“Paradoksi i lirisë dhe paqes: Një thirrje për dinjitet dhe drejtësi”

0
36

Më 21 shtator, Ditën Ndërkombëtare të Paqes, organizohen aktivitete të ndryshme në mbarë botën në solidaritet me kauzën e paqes. Kultura e paqes promovon vlera themelore si liria, drejtësia dhe demokracia, të cilat janë thelbësore në çdo nivel shoqëror dhe midis kombeve.

Paqja është themeli që mbron lirinë. Pa të, liria është e brishtë dhe vazhdimisht nën kërcënim. Marrëdhënia midis lirisë dhe paqes është në thelb paradoksale. Ndërsa liria mund të kërkojë luftëra, paqja ndonjëherë mund të kërkojë kufizime në liri.

Pa liri, paqja bëhet e pakuptimtë. Në thelb, liria është e drejta për të jetuar pa shtypje, për të zgjedhur rrugën e jetës dhe për të kontrolluar fatin vetë. Liria mishëron thelbin e një jete të drejtë dhe njerëzore.

Shqiptarët, pasardhës të ilirëve, mishërojnë një lidhje të thellë mes lirisë dhe paqes. Ilirët, ndër popull i lashtë i Gadishullit Ballkanik, janë ndër popullatat më të vjetra të Evropës. Emri “Ilir”, që rrjedh nga fjala me kuptimin “I+LIR”, përçon një kuptim të thellë – shqiptarët janë një popull liridashës, me një dashuri të zjarrtë për lirinë. Pavarësisht numrit të tyre të vogël, shqiptarët historikisht kanë fituar luftëra kundër ushtrive të fuqishme të pushtuesve, duke demonstruar përkushtimin e tyre të palëkundur për liri.

Dhuna me bazë gjinore mbetet një çështje e rëndësishme dhe numri i vrasjeve me viktima gra po rritet. Rritja e dhunës nga grupet e organizuara kriminale, terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm përbën një kërcënim për jetën dhe jetesën si në Shqipëri ashtu edhe në mbarë botën. Megjithatë, ekzistojnë mundësi për të parandaluar konfliktin dhe dhunën përmes përpjekjeve për ndërtimin e paqes në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Këto ngjarje sfidojnë kuptimin tonë për lirinë dhe paqen, duke zbuluar natyrën e vërtetë të shoqërisë patriarkale që na rrethon. Kërcënimi i mendësisë patriarkale është një plagë e thellë në shoqëritë globale. Për sa kohë që pabarazitë gjinore, strukturat patriarkale, paragjykimet, dhuna dhe diskriminimi mbajnë prapa gjysmën e shoqërisë sonë, paqja do të mbetet e pakapshme. Ne duhet të dëgjojmë, respektojmë, mbështesim dhe sigurojmë perspektivat e grave të prekura nga format komplekse të diskriminimit, margjinalizimit dhe dhunës, duke përfshirë gjithashtu edhe grupet nga pakicat racore, fetare ose etnike, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara etj.

Dashuria për paqen, lirinë, harmoninë dhe dinjitetin i fuqizon viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës të ëndërrojnë pa kufi, dhe të kapërcejnë pengesat në ndjekje të gëzimit që sjell paqja e vërtetë kur fitohet liria. Guximi për të kërkuar lirinë dhe për të jetuar me dinjitet e fuqizon njeriun të përballet me frikën dhe pasigurinë, duke kuptuar përfundimisht gëzimin e vërtetë të paqes. Çdo grua ka fuqinë të ndërmarri ndryshime dhe të transformojë jetën e saj.

Ju duhet të besoni se ajo për të cilën po punoni është kuptimplotë dhe të vazhdoni të besoni se paqja është e arritshme, edhe kur duket e pamundur. Është detyra jonë kolektive të balancojmë lirinë dhe paqen, sepse vetëm kur ato bashkëjetojnë në harmoni, ne mund të jetojmë vërtet me dinjitet, drejtësi dhe lumturi.

Aktivistja e të Drejtave të Njeriut