Qyteti i Beratit është i vendosur në luginën e quajtur Topallti, në grykën malore të përshkruar nga lumi i Osumit. Në mes të shek. XIX kishte 1800 shtëpi të banuara nga popullsi muhamedane dhe kristiane si dhe një zhvillim të admirueshëm tregëtar dhe kulturor. Si rezultat i rëndësisë historike që paraqiste qyteti i Beratit në kohën e Perandorisë Otomane, por dhe i veçorive gjeografike të tij, formimi i muzikës qytetare, ndoqi deri diku tjetër rrjedhë nga ajo e qyteteve të tjera të Toskërisë apo dhe të Labërisë. Është nga të vetmet raste që kultura kompakte muzikore iso-polifonike e qyteteve të jugut, u fqinjësua diku në qëndër të saj, me të dhënat e kulturës muzikore monodike perso-arabo-turke.
Ndryshimi i muzikës së fshatrave rreth Beratit (që përfaqëson traditën e lashtë muzikore të zonës), me muzikën e qytetit në përgjithësi, është një tregues i ndryshimit të njësisë muzikore të dikurshme që ka patur qyteti i Beratit. Kështu, prej pushtimit turk e deri në fillim të shek. XIX, kultura muzikore e qytetit të Beratit shfaqet si një kulturë monodike, e kultivuar nga tajfat muzikore, ndërkohë që konstatojmë se kultura e re muzikore qytetare iso-polifonike, fillon e zhvillohet aty në fillim të shek. XX nga formacioni i sazeve, paralelisht me muzikën popullore qytetare të Toskërisë.
Në regjistrat osmane qysh në shek. XVI, gjejmë të shënuar profesionin e muziktarit orkestrant të Beratit të quajtur me emrin mehter. Nga defteri i hollësishëm i livasë-sanxhakut të Vlorës i vitit 1520, tek ndarja e zejeve shohim se: Hasan Hysejni, Xhafer Hasani, Ferid Hasani, Jusuf Memi, Jusuf Ahmedi Sinan Jusufi, Jusuf Hysejni etj, figurojnë të regjistruar me profesionin e orkestrantit.
Më pas, një tjetër të dhënë mbi ekzistencën e formacioneve muzikore interpretuese në Berat e jep Evlia Çelepia (1670), i cili flet me respekt për grupin e muziktarëve që ishte ndër më të mirët krahas tajfës së Korçës, Leskovikut etj. Gjithashtu Çelepia pohon se në Berat kishte me dhjetra vende argëtimi, ku ndër të tjera interpretohej edhe muzika popullore.
Në përgjithësi, deri në vitet e para të shek. XX, kultura muzikore e qytetit të Beratit ishte një kulturë muzikore e interpretuar nga tajfat e muziktarëve, muzikë e cila në një pjesë të madhe të saj ishte e sjellë prej komunikimit të përhershëm tregëtar dhe kulturor të qytetit të Beratit me vendet e tjera dhe kryesisht me Turqinë. Si e tillë, ajo ishte një kulturë monodike (me një zë), gjë që e afronte në tipologji këngën beratase me atë shkodrane, elbasanase, gjakovare etj.
Në fillim të shek. XX, ashtu si në të gjitha qytetet kryesore të Toskërisë, filloi në Berat edhe formimi i formacionit origjinal të sazeve popullore shqiptare, apo siç njihet ndryshe formacioni polifonik i sazeve. Sazet e para në Berat i gjejmë qysh në fillim të shek. XX. Lindja e sazeve ishte si një rikthim në traditën iso-polifonike të të kënduarit të qytetit të Beratit përpara pushtimit turk. Një formacion i dëgjuar Sazesh ka ekzistuar në Berat në vitin 1915 i drejtuar nga violinisti i shquar Riza Nebati (të cilin populli në një këngë e ka vlerësuar si Paganinin e qytetit të tyre), një tjetër nga Isuf Meko Përmetari e më vonë vëllezërit Qamili të ardhur po nga Përmeti. Po ashtu përmendim edhe Sazet e Usta Halit Beratit me gërnetë (rreth 1910-1920), ato të drejtuara nga Riza Jevi me qemane, e veçanërisht ndihmesën e sazeve të Sybi Sadushit me gërnetë. Është fakt i pamohueshëm që një pjesë e rëndësishme e muziktarëve të shquar popullorë beratas u shpërngulën në qytetet e tjera të Shqipërisë për të interpretuar muzikën popullore. Kjo gjë solli një transferim dhe komunikim të vlerave të krijuara nga njeri qytet në tjetrin. Edhe më parë kishte ndodhur kështu. Fama e ambjenteve muzikore të Beratit bëri që edhe muziktarë të shquar si shkodrani Ismail Dobrunji të vendosej në Berat diku aty në fund të shek. XVIII. Po kështu, në vitin 1825, muziktari popullor nga Berati Marko Krali fut për të parën herë violinën në ahengun e qytetit të Shkodrës.
Më 1920, sazet e Naxhi Beratit, Hajri Malokut dhe Qemal Matës vendosen në Tiranë, ndërkohë që Skramët, familja e njohur e muziktarëve beratas, u shpërngul për në Vlorë. Sipas Mehqemesë: në vitet ’30 të shek. XX në Berat përmenden 16 muziktarë të shquar popullorë si Selim dhe Luta Pasha, Mehmet Kovaçi, Shefit Hoxha, Shaban Dilo, Rabiona e Rufani Diku, Hysnie e Anife Kovaçi etj. Me shembjen e Perandorisë turke, në Berat gradualisht u rrudh roli i tajfave të muziktarëve, ndërkohë që u popullarizua repertori i këngëve origjinale të sazeve popullore beratase. Duhet theksuar se sot në muzikën popullore qytetare të Beratit do të konstatojmë si gjuhën muzikore-monodike, por dhe atë iso-polifonike, tipar i kahershëm i Beratit të vjetër, rrethinave të tij dhe i muzikës së qyteteve jugore në përgjithësi. Për shkak të pozicionit gjeografik, por dhe të lidhjeve historike, tek sazet e reja të Beratit, u shkri natyrshëm repertori monodik i këngëve (që deri para lindjes së sazeve luhej nga tajfat e muziktarëve) me atë iso-polifonik Beratit të vjetër. Kështu, përveç repertorit tradicional të qytetit, sazet zotëronin edhe numrat më të njohur të muzikës qytetare shqiptare, si të qytetit të Vlorës, Përmetit, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës etj. Sazet e Beratit përbëheshin nga 1 gërnetë, 1 violinë, një ose dy llauta dhe 1 def. Përmes këngëve ne sot njohim emrat e veglave më të përdorura nga sazet dhe formacionet e tjera muzikore popullore të qytetit të Beratit, e bashkë me to edhe emrat e muziktarëve të shquar beratas. Ja se si i këndon populli në njerën prej këtyre këngëve:
Kush i bie kanunit-e
Ky Qerimi, nipi i Sulçes-e
Kush i bie qemanes-e
Josifi, i biri i Skrames-e
Kush i bie buzukut-e
Ky Tetemi i Sukut-e
Një punë të madhe në kultivimin e këngëve beratase kanë bërë shumë muziktarë të shquar popullorë të këtij qyteti, instrumentistë e këngëtarë. Ndër ta përmendim Riza Nebatin (violinistin virtuoz pjestar edhe i orkestrës së Isuf Myzyrit), Naxhi Beratin, Hajri Malokun, Qemal Matën, Kadri Fuga (Berat 1887- Berat † 1953), Jorgji Bendi (Berat 1861- Berat † 1914), Sulejman Naibin, Hamit Vokopolën etj. Me emrin e muziktarit popullor Shyqyri Fuga (Berat 1883- Berat † 1962), njihen këngët “Morra mandolinën”, “Në fushë të Uznovës”, etj; me emrin e Sulejman Naibit në popull njihen këngët: “Jelekun kadife veshur”, “Kështu e kështu më thanë”, “Aman, o im atë”; me emrin e Qerim Fugës njihen këngët: “Mblodhëm një tufë lule”, “Shaja me shami të kuqe”, “Ma gëzofsh shaminë jeshile”, “Ditën e xhuma po bëhesh xhuluzi” etj.
Ndër këngëtarët e shquara të muzikës popullore qytetare beratase pas vitive 1950 përmendim: Virgjini Milen, Dhimitër Dushin, Floresha Debinjën etj. Ndër sazet me aktivitet pas viteve 1990, përmendim edhe ato të vëllezërve Hoxha nga Lapardhaja e Beratit. Aktualisht kënga popullore qytetare beratase është e përhapur dhe e pëlqyer në Shqipërinë e Jugut, në atë të Veriut e ca më tepër në Shqipërinë e Mesme dhe në Kosovë
Lit: Xhihani Meliha, “Tradita, krijimtaria dhe zhvillimi i muzikës në qytetin e Beratit”, Disertacion, 1976, Biblioteka e Akademisë së Arteve; Mehqemeja Agim, “Hapësirat e këngës popullore beratase”, gaz. “Kushtrimi”, 1988, 20 Prill; Mehqemeja Agim, “Këngë e Beratit”, Berat 2000; Duka Ferit, “Berati në kohën osmane, shek. XVI-XVIII”, Tiranë 2001 etj. Burimi:Ajet Nallbani Përshtati për ALVA:V. D.