Artisti i shquar me famë botërore Agim Sulaj ka lindur në vitin 1960 në qytetin e bukur jugor të Shqipërisë në Vlorë. Studimet e shkollës së mesme i kreu në vitin 1978.  Në moshën 19 vjeç fiton çmim e parë në revistën e mirënjohur të atyre viteve ‘’Hosteni’’, revistë që kritikonte aq sa mundte fenomenet e shtrembëruara të kohës. Gjatë kësaj kohe ai ka qenë student i Arteve të Bukura në Tiranë dhe i përfundoi ato në vitin 1985.

Edhe në kohën kur komunizmi marshonte në mendjen e njerëzve për pak ideal kishte karikatura dhe mesazhe sarkastike sa dhe shprehnin talljen në mos sarkazmën e një mendimi të hollë dhe fin siç është ajo e Agim Sulajt. Këtë ai e ka shprehur te revista ‘’Hosteni’’ që në moshën 19 vjeçare. Gjithmonë Agim Sulaj ka mesazhe të forta, dhe gjithmonë ai luan në mikronin e domethënieve në çdo penelatë të tij. Me anë të një lupe mendimi ai të sjell imtësinë e bashkuar në një makrorealizëm kuptimor sa dhe kulturor një satirë. Të shumta janë pikat e forta të piktorit dhe karikaturistit Agim Sulaj, imtësia deri në thellësi, mesazhi për ekzistencializmin, satira, për të vijuar më tej si piktor i grafitit dhe i penelit, mjeshtëror si në hijedritë dhe në kolorite të forta, si në grafit dhe në panorama apo portrete njerëzore.

Piktori Agim Sulaj në studion e tij

Nëpërmjet ngjyrave apo lojës së hijedritës, nëpërmjet kuptimit të drejtpërdrejtë apo domethënieve të tërthorta që shprehin ekzistencializëm dhe puritanizëm në figurat e tij ai gjurmon kudo ku mendja e tij shikon art.  Ndryshe ai nuk mund dot ta kuptojë jetën. Autenticiteti është gjithmonë lojë e tij dhe sidomos loz, si me doket, dhe me imazhet që semiotikisht përcjellin dykuptimësi sa dhe thellësi mendimesh. Karikatura godet gjithmonë shpirtvogëlsinë sa dhe pompozitetin, mediokritetin sa dhe absurdin, viktimizimin apo egoizimin, të gjitha elementë të një personaliteti të dobët shoqëror, që edhe në raste të veçanta kthehet në shoqëri të tillë.

Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini, që është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta dhe merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit.

Portreti i Ali Pashë Tepelenës & Gjergj Kastriot Skënderbeu

Sa realist me ngjyrat e tij domëthnënëse në portrete si Ali Pashë Tepelena, Gjergj Kastriot Skënderbeu, panoramave plot ngjyra të këndshme të bregdetit, ai vjen i rëndë në mesazh me karikatura grafiti si “Valixhja e emigrantit’’ ku ka fituar dhe çmime ndërkombëtare në Turqi dhe në Londër . Me anë të kësaj pikture me grafit shprehet tragjedia e një populli mërgimtar i endur në dallgët e shumta të tragjedive dhe dramave të veta. Këtu ai është më mjeshtëror se kurrë. Piktura e tij e mbushur me domethënie, gjithmonë godet një prapavijë që nuk shihet, një prapavije që injorohet apo mundohet nga shoqëria të harrohet në indiferencat e saj të shumta që pjellin forma deformimesh në karaktere. 

“Valixhja e emigrantit’’ Agim Sulaj

Ashtu si Bronzino ai është kultivuar si detajist, në të njëjtat pasione si detajisti i rilindjes italiane, por me një realizëm bashkohor sa dhe i thellë në artin e vet. Ai nuk i ndahet detajit, dhe kjo rrugë ka marrë përparësi për të shpallur një qartësi të plotë të portreteve ku ai do të detajojë. Ai merret me idetë dhe dukuritë shoqërore. Në pikturat e veta ai përdor mirë ngjyrat e zëna si dhe  të ndezura, por mjeshtërinë e vet ka më shumë grafitin. Detajizmit të tij, nuk i mungon thellësia si te tablotë e mesazheve të forta nëpëmjet ekzistencës së fëmijëve që nisin udhëtimin e tyre të ndarjes midis një bote që fillon dhe asaj që përfundon me lindjen e tyre.

Madje dhe trungjet e pemëve japin më shumë mesazh se njerëzit me veshje popullore, ato shprehin jo vetëm ekzistencën po dhe këmënguljen për të qëndruar aty ku janë, te toka e tyre. Mjeshtëria e tij zgjatet dhe është e larmishme në kuptimësi. Piktori ka një përdorim të mirë të grafitit dhe të punimit në vaj dhe kjo falë detajit i shton si kthjelltësinë dhe imtësinë, dy karakteristika që ka mjeshtëria e këtij piktori dhe karikaturisti. I thjeshtë në komunikim ai motivon tema debutuese sa edhe kritikuese në problemet shoqërore, pasi shoqërorja është problemi thelbësor, aty gatuhen tragjekomeditë që shpreh karikatura.


Bota fëmijërore në pikturat e mjeshtrit Agim Sulaj

Ironia e hollë që jep karikatura deri në sarkazëm i mbivendoset mesazhit të pikturave. Por ndonjëherë nga e thjeshta fare shpërfaqet mrekullia, sikurse nga kompozimet komplekse ka mesazhe globale për njerëzimin. Ai preferon të kuptueshmen në mesazh, të thjeshtën, të qartën, të bukurën.

Trajton tema nga më të ndryshmet, nga e thjeshta tek esencialja, nga personalitetet më të shquara futet në botën fëmijërore, në aspektin psikologjik futet në ndrydhje, psikozat shoqërore dhe individuale, tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet, nuk lë pas edhe natyralizimin si dhe mesazhin që duhet të përçojë ky mesazh. Formimi i tij në dy fronte, si në pikturë dhe ne karikaturë është një arsenal që ai nuk e lë por e përdor mirë.

Mjeshtri Sula është nderuar në shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Përmbledhjen e vlerësimeve, çmimeve të artit dhe karrierës së mjeshtrit Sula gjatë viteteve e gjeni si më poshtë:

1979 – Fitues në garën tradicionale vjetore të satirave dhe humorit të organizuar nga revista ironike të kohës ‘’Hosteni’’ për karikaturën “Elegy”

1982 – Fitues i çmimit të parë në revista Hosteni, Satirë dhe Humor për emblemën e “70 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”

1984 – Fitues i çmimit të tretë në revista Hosteni – Satirë dhe Humor për karikaturë në titullin “Asortimenti dhe global”

1984 – Fitues i shpërblimit të posaçëm në konkurs me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, organizuar nga Instituti i Lartë i Arteve të Bukura në Tiranë për karikaturën “Njeriu me dy fytyra”

1986 – Fitues i çmimit të parë tek Hosteni – Satirë dhe Humor Magazinë për karikaturën “Tymi im mbi të gjithë të tjerët”

1988 – Çmimi i parë në Çmimin e Karikaturës Ballkanike “Njeriu dhe Mjedisi”, Seres (Greqi)

1990 – Çmimi special “Aydin Dogan Competition International Cartoon” në Ankara (Turqi) me veprën “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989.

1998 – Çmimi i parë në “Eurohumor”, Cuneo (Itali)

1999 – Çmimi i nderit për Konkursin Ndërkombëtar të Karikaturistëve, Tolentino (Itali)

2000 – Çmimi i konkursit ndërkombëtar “Omaggio a Charles Shulz” në Cuneo (Itali)

2002 – Çmimi Ndërkombëtar Special “Eurohumor”, në Cuneo (Itali)

2003 – Fitues i dy çmimeve të veçanta në Festivalin Ndërkombëtar të Artit Humoristik në Tolentino (Itali)

2004 – Fitues i “Festivalit të Humorit” në Cuneo (Itali)

2005 – Çmimi special në garën evropiane të karikaturës “Shtëpia e piktorit” (Belgjikë)

2005 – Çmimi Special në Festivalin e 23-të Ndërkombëtar të Artit Humoristik, Tolentino (Itali)

2012 – Fitues për karikaturën “Europa në det të hapur”, në edicionin e dytë të konkursit “Një karikaturë për Europën”. Konkursi u organizua nga përfaqësia në Itali e Komisionit europian në bashkëpunim me të përjavshmen Internazionale. Karikatura fituese e Agim Sulajt është botuar në Romagna Corriere më 31 dhjetor 2011.

2017 – Fitues i dy çmimeve të Portugalisë – Çmimi i dytë në konkurrimin ndërkombëtar me veprën e plastikës në qytetin Porto, si dhe çmimi i dytë në Espinhal po në Portugali me veprën “Cikli i jetës”.

2018 – Më 16 dhjetor inaguroi në qytetin e Montecchio në Itali një ekspozitë personale me përmbledhje karikaturash publikuar në revistën “Hosteni” 30 vjet më parë.

2019 –  Gusht shpallet fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Piracicaba të Brazilit, me karikaturën e presidentit Donald Trump. Ishte një çmim i dhënë nga këshilli bashkiak i Piracicabas dhe përzgjedhja e 2176 veprave të ardhura nga gjithë bota nxori fituese veprën e artistit Agim Sulaj, për karakteristikën e saj të veçantë. Nëpërmjet një dore të jepet karakteri dhe ngjashmëria në tërë madhështinë e saj. Por ky vit ka qenë i frytshëm për karrierën artistike të Sulajt, ku mund të përmendim çmime të tjera si Belgjikë Knokke Heist, përsëri Belgjikë në Kruishoutem, Prishtinë, Norvegji e Turqi.

Piktori Sulaj në ekspozitën e tij “Rrënjët” në Tiranë

Në lidhje me aktivitetin e tij piktori Agim Sulaj tregon se krahas ekspozitave të ndryshme të shumta që ai ka qenë pjesmarrës në botë nëpër konkurset e karikaturës jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg, Danimarkë, Rumani vjen rregullisht edhe në Shqipëri. Ai njëkohësisht i ka dërguar veprat e tij në disa konkurse si në Portugali në World Press Cartoon, në Turqi në Izmir, në Belgjikë në Knokke Heist si dhe Kruishoutem,  po ashtu dhe në Dysseldorf në Gjermani etj.

2015 – 2019 Ekspozita “Rrënjët” në Tiranë, ku çdo vit prezantimi i pikturave dhe karikaturave ka qenë i  tematikave të ndryshme.

2018 – Rikthehet në qytetin e Vlorës këtë herë me një ekspozitë personale. Ekspozita është çelur    në ambientet e Bashkisë në Vlorë gjatë fundjavës. Ekspozita përmbante rreth 30 punime të temave të ndryshme. Peizazhe e portrete nga heroi kombëtar Skënderbeu, punime me figurën e Ali Pashës, etj.

2019 – 16 janar në Montecchio të rajonit të Umbrias së Italisë ka çelur ekspozitën me temë “Servilizmi’’ si një retrospektivë e një satire të viteve 1981-1985.

Karikatura “Servilizmi” nga mjeshtri Agim Sulaj
Karikatura e presidentit Donald Trump është karikatura fituese e çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Piracicaba të Brazilit.

Stafi ALVA i uron shumë suksese mjeshtrit Sulaj në krijimtarinë e tij dhe jo vetëm!

Mjeshtri Agim Sulaj

Burimi:www.agimsulaj.com / www.konica.al Eugent Kllapi/ www.shqiptarja.com/ ALVA

Artikulli paraprak“ALVA” rikthimi i vlerave në vlerë për t’u jetuar” në radio “Spektrum”
Artikulli tjetërPiktorit dhe karikaturisti me famë botërore Agim Sulaj rikthehet me tre ekspozita në Tiranë