Nën hapat e Bajronit ishte ai, William Martin Leake, një ish kolonel i artilerisë mbretërisë dhe më vonë një anëtar i Akademisë Mbretërore të Shkencave, që solli një libër të vërtetë me krahasime gjuhësore dhe me udhëtime të vërteta të autorit. Ai i shkeli këto vende dhe studjoi kulturën, gjuhën dhe që është më e rëndësishmja, historinë e këtyre trevave shqiptare, që vijnë në mënyrë aq origjinale. Ai jo vetëm që e paraqiti Shqipërinë si një ndërthurje traditash dhe zakonesh, por paraqiti virtytet dhe bukuritë e tokës shqiptare, duke sjellë ndoshta një dokument cilësor për ato periudha për të cilat ne nuk kemi shumë informacion.Kërkime në Greqi nuk është i vetmi volum që përshkron udhëtimet e tij nëpër Ballkan, por pelegrinazhi i tij vazhdon më tej, shumë më tej.

Ai e përshkruan kështu udhëtimet e tij nëpër qytetet shqiptare:

11shtator. Këtë mëngjes në orën 07:35 u nisa në shi në Berat me një grup kuajsh të dobët dhe e kaluam drejtpërsëdrejti pllajën në gjerësinë e saj dhe afërsisht në drejtimin e duhur perëndimor arritëm në 08:45 në Voskop, emri i së cilës tani u është vendosur dy fshatrave të vegjël në rrëzë të maleve. Unë shpesh e kam dëgjuar pohimin që qyteti dikur kishte 8-10 mijë shtëpi, por ishte e vështirë të besohej që kishte më pak. Mirëqënia më e madhe kishte qënë një shekull më parë ndërsa tani ka vetëm 200-300 shtëpi të banuara në vend.

Ne  zbritëm nga një shteg zig-zag dhe kaluam përmes lumit në orën 01:25 e më pas duke u ngjitur në malin e Oparit në orën 02:35 arritëm në Lavardhja, një fshat i vogël i grekëve, të krishterëve shqiptarë, dhe rezidenca e Shemshedin Beut, djali i Mehmet Pashës së Frashërit, vend i cili është në autoritetin e Ali Pashës. 

Në orën 12:45 pas një ngjitjeje të vazhdueshme nga Dushari ne arritëm në vendin me emrin Guri i Prerë (Guri Prei). Ky është një gur i vogël që ngrihet nga kreshta e vargmaleve dhe ndan luginën e lumit nga ajo e një dege kryesore të Devollit që rrjedh përgjatë anës lindore të malit Tomorr. Kreshta është në këtë pikë më e ulët dhe më e hapur se sa në ndonjë pjesë tjetër. Guri i Prerë është pika natyrore e komunikimit nga njëra luginë në tjetrën dhe për këtë arsye u pushtua nga Pashai i Beratit dhe më pas nga Ali Pasha që e mban nën kontroll me një garnizon luftëtarësh.

Më pas autori vazhdon përshkrimin e ushtarëve shqiptarë që megjithëse janë të uritur, ata e vazhdojnë luftën. Ushtarët flasin për të ftohtin e dimrit kur dëbora shtrohet në tokë për disa muaj po akoma dhe më shumë për erën e cila vrapon përmes kësaj kreshte të hapur krenare.

Pasi hëngrëm në çatinë e kullës, ne u larguam nga Guri i Prerë në 08:15 dhe shpejt e këmbyem mjegullën dhe të ftohtit me dritën e diellit të luginës, në zbritje kaluam përmes fshatit të  Dombrenit, një fshat me xhami dhe minaret të vendosura këndshëm midis kopshteve dhe fushave me misër. E gjithë kjo luginë duke përfshirë shpatin e pjerrët nga Guri i Prerë deri në kreshtën e Tomorrit quhet Tomorrica. Duke vazhduar përmes një zone të rrafshët me drurë, ne arritëm në gjatësinë e rrëzës së shkëmbinjve mahnitës dhe pyjeve të mëdhenj.

Në udhëtimin e tij ai nuk lë pa përmendur dhe përshkruar pashallarët e atëhershëm shqiptarë dhe në fokusin e tij gjatë vizitave nëpër viset shqiptare është karakteri i tyre. Ai bën një rezyme të asaj çfarë ishte realiteti shqiptar në periudhën e pashallarëve të asaj kohe. Ai vijon si më poshtë:

Kur Ali Pasha ishte një djalë i vogël, ne vrapuam me armët në duart tona për ta luftuar atë. Ai u arratis ndërsa ne shkuam ne Karjan (fshat i Gjirokastrës) për të djegur shtëpinë e tij.  Shënimet e korrespondentit të Institutit Mbretëror vazhdojnë me përshkrimin e qytetit të Gjirokastrës në atë periudhë.

Gjirokastra kishte 4 mijë shtëpi, 2/3 e së cilës ishin myslimane. Kur i vizitonin miqtë, megjithëse ishin të feve të  ndryshme, ata nuk i fshihnin gratë e tyre por tregonin shumë respekt, duke u nritur për të hapur rrugë për ato, ky zakon vërehet në rrugë dhe në shtëpi.

Bajroni i dytë kalon nëpër Konicë dhe thotë se ndikimi shqiptar është mjaft evident dhe nëpër dyqanet e këtij qyteti mund të gjesh vetëm artikuj të tillë si veshje dhe mobilje të përpunuara nga artizanët shqiptarë.

Megjithëse William Martin Leake nuk është përmendur shumë, ai ka dhënë një kontribut te vyer në promovimin e vlerave shqiptare.