Mine Peza ka lindur në vititn 1885 në katundin Ndroq në familjen patriotike të Alhysëve, familje e varfër por me shpirt atdhetar. Në luftën e parë botërore i vetmi vëlla që pati, ka rënë dëshmor duke luftuar kundër pushtuesve serbë. Minia në rininë e saj u rrit dhe edukua me dashurinë për atdheun dhe urrejtjen për shtypësit e shfrytëzuesit, të cilët me reprezaljet që përdoreshin kundër katundarëve për t’i marrë taksat duke i lënë pa bukë në vatër, rritën në shpirtin e Mines, urrejtjen për këta shtypës e shfrytëzues.
Minia u martua me Miftar Bilalin nga Peza e Vogël dhe ky me prejardhje familje patriote që punonte për bukën e gojës. Së bashku me Minën, lindën dhe rritën tre fëmijë dy vajza dhe një djalë. Minia ishte një grua punëtore, mjaft pritëse, bujare, e dashur dhe gojë ëmbël me bashkëfshatarët dhe me miqtë e shokët e shkathët e pa përtuar, ishte shumë e gjindshme për të përkrahur të tjerët në fatkeqësi dhe në gëzime. Të gjithë katundarët e Pezës së Vogël e donin dhe e respektonin si bijën e tyre.
Mine Peza për arsye se nuk po përballonte jetën në fshat, erdhi në Tiranë. Në shtëpinë ku banonte e ktheu në një bazë të sigurt për ilegalët dhe për fshehjen e antifashistëve dhe komunistëve, ajo ka pritur e kuruar të plagosur; për këtë aktivitet është kontrolluar disa herë nga spiunët fashistë, por me zgjuarsi e shkathtësi ja ka hedhur fashistëve, këtu vinin shumë edhe nga fshati. Minia, i shoqi Miftari, vajza Shaje, djali Qazim Bilali, vajza Ferideja, të gjithë u përfshinë në luftën LANÇ deri në fund. Djali i Mines që në fillim shkoi partizan në Çetën e Babë Myslimit dhe më 5 Nëntor 1943, ra heroikisht në luftë me nazistët gjerman në betejën e Qaf Kallmit. I shoqi i Mines dhe dy vajzat vazhduan luftën antifashiste deri në Çlirimin e plotë të Shqipërisë. Duke marrë dekoratat e Trimërisë, Kujtimit dhe të Çlirimit, ka marrë edhe Statusin e Veteranit të LANÇ-it. Mine Peza mori pjesë në të gjitha demostratat antifashiste që u zhvilluan në Tiranë.
Pushtuesit fashistë me synim për t’i dhënë goditje lëvizjes LANÇ që kishte marrë shtrirje të gjerë në tërë vendin në mënyrë shumë sekrete, përgatitën plane për internimin në ishujt e Italisë, të dhjetrave të rinjve e të rejave, të burgosur politikë.
Qarkori i PKSH e Tiranës, e vlerësoi këtë moment dhe mori masa të shpejta. U thirr një mbledhje e shpejtë e celulës të shoqeve komuniste në shtëpinë e Meriban Nejdenit. Këtu u shtrua detyra që t’u bëhej thirrje grave e vajzave të qytetit të demostronin përpara burgut në pasditen e 17 Shtatorit, ora 16.00. Dhjetra gra e vajza të udhëhequra nga shoqet komuniste të veshura me çarçaf, nën pretekstin e takimit me njerëzit e tyre të burgosur, iu afruan ndërtesës së burgut, që ruhej nga forca të shumta policore dhe kërkuan të takoheshin me djemtë e vëllezërit e tyre. Ata i kërkuan demostruesve që të hiqnin perçet, por ato refuzuan dhe menjeherë ndërhynë forcat e policisë duke i shtyrë e goditur me qytat e pushkëve. Demostruesit i bën ballë sulmit të policisë dhe ishin të vendosur të mos zmbrapseshin. Nga gjokset e tyre buçitën thirrjet: ”Poshtë fashizmi”, “Mos na i internoni djemtë dhe vëllezërit tanë në Itali”. “Na lironi djemtë”. Me këto thirrje të grave u bashkua dhe zëri i fuqishëm i të burgosurve, të cilët nga dritaret e burgut hidhnin parrulla si: “Poshtë fashizmi! Rroftë Shqipëria e lirë! Fashistë, mos vini dorë mbi nënat dhe motrat tona! Rroftë lufta Çlirimtare!”. Me demostruesit u bashkuan shumë gra e vajza të familjeve që banonin në afërsi të burgut.
Të befasuar nga një demostratë e tillë si dhe nga vendosmëria e grave dhe vajzave të Tiranës, autoritetet e qeverisë fashiste, dërguan forca të shumta policore, u arrestuan shumë gra, të cilat u përplasën në birucat e Kuesturës. Ndërsa gruaja që u godit rëndë nga plumbat e fashistëve, ishte bija nga Peza Heroike Mine Peza. Ajo u bë Dëshmorja e parë nga rradhët e grave Antifashiste të Tiranës, e cila i la amanet shokëve dhe djalit të saj që ishte partizan, që të luftonin fashizmin deri në fund të Çlirimit të vendit.
Poeti popullor i ka dedikuar kësaj gruaje trimëreshe, këto vargje në këngë:
Ku kam vajzën, ku kam djalin!
M’i kanë fut n’at burg të zi.
Far’e fisin ma kan tretur,
Larg në ishuj, n’Itali…
Kjo demostratë pati jehonë të madhe në tërë vendin. Ajo tregoi për forcën e rolin e madh të gruas shqiptare në që zhvilloi populli shqiptar për Çlirimin e vendit. Ndërsa kënga u përhap në të gjithë vendin si himn lufte.
Pas Çlirimit Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka akorduar titullin më të lartë “Heroinë e Popullit”. Një nga rrugët kryesore të Tiranës mban emrin Mine Peza. Para burgut të vjetër është ngritur një lapidar kushtuar aktit heroik që kreu “Heroina e Popullit” Mine Peza.
Burimi:http://www.radiokosovaelire.com/ MEHMET XHEMAL ÇELMETA Nipi i Heroinës / Përshtati për ALVA – V. D.