Theofan Stilian Noli i njohur si Fan Noli një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare. Ai ishte njeriu i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, të cilat i kapërceu me përkushtimin e një burri të vërtetë shteti. Artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes. Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare.

Foto: Portret i Bishop Fan S. Noli në Shqipëri 9 Nëntor 1924.

Lindi më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe, një fshat i përfshirë në Uzun Qoprys, vend ky që ndodhet në pjesën evropiane të Turqisë, fshat shqiptar në Thrakë, jo shumë larg nga Ederneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë. Qyteza e Ibrik-Tepesë është ngulmim i banuar thuajse tërësisht nga shqiptarë dhe pasardhës shqiptarësh, ajo kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Në vjeshtën e vitit 1900 mbaron gjimnazin.

1900 largohet për fare nga vëndlindja, shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Për të jetuar detyrohet të punojë si karrocier trolejbuzi, kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri).

Mars 1903 – mars 1905 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet, në shkollën fillore greke të Shibin-el-Komit (Egjipt) ku njihet me Spiro Dinen, i cili e ve në kontakt me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për çlirim nga zgjedha osmane. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashërit, që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje.

Korrik-gusht 1904 boton skicat e para letrare në revistën demokratike greke “Numas” me emrin Theofan Mavromati.

Shtator 1905 bashkëpunon me gazetën “Drita” të Shahin Kolonjës, ku boton artikuj me të cilët u përgjigjet sulmeve të shtypit shovenist grek.

Prill 1906 i nxitur dhe i përkrahur nga patriotët, Thanas Tashkos e Jani Vruhos shkon të organizojë ngritjen e shoqërive atdhetare në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, që kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovenistëve grekë.

Me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur në Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në “Botën e Re”, duke kaluar nga Napoli, dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Për njohuritë e tij gjuhësore do dërgohej në një mision rus në Amerikë. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, si punëtor, pjatalarës etj. Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Tensioni që ndjenin shqiptarët ortodoksë nga ndikimi i Kishës Greke mbërriti kulmin gjatë varrimit të një patrioti shqiptar, të cilit prifti grek nuk pranonte t’i kryente shërbesat e fundme. Me nismën e vet Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve ortodoksë nga mbarë Nju Englandi, ku delegatët vendosën të themelojnë Kishën Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, me Nolin si klerikun e saj të parë.

Megjithëse nuk kishte bindje të forta fetare, u dorëzua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetare etj. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve shoveniste greke te shqiptarët me besim ortodoks. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federaten pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude).

31 maj shkon në Bufalo, qendër e shoqërisë “Mall´ i mëmëdheut”. Për ca kohë punon në një sharrë.

Korrik 1906 – maj 1907 punon si redaktor i gazetës “Kombi”. Në “Kombi”, gazetë e parë shqiptare në SHBA, boton artikuj ku ngre probleme të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe para së gjithash çështjen e bashkimit të të gjitha forcave atdhetare përballë rreziqeve që i kanoseshin kombit.

1907 boton dramën në tri akte “Israilitë dhe filistinë”.

6 janar themelon në Boston shoqerinë atdhetare “Besa-Besën”.
9 shkurt 1908 merr përsipër misionin për themelimin e Kishës Shqiptare ortodokse në SHBA. Në moshën njëzetegjashtëvjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin

8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks.

22 mars 1908 Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në “Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit, themelimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Dhjetor 1908 nis botimin e librave me karakter fetar si:

  • “Shërbesat e javës së madhe” Boston 1908
  • “Libra e shërbesave të shenjta” Bruksel,1909 
  • “Libra e të kremteve të mëdha” Bruksel, 1911

15 shkurt 1909 boton numrin e parë të gazetës “Dielli” që e nxirrte shoqëria “Besa-Besën”,  zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit deri në korrik 1911.

10 gusht 1911 viziton në disa vende të Evropës kolonitë shqiptare të Kishinievit e të Odesës, të Bukureshtit e të Brailës, si dhe të Sofjes dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe.

Foto: Mesha e parë në shqip

31 mars 1912 me punën e pandërprerë të Nolit themelohet në Boston Federata Panshqiptare “Vatra” që luajti një rol të shquar për mbrojtjen e interesave e të pavarësisë së Shqipërisë.

28 prill 1912 bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kairos që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut.

Nëntor 1912 duke parë rrezikun që i kërcënohej Shqipërisë nga vazhdimi i Luftës Ballkanike, “Vatra” e nis me mision Nolin në Evropë. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. 

1908 – 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali.

Pranverë 1913 zhvillon një veprimtari të dëndur politike në Londër për një Shqipëri të pavarur brenda kufijve të saj etnike. I dërgon memorandume Ministrisë së Punëve të Jashtme të Anglisë për këtë çështje e boton disa artikuj në shtypin londinez.

2 Mars 1913 mori pjesë në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica, që ishte kundër copëtimit të Shqipërisë nga ana e Fuqive të Mëdha të mbledhura në aeropagun e Londrës.

Korrik 1913 Fan Noli viziton për herë të parë Shqipërinë, ku pritet nxehtësisht në Vlorë dhe Durrës. Në atdhe has në kundërshtime për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend.

10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze.

Gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915.

Maj 1915 pasi qëndron më se dy vjet në Evropë, kthehet në SHBA. Gjatë kësaj kohe Fan Noli zhvilloi një veprimtari të dendur politike e propagandistike, si dhe për themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare në Shqipëri.

Korrik 1915 zgjidhet kryetar u Federatës Pan-shqiptare “Vatra”.Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike.

21 dhjetori 1915 – 6 korrik 1916 u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme.

Korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. 

Shtator 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review “Revista e Adriatikut”, që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë.

24 mars 1918 Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. 

27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. 

1920 duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta “The Manchester Guardian”, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si  “një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte.

1921 doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut”. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjërë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga A. Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, pas ngadhnjimit të të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca të huaj.

24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mërgimit politik dhe s’u kthye më në Shqipëri. U vendos përkohësisht në Vjenë. Regjimi zogist e dënoi me vdekje në mungesë.

1925-1930 krahas veprimtarisë politike, zhvilloi një punë të dendur krijuese: shkroi vjersha, shqipëroi disa kryevepra të letërsisë botërore, me hyrje kritike, botoi artikuj të mprehtë për mbrojtjen e Revolucionit Demokratik të Qershorit, për denoncimin e regjimit zogist dhe të reaksionit ndërkombëtar.

25 mars 1925 forcat demokratike ­ revolucionare në emigracion themeluan Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) e zgjedhin në krye të tij Fan Nolin.

1926 boton në Bruksel në përkthim shqip veprat madhore të Shekspirit “Hamlet”, “Makbethi”, “Jul Qezari” dhe të H. Ibsenit “Armiku i popoullit” dhe “Zonja Ingra e Ostrotit”, të pajisura secila me një analizë kritike.

28 nëntor në “Lirija Kombëtare” boton tri nga poezitë politike më të njohura të tij:”Hymni i Flamurit””Syrgjynvdekur” (Elegji për L.Gurakuqin) “Shpell´ e Dragobisë” (Elegji për B.Currin)

8 dhjetor denoncon paktin italo-shqiptare, të ashtuquajturin Pakti i parë i Tiranës dhe e quan atë si preludin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

1927 boton në Vjenë (1926) versionin e parë të “Rubairave” të Omar Khajamit dhe në Bruksel versionin e plotë të pajisur me një analizë kritike dhe me shënime.

15 janar në gazetën e Nju-Jorkut “Herald Tribjun” u bën thirrje njerëzve paqedashës të mbarë botës për të ndaluar katastrofën që i kërcënohej Shqipërisë nga intrigat e fshehta të diplomacisë angleze e italiane për të ndezur zjarrin në Evropën Juglindore.

Prill zgjidhet kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional. Noli është ndër të parët që propagandon idenë për ta lidhur luftën e popullit shqiptar me atë të popujve të tjerë të shtypur të Ballkanit e të Evropës.

24 prill merr pjesë në hartimin e Deklaratës së përbashkët të Komitetit të Çlirimit Nacional e të Komitetit të Çlirimit të Kosovës.

1927-1928 boton poezitë “Marshi i Barabajt” e “Kënga e Monarkisë”.

1929 merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar Antifashist që zhvillohet në Berlin.

Janar-shkurt 1930 boton poezitë e mirënjohura “Moisiu në mal” dhe “Shën Pjetri në mangall”. Afërsisht të kësaj kohe mund të jene¨edhe poezitë “Marshi i Krishtit”, “Krishti me kamçikun”, “Marshi i kryeqësimit”, “Kirenari” dhe “Kryqësimi”.

Prill-maj shkruan dy poezitë më të fuqishme të tij: “Rent, or marathonomak” dhe “Anës së lumenjve”.

Maj kthehet përsëri në SHBA, Ministri i Zogut në Uashington, Faik Konica, përpiqet ta bindë Nolin të heqë dorë nga rruga revolucionare.

Pas vitit 1930 Noli u largua nga Evropa dhe u vendos përfundimisht në SHBA. Aty ushtronte funksionin e peshkopit të kishës ortodokse shqiptare.

Më 1947 botoi përpunimin që i bëri “Historisë së Skënderbeut”, nxori në dritë një botim anglisht dhe më 1949 një variant të dytë shqip të saj: kurse më 1960 dha anglisht një “Autobiografi” të shkurtër mjaft tërheqëse. Vëllmin me vjersha “Album” u botua më 1948.

1 nëntor fillon të botojë në Boston gazetën “Republika”, me program që i përmbahej në vija të përgjithshme atij të KNÇ: Republikë, demokraci, pavarësi dhe kufi etnikë. Vazhdoi të dalë deri më 1933.

1932-1933 boton pjesën e parë të romanit “Don Kishoti” të Servantesit në pesë vëllime të shoqëruar me një analizë kritike.

1935 kalon një jetë të vetmuar. Merret me studime nga më të ndryshmet dhe fillon mësimet në moshën 53-vjeçare në konservatorin e muzikës të Nju-Inglendit në Boston.

1936 boton pjesë muzikore liturgjike nën titullin “Hymnore”.

1937 mbaron konservatorin e Muzikës.

1945 në moshën 63 vjeçare, Noli merr titullin doktor në filozofi nga universiteti i Bostonit për disertacionin “Gjergj Kastrioti ­ Skënderbeu, 1405-1468” (George Castrioti Scanderbeg) që botohet më 1947.

Tetor Konferenca e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e zgjedh Nolin kryetar nderi të saj për “Kontributin e madh që ai kishte dhënë në fushën e kulturës dhe të letrave shqipe”.

Foto: Varri i Fan S. Noli

Janar 1947 bashkatdhetarët festojnë 40- vjetorin e ardhjes së Fan Nolit në SHBA, koincidon me vënien në qarkullim të veprës “Bethoveni dhe revolucioni francez” (“Beethowen and the French Revolution”).

1950 Noli boton veprën “Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1405-1468)”, variant i ri i botimit të vitit 1921.

Shkurt 1959 Noli shkruan “Dhjatën” apo testamentin. Një nga kërkesat e tij themelore ishte që të thjesht e pa shpenzime.

1960 botohet “Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare (1908-1958) nga Metropoliti Fan S. Noli”.

Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjersha të fundit orgjinale dhe një tok shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Më 20 nëntor vajti në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdel, mbylli sytë përjetë, më 13 mars 1965, në moshën 83-vjeçare, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.

Burimi:https://www.shqiperia.com/ www.wikipedia.com / http://www.kosovapress.com/ Përshtati për ALVA E. T.