japoni.

Ambasadori japonez në Shqipëri, Makoto Ito, i dorëzon ish-ambasadorit të Shqipërisë në Japoni Bujar Dida dekoratën perandorake “Urdhri i artë i Diellit që po Lind dhe Ylli i Argjendtë”. Foto: Ambasada Japoneze në Tiranë.

Burimi:Thanas Mustaqi/ Pershtati per ALVA:J. H.

Artikulli paraprakShqiptarët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri bënë shqiponjën të fluturojë lart në Kaliningrad
Artikulli tjetërTiranë 18 tetor 1913 – Foto historike me ngjyra autokrome nga August Leon